Flash News

KRYESORE

Krijimi i Shqipërisë si projekt i krishterë

Krijimi i Shqipërisë si projekt i krishterë

Ektrit Manushi

     Kur Presidenti Trump botërisht vendosi shqiptarët si myslimanë të Lindjes së Mesme disa muaj përpara duke u mburrur që ca myslimanë nga fundi i botës si shqiptarët po njohin Izraelin, tronditja në botën shqiptare ishte e dukshme.

Megjithatë reagimi nga media dhe intelektualët shqiptarë në Prishtinë, Tetovë dhe Tiranë ishte si zakonisht, qesharake. E tërë media dhe analistët praktikisht u dorëzuan dhe vazhdojnë të jenë të dorëzuar duke shprehur pafuqinë e tyre se nuk kanë çfarë të bëjnë më shumë. Si ka mundësi që shqiptarët ende shihen në Perëndim is arabë myslimanë fisnorë të prapambetur të lindjes së mesme?! Madje edhe Blendi Fevziu në një intervistë online që i dha televizionit A2 CNN për idealet e 8 dhjetorit, lëvizjes së studentëve që shkaktuan rënien e komunizmit në Shqipëri me thirrjen "E Duam Shqipërinë si Gjithë Evropa", sugjeroi që Shqipëria nuk po pranohet në Bashkimin Evropian sepse shihet si vend me shumicë myslimane, praktikisht duke ngritur flamurin e bardhë të humbjes, Evropa nuk na do sepse shihemi si myslimanë.

A nuk jemi ne evropianë?! A nuk janë shqiptarët evropianë?!

Kjo ka qenë thelbi tërësisht i asaj që quhet Rilindja Shqiptare, dhe kjo ka qenë arsyeja që simbolet shqiptare janë gjithmonë të Krishtera, pikërisht ai, Identiteti Evropian. Por, me përhapjen e internetit, është bërë e pamundur që një shtet të kontrollojë propagandën historike.

Çështja do zbërthyer thjeshtë e qartë. Problemi qëndron tek teologjia. Mungesa e përgatitjes teologjike për interpretimin e historisë ka çuar intelektualët shqiptarë në një pikë të tillë që teologjia është shmangur tërësisht si diçka e kotë dhe e panevojshme. Si rrjedhim, i gjithë komentariati shqiptar nuk ka asnjë mundësi që të kuptojë dhe të interpretojë atë që po ndodh. Nuk ka teologji pa histori, dhe nuk ka histori pa teologji.

Sipas historiografisë sonë, shqiptarët qenkan të vetmit komb në të rruzullin tokësor që nuk janë ndikuar nga feja në histori. Çdo gjë që lexojmë për çdo komb, nga çdo historian në botë, gjithmonë përcaktohet roli qëndror dhe vendimarrës i strukturës fetare dhe teologjisë.

Siç e përcakton tepër qartë Papa Benedict XVI në esenë e tij "Evropa dhe Pakënaqësitë e Saj", feja ishte identiteti kryesor përcaktues i historisë së asaj që tani quhet Evropë, deri në në momentin e Revolucionit kundër të krishterë francez. Citim: ".....nuk kishte ndodhur, deri në Revolucionin Francez, që korniza shpirtërore që siguroi - dhe pa të cilën Evropa nuk mund të ishte formuar.....".

Revolucioni Francez paraqiti konceptin e Sekularizmit për herë të parë, shteti nuk ka më nevojë për Zotin. Intelektualët francezë filluan të ndryshonin emrat nga të grishterë në grekë. Feja duhej të ishte çështje personale. Si rrjedhim i këtyre ideve, francezët morën totalisht në kontroll tërë strukturën e kishës dhe zëvendësuan identitetin fetar që mbizotëronte deri atëherë me identitetin Linguistic Francez, pra lindja e konceptit Komb-Shtet. Deri atëherë, jo vetëm Franca, por e tërë Evropa dhe bota bazoheshin në sisteme principatash të disa princërve që vepronin autonomisht, të cilët mund të zgjidhnin apo jo ndërmjet tyre një mbret ku mund të drejtoheshin për zgjidhjen e konflikteve. Gjermanët madje nuk kishin as mbret, funksiononin me principata dhe mbretërira totalisht të pavarura, ku Prusia ishte më e forta. 

