Flash News

KRYESORE

Kur shteti ngre grushtin, rinia merr valixhen...

Kur shteti ngre grushtin, rinia merr valixhen...

Nga Kristina Tepexhiku

Aron Balaj sapo ka mbushur 18 vjeç dhe si çdo i ri (i mbetur në Shqipëri), punon për t’i siguruar vetes të ardhura. Aroni ishte në orarin e punës duke iu shërbyer klientëve, që ndonjëherë i ngatërrojnë kamerierët me shërbëtorë.

I tillë është rasti i rëndë në Vlorë, ku Aroni u dhunua nga oficeri i Policisë Kufitare Dibër, Ardian Isufi, dhe miku i tij me precedent kriminal, Leart Bimo. Shkaku? Sepse Aroni i çoi një shishe uji më tepër ‘gangsterit’ që nuk u kursye të tregojë forcën për një bidon ujë, ndaj një 18-vjeçari.

Paradoksi i vendit tonë që thotë se mbron rininë e tij: një 18-vjeçar që punon për të paguar shpenzimet e maturës, në vend që të ndjejë sigurinë e shtetit, merr një shuplakë e një grusht nga dora që duhet të ishte e para për të ruajtur rendin dhe të ardhmen e brezit të ri.

Shqipëria vijon ta vuajë plagën e emigracionit masiv ose eksodit të të rinjve. Sot, të rinjtë i numëron me gishta, pasi popullsia po shkon gjithnjë e më shumë drejt plakjes.

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare ka thënë: “Një komb që humb rininë e tij, humb të ardhmen.”

Është e lehtë të flasim për emigracionin si statistikë. Por në thelb, Shqipëria nuk po humb vetëm krahë pune; po humb besimin e brezit që duhet ta ndërtojë nesër. Besimi thyhet jo vetëm kur mungon buka në tryezë, por kur mungon siguria, respekti dhe drejtësia. Dhe kur një i ri sheh që edhe për një gabim të vogël mund të dhunohet nga një njeri me pushtet, kupton se ky nuk është vendi ku mund të ndërtojë të ardhmen.

Çfarë mund t’i themi Aronit, se ajo që ndodhi ishte një rastësi? Se dinjiteti i një të riu nuk vlen? Se autoriteti është mbi ligjin? Se forca është mbi drejtësinë? Sa prej tyre do ta lexojnë këtë lajm e do të thonë në heshtje: “Ky vend nuk është për ne”?

Një shuplakë që në dukje preku faqen e një djali 18-vjeçar, por në të vërtetë ra mbi fytyrën e një kombi që pretendon se mbron rininë e tij. Kur dora që duhet të garantojë sigurinë bëhet burim frike, çfarë mbetet për një të ri që punon për të ndërtuar të ardhmen e vet? Ndoshta vetëm një biletë njëdrejtimëshe jashtë këtij vendi – dhe ky është grushti më i fortë që Shqipëria po i jep vetes.

Sepse kur siguria është iluzion, valixhja bëhet më e lehtë se shpresa...

Të fundit