Flash News

KRYESORE

Fjala e Vitit sipas Fjalorit të Oksfordit

Fjala e Vitit sipas Fjalorit të Oksfordit

Fjalori Oxford English Dictionary ka publikuar zyrtarisht Fjalën e Vitit 2025, duke e përshkruar atë si “karremin më efektiv të internetit”. Pas tri ditësh votimi në Instagram, ku morën pjesë më shumë se 30,000 persona, fjalori zgjodhi “rage bait” si Fjalën e Vitit — një zgjedhje që përputhet me një model të vazhdueshëm të viteve të fundit: rritja e përdorimit të zhargonit të internetit në gjuhën e folur.

rage bait (em.): Përmbajtje online e krijuar qëllimisht për të nxitur zemërim ose indinjatë duke qenë frustrues, provokues ose ofendues, zakonisht e postuar për të rritur trafikun ose ndërveprimin me një faqe interneti ose llogari në rrjetet sociale.

“Rage bait” fitoi përballë kandidatëve të fortë

Përfundimisht, “rage bait” triumfoi kundrejt dy pretendentëve të tjerë të fuqishëm:

“aura farming” – veprime të kryera qëllimisht për të kultivuar imazhin e një shkujdesje dhe stili origjinal,

“biohack” – përdorimi i shkencës, teknologjisë ose vetë-eksperimentimit për të optimizuar trupin dhe mendjen për shëndet më të mirë.

Edhe pse teknikisht përbëhet nga dy fjalë, Fjalët e Vitit të Oksfordit mund të jenë edhe shprehje që përbëjnë një njësi të vetme kuptimore.

Një fjalë që pasqyron një kulturë të “pakënaqësisë shoqërore”

Fjalori shpjegon se termi bashkon dy fjalë:

“rage” – zemërim shpërthyes

“bait” – karrem ose diçka joshëse

Për Fjalorin e Oksfordit, përdorimi i këtij termi është rritur trefish vetëm gjatë 12 muajve të fundit. E afërt me termin e njohur “clickbait”, forma “rage bait” fokusohet më shumë te nxitja e qëllimshme e zemërimit dhe përdoret shpesh si teknikë marketingu.

Rritja e përdorimit lidhet drejtpërdrejt me ciklin e lajmeve të këtij viti, i cili ka qenë i “dominuar nga trazirat shoqërore”, si edhe nga debatet për përmbajtjen online dhe mirëqenien digjitale. Termi pasqyron një ndryshim të dukshëm në mënyrën se si flasim për ndërveprimin online — si në aspektin pozitiv, ashtu edhe në atë negativ.

“Fakti që ekziston fjala ‘rage bait’ dhe që ka parë një rritje kaq dramatike në përdorim do të thotë se jemi gjithnjë e më të vetëdijshëm për taktikat manipuluese që na tërheqin online,” tha Casper Grathwohl, President i Oxford Languages.
“Internetit dikur i mjaftonte të rrëmbente vëmendjen tonë përmes kuriozitetit; tani kemi parë një zhvendosje dramatike drejt kapjes së emocioneve tona dhe ndikimit në reagimet tona.”

Ai shtoi se ky është “hapi i radhës në një bisedë të vazhdueshme për çfarë do të thotë të jesh njeri në një botë të drejtuar nga teknologjia – dhe ekstremet e kulturës online”.

Të fundit