Madje Habsburgët ishin koka e një aleance të krishterë mbretërish dhe princërish lokalë që quhej Perandoria e Shenjtë Romake. Perandoria e Shenjtë Romake kishte si simbol flamurin romak që kanë edhe tani shqiptarët, shqiponjën me dy koka. 

Në shekullin e 10të shqiponja me dy kokë fillon e duket në heraldikën Konstantinopolitane. Në shekulling 13të me dinastinë Paleologe, shqiponja me dy kokë bëhet stemë zyrtare në Perandorinë e Romakëve në Konstandinopojë. Gjithasthu shqiponja me dy kokë bëhet stemë zyrtare edhe në Perandorinë e Shenjtë Romake që më vonë pasi u shpërbë nga Napoleoni mori emrin si Austro-Hungari, që vazhdoi të përdorte të njëjtin flamur. Pra siç është e qartë, shqiponja me dy kokë nuk ka të bëjë fare me ndonjë traditë të veçantë të shqiptarëve siç mendohet tani gabimisht në territoret shqipfolëse. Familjet udhëheqëse shqiptarofolëse Romake, si Kastriotët, Muzakajt, Topiajt, Arianitët, Dukagjinët etc morrën të drejtën e përdorimit të Shqiponjës me Dy Kokë në heraldikën e tyre si besnikë të Perandorëve Romakë në Konstandinopojë. Të gjithë banorët e Perandorisë së Romakëve me kryeqytet Konstandinopojën e quanin veten Romakë, pavarësisht nga gjuha që flisnin, Italisht, Shqip, Romaika (tani quhet Greqisht) apo Fenikisht (libanisht). Dhe prandaj edhe mbretërit Bullgarë, Serbë dhe Rusë bënë martesa me Perandorët Romakë në Konstandinopojë në mënyrë që të quheshin Romakë, domethënë të Krishterë. Mbreti i parë i krishterë bullgar, Boris, e riemëroi veten e vet si Car, Çesar Romak, që më pas u kopjua nga Rusët gjithashtu. E vetmja mënyrë të ishe i krishterë, ishte të ishe Romak. Ky ishte mentaliteti i kohës së atëhershme.

Identiteti Romak është njohuri normale për të gjithë historianët. Osmanët, shumë normalisht, të gjithë të Krishterët e Perandorisë i numëronin si Rum (Romak), pavarësisht nga gjuha që flisnin. Në atë kohë, Romak dhe i Krishterë kishin ekzaktësisht të njëjtin kuptim. Skënderbeu vetë e shihte veten si Perandor i Romakëve (domethënë i Krishterëve) sipas vulës së tij që gjendet tani në Danimarkë. Thënë thjesht e shkurt, Skënderbeu ishte Romak/i Krishterë, pikë së pari, dhe pastaj vinin identitetet linguistike. Kjo vulë sigurisht është bërë pasi Kostandinopoja Roma e Re ra në dorë të Osmanëve në 1453, sepse Perandori Legjitim i Romakëve ishte vetëm Perandori në Kostandinopojë Roma e Re, tashmë në dorë të Osmanëve.

Gjithashtu informacioni është tepër i bollshëm në internet që Perandoria Bizantine nuk ka ekzistuar ndonjëherë. Termi Bizantin u bë popullor në shekullin e 17të kur historiografia në Evropën Perëndimore filloi të ndante historinë në periudha studimi. Ajo ishte thjesht Perandoria e Romakëve. Qysh nga kjo kohë, Anakronizmi (reformulimi i historisë sipas mentalitetit të tanishëm) u bë proces normal i analizës historike. Vetë një nga figurat më të njohura të Kishës së Greqisë, me influence madhore në Greqi dhe në hapësirat Ortodokse në Amerikë, John Romanides, duke parë kolapsimin e besimit Ortodoks veçanërisht tek Greko-Amerikanët, doli hapur duke thënë që e tërë Historia Zyrtare e Greqisë është shpikje. Duke shokuar ortodoksët në Amerikë, Romanides shpjegoi qartë që Identiteti Helen ishte zhdukur prej Kishës, dhe se gjatë periudhës së mesjetës termi "Grek" përdorej si sharje. Për 1200 vjet të paktën, memorja e Greqisë së Vjetër ngeli vetëm tek elita që kishte mundësi studimi të papiruseve të vjetra, 0.01% e popullsisë. Pjesa tjetër e popullsisë e kishte harruar tërësisht të kaluarën helenike sepse Kisha predikonte vetëm Krishtin. Edhe gjuha nuk quhej më Ellinika, quhej Romaika, Romakisht. Materiali është tepër bollshëm në një website dedikuar punës së John Romanides, të quajtur Romanity.org.

