Flash News

KRYESORE

Hetimi ndaj Belinda Ballukut, 'dhimbje koke' për Ramën para zgjedhjeve të pjesshme lokale

Hetimi ndaj Belinda Ballukut, 'dhimbje koke' për Ramën para

Vetëm pak javë para zgjedhjeve të pjesshme lokale në 6 bashki të vendit (5 prej tyre votojnë në 9 nëntor, pasi për Tiranën u pezulluan me vendim të Gjykatës Kushtetuese) 'plas bomba' në qeverinë Rama 4.

Prokuroria e Posaçme ka regjistruar zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku si person nën hetim për shkelje të barazisë në tendera, një zhvillim që përbën goditjen më të fortë politike për qeverinë Rama në këtë moment.

Sipas burimeve mediatike, Balluku është thirrur të paraqitet të hënën në Prokurorinë e Posaçme, mbi bazën e një shkrese që mban firmën e prokurorit Dritan Prenci.

Në fletëthirrje, zv.kryeministres i kërkohet të jetë e shoqëruar nga një avokat, çka nënkupton se mund t’i komunikohet akuzë penale.

SPAK po heton një sërë kallëzimesh që lidhen me tenderat në Ministrinë e Infrastrukturës, përfshirë edhe rastin e tunelit të Llogarasë, ku vlera e kontratës me kompaninë turke u rrit me mbi 50 milionë euro.

Ky zhvillim vjen në një moment politik delikat për PS-në që përgatitet për zgjedhjet lokale. 
Përfshirja e një figure kyçe si Belinda Balluku, e konsideruar krahu i djathtë dhe një nga figurat më të besuar të Ramës mund të përbëjë një goditje të drejtpërdrejtë në ekuilibrin politik të kabinetit Rama 4.

Hetimi ndaj Ballukut rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në arenën elektorale, duke i dhënë opozitës tanimë armë të reja politike për të akuzuar qeverinë për korrupsion.

Ndërkohë, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, qeveria dhe Partia Socialiste nuk kanë dhënë ende asnjë reagim publik. 

 

 

Të fundit