Flash News

KRYESORE

Jozefinë ‘tradhtarja’ dhe keqkuptimi i PD si ‘parti historike’

Jozefinë ‘tradhtarja’ dhe keqkuptimi i PD si ‘parti

Alfred Lela

Buisën në rrjetet sociale, dje dhe sot, një potpuri statusesh të atyre që  shpërfaqen si mbështetës të Bashës. Filli që i bashkonte ishte përqeshja, habia apo klasifikimi me terma negativë i nismës së Jozefina Topallit, një prej figurave qendrore të Partisë Demokratike që nga 1997-a e këtej, për formimin e një partie apo lëvizjeje të re politike.

Dyshimi se zonja Topalli po punonte për një grupim të ri politik, pëshpëritej prej kohësh dhe mori trajta edhe nga një diversion i kryebashkiakut të Tiranës, që përmendi faktin e 5 partive të reja të dala prej Demokratikes. Nëse konsiderojmë partinë e Topit, Patozit, Murrizit dhe Rudina Hajdarin, te ‘Nisma’ apo diku tjetër, forca e re e zonjës Topalli është e pesta.

Ciladoqoftë dijenia dhe dora e Erion Veliajt, apo të tjerëve, në forcat e reja politike të sapo apo dikurlindura, kjo nuk mund të jetë një pikë zanafille për qëndrimet e demokratëve. Pra, hamendësimi se ato janë parti që krijohen apo mbështeten nga kundërshtari, nuk i dëmton, por mund t’i valorizojë. Një demokrat që ndihet i tradhtuar nga establishmenti i PD, e ka më të lehtë tranzicionin te partia e Topallit dhe Patozit, edhe me dijeninë se kanë një shtysë nga pushteti, gjë që mund ta ndihmojë këtë 'oportunist', nëse ka në fakt një aleancë sekrete mes këtyre forcave dhe Ramës dhe ky i fundit vjen në pushtet.

Edhe kthimi mbrapsht në PD nëse ndodh e kundërta, do të ishte gjithsesi më i lehtë se sa kalimi në PS, për shembull.

Po kaq shterrues është targetimi ‘i tradhtarëve’ edhe për energjitë e një force politike që kërkon të vijë në pushtet. Lufta brenda llojit është qartësisht më e egra dhe më konsumuesja, dhe historia na mëson se kur këto beteja janë kthyer në paqe, të gjithë e kanë kuptuar kotësinë e tyre.

Jozefina Topalli është duke ushtruar një prej të drejtave universale të njeriut kur zgjedh të grumbullohet më dikë, disa dhe kë të dojë, për të shprehur atë liri që është e saja dhe e patjetërsueshme. Qoftë edhe lirinë e oportunitetit apo të tradhtisë.

Duke qenë se kjo e fundit përsëritet kaq shpesh, ata që e formulojnë duhet të ruhen, jo nga njolla që lë te të tjerët, por te ata vetë. Është e pamundur që formuluesit e shpeshtë e ‘tradhtisë’ mos të jenë edhe bij apo ushtrues të saj. Nuk ka si shpjegohet ndryshe që ata janë kaq të ditur (well versed) në terminologjinë dhe spikamën e saj!

Është një gjë të thuash se, Topalli apo Patozi janë tradhtarë, dhe krejt tjetër të pranosh se lëvizjet e tyre ndihmojnë, direkt apo indirekt, Edi Ramën. Gjetja e një shtegu për ta neutralizuar apo zvogëluar këtë ndihmë është më i udhës se harxhimi i energjive për shpalljen ‘tradhtarë’ të gjithkujt mendon ndryshe nga establishmenti demokratikas.

Ka një keqkuptim që mund t’i kushtojë Partisë Demokratike. Ideja se ajo është ende një parti me mision historik. Ajo vazhdon të spikasë si parti historike (që kërkon të kthehet në politike), por misioni i saj historik është mbyllur me Sali Berishën dhe dorëheqjen e tij. Atë ditë PD e ka përmbyllur historicitetin e vet dhe është lëshuar një rruge të re, asaj të kthimit në parti politike postmoderne.

Shpallja apo shpikja e tradhtarëve nuk është aspak politike dhe aq më pak postmoderne. Historike po, por për librat. Dhe PD nuk duhet të jetojë në të shkuarën e librave apo rrëfenjave.

Keqkuptimi se, kush largohet apo ‘tradhton’ PD ka tradhtuar historinë e pluralizmit dhe të Shqipërisë, është një artefakt muzeu. Interesant për t’u kundruar, por politiksht shterpë.

Të fundit