Është njohuri normale midis historianëve që identiteti Helen u shua plotësisht nga Krishtërimi, ashtu siç u shuan të gjitha identitet pagane nga shekulli i 8të, Latin, Ilir, Helen, Fenikas. Madje, çështja është shtruar së fundmi edhe në lidhje kthimin e mermereve greke nga Londra në Athinë, Në New York Times është thënë shkoqur që grekët e tanishëm, bashkë me shqiptarët e tanishëm, e quanin veten romakë. Citim nga artikulli: “We used to speak Albanian and call ourselves Romans, but then Winckelmann, Goethe, Victor Hugo, Delacroix, they all told us, ‘No, you are Hellenes, direct descendants of Plato and Socrates,’ and that did it. If a small, poor nation has such a burden put on its shoulders, it will never recover.” (“Ne dikur flisnim shqip dhe e quanim veten Romakë, por më pas Winckelmann, Goethe, Victor Hugo, Delacroix, ata të gjithë na thanë:‘ Jo, ju jeni Helenë, pasardhës të drejtpërdrejtë të Platonit dhe Sokratit ’, dhe kjo e bëri atë. Nëse një komb i vogël dhe i varfër ka një barrë të tillë të vendosur mbi supe, ai nuk do të shërohet kurrë".

Gjithashtu është njohuri normale midis historianëve që ata që tani quhet Grekë dhe Sllavë, konvertuan në Myslimanë në mënyrë masive qysh nga fitorja e parë e Osmanëve në Manzikert në 1071. Kur Shqiptarët filluan të konvertoheshin masivisht nga shekulli i 17të, shumica e Grekëve dhe Sllavëve kishin konvertuar tashmë. Largësia nga Konstandinopoja bëri të mundur që shqiptarët të ishin të fundit që të konvertoheshin për arsye ekonomike për shmangjen e taksës xhiziaPersonalitete të famshëm të asaj kohe, Shën Gregor Palamai (autoritet absolut i teologjisë ortodokse) dhe super i famshmi Ibn Batuta kanë shpjeguar qartë në shekullin e 14të për konvertimet masive të Grekëve në Anatoli. Kjo është diçka mjaft e studjuar dhe e vërtetuar nga historianët, që mund të duket e çuditshme për shqiptarët. Sllavët kishin konvertuar masivisht, serbët myslimanë e quanin veten Boshnjakë qysh në shkullin e 15të, dhe mbajnë të njëjtit identitet sot e kësaj dite. Kështu që Shqiptarët filluan konvertimin 200 vjet pas sllavëve dhe 600 vjet pas grekëve.

Gjithashtu informacioni është i bollshëm në internet se i ashtuquajturi Revolucioni Grek, u quajt vetëm më vonë Revolucioni Grek, pas mbarimit të tij. Për revolucionarët synimi ishte rimarrja e Kostandinopojës dhe rikrijimi i Perandorisë së Romakëve. Ideja që Shqiptarët luftuan për çlirimin e Greqisë nga Osmanët, është thjesht gënjeshtër që vazhdon të përsëritet çuditërisht ende në Tiranë. Nuk ka mundësi të luftosh për çlirimin e Greqisë kur koncepti i Greqisë dhe koncepti i të qenurit Grek nuk ekzistonin ende midis njerëzve të thjeshtë, përveçse në kokat e elitës. Vetë revolucionarët e quanin luftën si "Mundimi" (Agonas). Një lexim i shpejtë në internet e bën të qartë që synimi i revolucionarëve ishte rikrijimi i Perandorisë Romake me qendër në Kostandinopojë. Kjo nuk është diçka e çuditshme midis historianëve profesionalë në të gjithë botën.

