Flash News

KRYESORE

Kurti refuzon sërish Ramën/ Dërgon Bislimin në samitin e Tiranës, qeveria shqiptare ‘i mbyll derën’?

Kurti refuzon sërish Ramën/ Dërgon Bislimin në samitin e

Liderët e rajonit dhe komisioneri i BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e mirë, Oliver Varhelyi, pritet të mbërrijnë sot në Tiranë në kuadër të përgatitjeve që po bëhen për Samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.

Mirëpo, në këtë takim informal do të mungojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, marrëdhënia e të cilit me kryeministrin Edi Rama është ftohur prej disa muajsh.

Kreu i ekzekutivit kosovar, sipas një njoftimi nga zyra e tij, të hënën do të jetë në Greqi, ku do të marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI, i cili është themeluar nga ish-kryeministri helenik, George Papandreou.

Ky fakt është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu , teksa ka bërë të ditur se kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet më 16 tetor në Tiranë.

“Para një jave Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është ftuar nga Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama për një drekë joformale me Komisionerin Evropian Oliver Varhelyi në Tiranë e ku janë ftuar të marrin pjesë edhe kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë.

Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Në disa media pranë qeverisë raportohet se se në takimin e liderëve rajonit në Tiranë nga qeveria e Kosovës ishte konfirmuar ardhja e zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi. Por ky takim i Bislimit me krerët e rajonit nuk do të jetë i mundur për shkak të protokollit.

Zëvendëskryeministrit të Kosovës i është komunikuar nga organizatorët e takimit se niveli i tij është dytësor dhe jo i përshtatshëm dhe se dosja e takimit do t’i dërgohet me poste të sigurt qeverisë së Kosovës, përkatësisht zyrës së kryeministrit. Kjo gjithmonë nëse Albin Kurti nuk ndryshon mendje në minutë të fundit, dhe lë Greqinë për Tiranën.

Në takimin e së hënës mes udhëheqësve të rajonit, Serbia pritet të përfaqësohet nga kryeministrja Ana Bërnabiç.

Tensionet Rama-Kurti  

Një projektstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga Rama, si dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, që ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor, rriti tensionet mes Ramës dhe Kurtit, të cilët kanë preferuar të argumentojnë me njëri-tjetrin nga distanca, përmes deklaratave.

Mospajtimet mes dy udhëheqësve kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë. Rama u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Raportohet se në takimin joformal të së hënës në kryeqendrën e Shqipërisë, Kosova do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.


 

Të fundit