Flash News

KRYESORE

Asnjë si PS... nuk e bllokon integrimin

Asnjë si PS... nuk e bllokon integrimin

Çfarë ndodhi sot?

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Dibra se asnjë forcë politike nuk mund të bëjë atë që po bën PS-ja për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, por duke pranuar se sot, procesi ynë i integrimit ndodhet në një fazë të vështirë.

“Jemi në kushtet kur si PS kemi konsoliduar forcën tonë, jemi forcë hegjemone dhe duhet të qëndrojmë të tillë se vetëm ne mund ta kryejmë këtë mision kombëtar. Asnjë forcë tjetër politike, asnjë forcë pseudo politike, apo asnjë lloj force tjetër rreth e rrotull politikës nuk ka kapacitetin ta bëjë këtë nëse nuk e bën PS”, deklaroi Rama.

Konteksti

Deklaratat e kryeministrit vijnë në kushtet kur integrimi i Shqipërisë ka ngecur në nivel teknik dhe politik. Progresi aktual lidhet ngushtë me miratimin e raportit IBAR — një vlerësim i ndërmjetëm i Komisioni Evropian, i cili kushtëzon kalimin në faza të tjera të negociatave, përfshirë mbylljen e kapitujve.

Procesi është futur në një ngërç, të cilin kryeministri e mohon, dhe akuzon opozitën se është ajo që kërkon bllokimin e integrimit. “Nuk lënë gjë pa thënë dhe nuk ndalen së kërkuari nga ne që të bllokojmë Shqipërinë”, tha Rama, duke iu referuar opozitës.

Pa një vlerësim pozitiv të IBAR, i cili është lënë pezull, procesi mbetet i bllokuar në aspektin teknik.

Realiteti ndryshe nga narrativa

Në një intervistë për POLITICO, Rama foli me superlativa për një integrim të shpejtë kur tha se “Shqipëria synon të bëhet anëtare e plotë e bllokut deri në vitin 2030.” Madje, kryeministri vendosi Shqipërinë në të njëjtin pod me Malin e Zi.

Ndërsa Rama flet për një proces që ecën sipas planit, zhvillimet në Bruksel tregojnë një situatë më të ndërlikuar: IBAR nuk është miratuar ende dhe BE nuk ka një vendimmarrje të qartë për hapat e mëtejshëm .

Në të njëjtën kohë, Mali i Zi ka bërë një hap konkret përpara, me ngritjen e një tryeze pune për hartimin e traktatit të anëtarësimit, një fazë shumë më e avancuar krahasuar me Shqipërinë.

Ky kontrast e bën të vështirë të mbështetet narrativa se vendi ndodhet në një “fazë finale” pa pengesa.

Mbrojtja e Belinda Ballukut dhe kthesa në Bruksel

Me 83 vota, mazhoranca rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Belinda Ballukut. Vendimi i qeverisë shënoi një kthesë të fortë në Bruksel që përkon me ngërçin e krijuar në procesin e integrimit.

Unioni e kishte paralajmëruar më herët qeverinë se duhej të mbante një qëndrim kritik nda jdosjes “Balluku”, duke e cilësuar atë një test kritik për Shqipërinë në luftën ndaj korrupsionit. Sipas sinjaleve nga Brukseli, ky rast ndikoi në klimën e besimit dhe në ritmin e vendimmarrjes për çështje kyçe si IBAR, duke krijuar një “kthesë” në perceptimin ndaj progresit të vendit.

Propaganda

Rama ka zgjedhur ta paraqesë situatën si një “thashethem” politik, duke mohuar çdo ide për bllokim. Por faktet tregojnë se një raport kyç nuk po miratohet dhe se avancimi i mëtejshëm është i kushtëzuar.

Nëse, siç thotë Edi Rama, negociatat nuk janë të bllokuara dhe gjithçka po ecën sipas planit, atëherë mbetet për t’u shpjeguar pse një hallkë kyçe si IBAR vazhdon të mbetet pezull, edhe pse qartazi motivi tashmë dihet.

Sepse në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, perceptimi politik ka pak peshë, ndërsa vendimtare janë vetëm standardet dhe besueshmëria në zbatimin e tyre./ Politiko.al

Të fundit