Aplikimi i ideve anti të Krishtera (sipas teologëve katolikë) të revolucionit francez filloi në Rumeli (Toka e Romakëve, që në fillim të shekullit të 20të u riemërtua si Ballkan) gjatë proçesit të shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Ta përsërisim, idea kryesore ishte që feja të ishte totalisht personale, dhe si rrjedhim identiteti linguistic doli primar, si rrjedhim fillimi i konceptit Komb-Shtet në ekzistencë edhe tani.

Që të kthehemi pakëz prapa, ajo që tani quhet Administratë Shtetërore, shkollat, bashkitë, spitalet, zyra e taksave etc, përpara revolucionit francez i kontrollonte tërësisht Struktura Kishtare, që kishte fuqi ekskluzive në popullsi. Si rrjedhim, kontrolli i strukturës fetare do të thoshte kontrol total i shtetit. Prandaj mbretërit gjithmonë donin të caktonin peshkopë që ishin besnikë. Peshkopët ishin praktikisht Kryetarët e Bashkive. Ky sistem vazhdoi në Perandorinë Osmane pa asnjë ndryshim.

Kronologjia e krijimit të identiteteve etnike sipas modelit të revolucionit francez  është si më poshtë:

- Rusia organizon kryengritje në territoret e krishtera në Perandorinë Osmane.

- Rusia organizon të ashtuquajturat Luftëra për Pavarësi të Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë (koncepte si Greqia, Serbia dhe Bullgaria ose Shqipëria nuk ekzistonin fare, edhe njëherë, kujto revolucionin francez).

- Greqia krijohet me kryeministër Kapodistria, që ishte edhe Ministër i Jashtëm i Rusisë. Pastaj krijohen Bullgaria dhe Serbia si territore të mbrojtura nga Rusia. Koncepti i pavarësisë sovrane nuk ekzistonte ende. Këto territore ishin të pavarura nga Osmanët, por të varura nga fuqitë e mëdha, nuk ishin të pavarura sovrane.

- Fuqitë e Evropës futen që të ndalojnë kontrollin Rumelisë (tani i quajtur Ballkan) nga Russia. Lufta për kontrol të Rumelisë ndërmjet fuqive të mëdha fillon.

- Për marrje territoresh fillojnë shpikjet historike. Romakëve që flisnin Romaika (tani quhet greqisht) u thanë që janë Helenë, jo Romakë. Shkolla hapen për të zhdukur identitetin romak, dhe detyruar identitetin helen. Mbreti gjerman Otto i Greqisë krijon Kishën e Greqisë në mënyrë që kishte kontroll total të strukturës fetare. Mbreti gjerman Otto shpik konceptin Megali Idea, Idea e Madhe që përfshinte shfarosjen e shqiptarëve dhe vllahëve. Ta përsërisim, projekti i Helenizimit me forcë të shqiptarëve dhe vllahëve ishte projekt gjerman, jo grek. Koncepti i të qenurit grek nuk ekzistonte në atë që tani quhet Greqi, përveç se në kokat e elitës së arsimuar në Evropën Perëndimore.

- Serbët fillojnë të fantazojnë se Kosova paska qenë djepi i Serbisë. Një betejë pa asnjë rëndësi historike si Beteja e Fushë Kosovës në 1389 me një pjesëmarrje serbe, shqiptare, bullgare, hungareze etc, shpiket sikur i gjithë kombi serb totalisht i paarsimuar e mbaka mend dhe e tërë ekzistenca e kombit serb ju detyrohet asaj beteje me vlera gati zero. Gjithashtu fshihet fakti që Despoti Serb ishte aleat i Osmanëve në pushtimin e Konstandinopojës. Edhe sot e kësaj dite Serbët nuk informohen që Serbët dhe Osmanët shkatërruan Kostandinopojën.

- Serbët gjithashtu shpikin se Kishat në Kosovë qenkan kisha serbe, kur dihet fare qartë që gati të gjitha kishat e vjetra në Kosovë ekzistonin qindra vjet para se sllavët të krishterizoheshin.

- Në Kongresin e Berlinit në 1878, midis Gjermanisë, Britanisë, Austro-Hungarisë, Rusisë, Perandorisë Osmane, Kancelari Gjerman von Bismarck deklaron - "Kombi shqiptar nuk ekziston". Marrëveshja ishte bërë që të gjithë të krishterët në Anatoli të kalonin në Rumeli, dhe të gjithë myslimanët në Rumeli të kalonin në Anatoli. Të gjithë myslimanët shqiptarë u quajtën Turq, të gjithë të krishterët shqiptarë në jug u quajtën grekë, dhe të gjithë të krishterët shqiptarë në veri u quajtën serbë, me përjashtim të ato pak shqiptarë të krishterë të ritit Latin që u quajtën si pjesë e Miletit Katolik të njohur nga Sulltani në 1839. Shqiptarët zyrtarisht nuk ekzistonin tanimë.

- Këtu fillon reagimi real i elitës shqiptare. Në mënyrë që të pengonte shpërnguljen e shqiptarëve myslimanë në Anatoli, elita shqiptare zgjodhi Skënderbeun si hero kombëtar Romak të Krishterë që të tregonte që shqiptarët janë autoktonë. Skënderbeu ishte i vetmi që bënte lidhjen e shqiptarëve me të kaluarën si pjesë e Perandorisë Romake dhe si pjesë e Perandorisë Osmane. Flamuri Romak i Skënderbeut, që në atë kohë përdorej edhe nga Austro-Hungaria, u bë simbol kryesor i ekzistencës së kombit.

- Të krishterët e ritit Konstatinopolitan (që tani quhen ortodoksë) u angazhuan për hapjen e shkollave shqip, shkruan himnin e flamurit dhe filluan të publikonin Skënderbeun. 

- Elita bektashiane në Konstandinopojë, ngaqë po persekutoheshin nga sulltanët sunitë, përqafuan të krishterët shqiptarë për krijimin e Shqipërisë. Një intelektual bektashian, Ismail Vlora Qemali ngre flamurin e krishterë romak të Skënerbeut në Vlorë, duke deklaruar Shtetin Shqiptar. 

- I gjithë koncepti i shtetit po bazohej në thirrjen e një intelektuali katolik, Pashko Vasa, që kishte qenë Guvernatori Osman i Libanit. Duke parë pamundësinë e rikrijimit të identitetit Fenikas prej ekzistencës së 4 feve në Liban, i madhi Pashko Vasa del me thirrjen "Feja e Shqiptarit është Shqiptaria", që vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite motoja e ekzistencës së kombit shqiptar. Elita sunite, Hasan Prishtina, Hoxha Tahsin etc i bashkohet zgjedhjes së simboleve të krishtera në mënyrë që shpëtohet ekzistenca e kombit.

- Alfabeti latin u zgjodh në Kongresin e Manastirit në 1908 me një konsensus të elitave ortodokse, katolike, sunite dhe bektashiane. Synimi ishte që shqiptarët të shiheshin si Evropianë, jo si myslimanë, me qëllim që të mënjanohej dërgimi i shqiptarëve myslimanë në Turqinë që po krijohej.

- Megjithatë deri në vitin 1920, pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, ideja që Shqiptarët nuk ekzistojnë vazhdonte të mbizotëronte. Arsyeja ishte sepse të gjithë myslimanët e Ballkanit duhet të çoheshin në Turqinë që po krijohej në Anatoli. Në kulmin e këtyre përpjekjeve, kleri shqiptar, tashmë me Identitetet e reja Katolik dhe Ortodoks, u vu në krye të udhëheqjes për ekzistencën e kombit shqiptar. Prifti katolik, i madhi At Gjergj Fishta deklaroi - “Në rast se ata nuk na duan ne në një shtet të vetëm, pasi na thonë se shqiptarët qenkan musliman, atëherë ne Kristianët do ti shkrijmë kryqet tona dhe do ti bëjmë fishekë, me i mbrojtë vëllaznit tanë musliman shqiptarë”. 

- Imzot Theofan Noli krijon Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, sepse ekzistenca e një Kishe të pavarur nënkuptonte me konceptin e asaj kohe ekzistencën e një kombi. Kështu, nëse Shqiptarët nuk kishin një kishë ortodokse të pavarur, atëherë automatikisht shqiptarët nuk ekzistonin, vetë ekzistenca e kombit varej nga ekzistenca e një kishte të pavarur ortodokse si akt politik. Praktikisht Fan Noli dhe Gjergj Fishta në krye të elitës së krishterë bënë të mundur ekzistencën e kombit shqiptar që ekziston dhe sot. 

- Insistimi i elitës së krishterë shqiptare bëri të mundur ekzistencën e kombit, sepse në Evropë nuk pyeste njeri për elitën myslimane. Myslimanët duhet të deportoheshin të gjithë në Turqi sipas marrëveshjeve. Evropa dëgjonte vetëm elitën e krishterë. Fan Noli ishte ai që bindi Presidentin Willson që shqipëria duhet të ekzistojë, dhe Willson e mbajti fjalën. Unë nuk e kuptoj pse Fishta, Noli dhe Willson nuk kanë një ditë kombëtare pushimi, është e pashpjegueshme për mua.

- Megjithatë pastrimet e myslimanëve nga Ballkani (nuk quhej më Rumeli - Toka e Romakëve) dhe pastrimet e të krishterëve nga Turqia vazhdonin sipas marrëveshjeve. Në 1923 madje, gjithçka vihet në letër dhe firmë, Greqia dhe Turqia bien dakord që të bëjnë pastrim reciprok të njëri tjetrit, me Traktatin e Lozanës. Në Lozanë, miqtë e ngushtë, Venizelos dhe Mustafa Kemal (Ataturk) vendosën që shqiptarët dhe etnitë e tjera nuk ekzistojnë brenda kufijve të Turqisë dhe Greqisë. Edhe sot e kësaj dite as Greqia dhe as Turqia nuk njohin minoritetet etnike. Greqia pastron  grekët myslimanë, si dhe myslimanët turq dhe shqiptarë, as sa të mundnin, pak e nga pak. Turqia pastron të krishterët grekë dhe turq (po, kishte të krishterë turq të quajtur Karamanlides) pak nga pak aq sa të munden. Bullgaria pastron myslimanët turq dhe Bullgarë, pak nga pak aq sa të munden. Serbia pastron myslimanët serbë dhe shqiptarë, aq sa të munden.

- Mbreti Zog adopton konceptin e Pashko Vasës, Feja e Shqiptarit Është Shqiptaria, në mënyrë që pengojë pastrimin e shqiptarëve myslimanë për në Turqi, dhe të pengojë greqizimin me forcë të shqiptarëve ortodoksë në Greqi. Mbreti Zog ruan flamurin e krishterë të Skënderbeut si simbol të shtetit. Ndërkohë një projekt serb për krijimin e kombit katolik shqiptar me Republikën e Mirditës gjithashtu shkërmoqet. Mbreti Zog merr për grua një princeshë të krishterë hungareze për të treguar që Shqiptarët janë Evropë, jo myslimanë, në mënyrë që normalizonte shtetin e ri shqiptar. Mbreti Zog gjithashtu përzuri me forcë ata myslimanë dhe ortodoksë që kundërshtonin Shqiptarizmën. Kështu që Mbreti Zog ishte i pari që u mundua të krijonte identitetin masiv Shqiptar, sipas ideve të revolucionit francez, duke mënjanuar fenë.

- Gjatë kësaj kohe pastrimet e myslimanëve nga Ballkani dhe pastrimet e të krishterëve nga Turqia vazhdonin sa herë që ishte e mundur sipas marrëveshjeve. Në 1938 Turqia dhe Jugosllavia bëjnë një marrëveshje për pastrim të ndërsjellë duke synuar që të gjithë serbët myslimanë në Bosnje dhe të gjithë Shqiptarët myslimanë në Kosovë të çoheshin në Turqi, sepse Turqia nuk njihte që Shqiptarët ekzistonin, për ata ne ishin vetëm myslimanë turq. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, në 1945 Grekët pastrojnë Çamët myslimanë si Turq dhe greqizojnë me forcë çamët ortodoksë, sipas marrëveshjeve me Turqinë. Në Turqi, në 1955 bëhet pastrim i madh ndaj Grekëve në Stamboll. In 1953 Turqit dhe Jugosllavët rinovojnë marrëveshjen për shfarosjen e Shqiptarëve si Turq nga Jugosllavia në Turqi. Në 1960 Qipro fiton pavarësinë nga Britania. Turqit dhe Grekët firmosin një marrëveshje fallco për menaxhimin e përbashkët të ishullit, por fshehtazi bënin plane për shfarosjen e njëri-tjetrit nga ishulli. Në 1974 Turqia pushton aq sa mundet nga Qipro për t'ju kundërpërgjigjur një përpjekje të ngjashme greke. Të dy palët pastrojnë njëri tjetrin nga territoret që kontrollojnë, situatë që vazhdon edhe tani.

- Në këtë situatë kur Turqia, Greqia dhe Jugosllavia po zbatonin marrëveshjet për zhdukjen totale të shqiptarëve si myslimanë turq dhe ortodoksë grekë, por jo si shqiptarë, Enver Hoxha detyrohet të shkojë në rrugën e Ahmet Zogut, imponon thirrjen Feja e Shqiptarit Është Shqiptaria, dhe deklaron ateizmin si pjesë e kushtetutës shqiptare në 1967. Feja ndalohet me ligj. Historia fillon të rishkruhet në Shqipëri duke hequr çdo koncept fetar të zhvillimit të saj. E njëjta histori, që u shpik për të ruajtur identitetin e shqiptarëve, dhe që kishte vlera të vërteta për atë kohë, çuditërisht po mësohet edhe tani nga shteti shqiptar.

 - Ultra Nacionalizmi shqiptar i Enver Hoxhës shpërndahet shpejt në shqiptarët e Jugosllavisë,  të cilët i vënë prioritet identitetit shqiptar. Identiti fetar i shqiptarëve fillon e shuhet jashtë Shqipërisë si edhe brenda. Shqiptarët fillojnë të kërkojnë të drejtat e tyre si shqiptarë në Jugosllavi. Sipas Petar Ristanovic të Institutit të Kulturës Serbe në Prishtinë, Enver Hoxha organizoi ultra nacionalizmin shqiptar nëpërmjet organizatave marksiste leniniste, duke krijuar dhe zanafillën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës UÇK në vitet 1970të, me arkitekt Enver Hoxhën. Tito detyrohet t'i japë shqiptarëve të drejtat e tyre. Kështu që Enver Hoxha, duke vazhduar punën e Pashko Vasës, Fan Nolit, Fishtës dhe Zogut, bën të mundur mënjanimin e pastrimit të shqiptarëve nga Ballkani dhe imponimin e identitetit shqiptar në sistemin shkollor, duke ndaluar çdo identitet fetar me ligj. Synimi ishte gjithmonë njëlloj - SHQIPTARËT JANË EVROPIANË. Enver Hoxha gjithashtu ruan flamurin romak të krishterë të Skënderbeut (por ndryshon historinë duke hequr fenë nga historia), dhe ngre statujën e Skënderbeut.

- Me mbarimin e Jugosllavisë në 1991, Serbët rikujtohen për marrëveshjen me Turqinë, dhe mundohen që të bëjnë pastrim etnik të Shqiptarëve (që ata i konsiderojnë si Myslimanë) dhe Serbëve Myslimanë (që njihen si Boshnjakë). Çështja ishte se në vitet 1980të kishte marrë formë legjislacioni ndërkombëtar që e njihte pastrimin etnik si krim ndaj njerëzimit. Legjislacioni filloi nga 1960të me synim që të ndalonte përsëritjen e Holokaustit ndaj Hebrejve nga Nazismi. Bota Liberal Demokrate e udhëhequr nga SHBA ndalon zbatimin e marrëveshjeve Turko-Serbe njëherë e përgjithmonë duke krijuar Bosnjën dhe Kosovën si shtete të pavarura.

Ta përsëris dhe njëherë, historia në kohën e internetit nuk mund të shpiket më. Duhet të veprojmë.

*EktritReport.com

**twitter.com/ektrit

Të fundit