Flash News

KRYESORE

Nacionalizmi i vaksinës

Vaksinimi është bërë çështje prestigji në skenën ndërkombëtare, çështje sa mjekwsore aq edhe politike

Nacionalizmi i vaksinës
Ana Otashheviç/ Demostat 

Vaksnimi kundër Covid-19 është mbi të gjitha çështje mjekësore, ndërsa pasojat e pandemisë, të cilat janë sa mjekësore aq edhe ekonomike, kërkojnë që procedurat e zakonshme të përshpejtohen. Vaksina është prodhuar në një kohë rekord, gjë që është shenjë e përparimit të mjekësisë. Por vaksinimi është edhe çështje prestigji në skenën ndërkombëtare. Mënyra sesi sillen vendet e ndryshme ndaj vaksinimit, ka të bëjë me atë nëse janë më parësorë interesat shëndetësore apo ato politike.

Rusia dhe Kina që prej disa javësh po bëjnë vaksinimin, para se të përfundojnë testimet klinike. Britania e Madhe është vendi i parë perëndimor që ka filuar me vaksinimin, madje edhe para Shteteve të Bashkuara, ku gjendet edhe laboratori ku ato janë prodhuar, gjë që ka shhkaktuar nervozizëm në Uashington.

Vaksina ruse është 95 përqind efikase, vaksina amerikane po aq, deklarojnë prodhuesit

Në Perëndim kanë vënë në dyshim vaksinën ruse, ndërsa në anën tjetër të botës, atë e kanë kërkuar më shumë se pesëdhjetë shtete, ndër të cilët India, Brazili, Kina dhe Koreja e Jugut. Turqia ka deklaruar se nuk do ta blejë vaksinën ruse, sepse nuk përmbush kushtet e “praktikës së mirë laboratorike“, ndërsa, ndër vendet e Bashkimit Europian, vetëm Hungaria ka deklaruar synimin për ta blerë vaksinën ruse, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi te anëtarët e tjerë. Dozat e para mund të dorëzohen jashtë Rusisë që në muajin janar të vitit 2021.

Nga ana tjetër vaksina amerikane e kompanisë Pfizer që në fillim ka shfaqur efekte të padëshirueshme në formën e reaksioneve alergjike, gjë që ka shtuar akoma më shumë dyshimin nëse vaksinat duheshin vënë në përdorim para se të kryheshin të gjitha kontrollet e domosdoshme. Pfizer synon të fillojë me dorëzimin e miliona doza vaksinash që para mbylljes së këtij viti.

Vaksina ishte në prej temave të fushatës për  zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Donald Trampi shpresonte se gjetja e vaksinës do ta ndihmonte për të fituar zgjedhjet, dhe, kur vaksina nuk ishte gati atëherë kur i duhej, pohoi se bëhej fjalë për një komplot qëllimi i të cilit ishte të gërryhej kandidatura e tij.

Kryeministri britanik Boris Xhonson, i cili gjatë pandemisë ishte shpesh nën goditjet e kritikëve për shkak të mënyrës kaotike me të cilën e udhëhoqi pandeminë, deklaroi me krenari se Britania e Madhe udhëheq vaksinimin. Londra majde deklaroi se në sajë të Brexit-it është në gjendje të vaksionohet para Bashkimit Europian, gjë që nuk është e saktë. Britania e Madhe ndjek akoma rregullat e Bashkimit Europian, por shfrytëzoi mundësinë të kërkojë procedurë urgjente, e cila u mundëson shteteve që të sigurojnë vaksinat të cilat ende nuk janë miratuar në nivel Unioni, nëse këto i përdorin brenda kufijve të tyre. Po këtë gjë mund ta bëjë edhe Hungaria në rastin e vaksinës ruse. Vendet e tjera të Bashkimit Europian kanë vendosur të ndjekin procedurat standarde të testimit që vazhdojnë më gjatë, por kanë njëfarë sigurie shtesë në lidhje me efektet e vaksinës. Një numër i madh qytetarësh të Bashkimit Europian dyshon se vaksinat janë gati tashmë për t’u përdorur.

Për të gjithë shtetarët në këtë rast është në lojë një investim i madh, sepse çdo vendim për vaksinimin mund të kushtojë shtrenjtë nga pikëpamja politike. Nëse shfaqen një numër i madh efektesh të padëshirueshme, me siguri do të rritet numri i atyre që refuzojnë të vaksinohen. Ky dyshim  bëhet akoma më i madh nëse bëhet e qartë se në çfarë mase problemi i vaksinimit është problem i garës së matjes së forcave mes fuqive të mëdha, garë në të cilën udhëheqin Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse vala e parë e pandemisë u shenjua nga “diplomacia e maskave”, ku Pekini shfrytëzoi papërgatitjen e vendeve Perëndimore për pandeminë e përmasave globale, në mënyrë që të shpërndante rezervat e tij të maskave në vendet që konsideroheshin si mike, kjo dallga e fundit do të mund të quhet “diplomacia e vaksinës”. Pekini, që tani po u ofron vaksina vendeve që gjenden në “rrugën e re të mëndafshit”, të cilët nga ana e tyre i janë mirënjohëse për ndihmën. Po kështu vepron edhe Moska kur ofron vaksinën e saj.

Bashkimi Europian ndjek iniciativën e filluar që këtë pranverë sëbashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, e cila u mundëson akses për vaksina të gjithëve, dhe jo vetëm vendeve të pasura. Kinezët i janë bashkuar kësaj inciative, por jo Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trampi i qëndroi deri në fund besnik unilateralizimit të tij, duke nënshkruar dekretin presidencial i cili parashikonte që amerikanët të merrnin vaksinën të parët. Problem ishte se ai harroi të porosiste 100 milion vaksina një muaj më parë. 

Ky rivalitet i ndërsjelltë dhe ky garim në skenën ndërkombëtare flet për atë se madje edhe në kushtet një fatkeqësie kaq të madhe fuqitë e mëdha nuk janë në gjendje të bashkohen për të mirën e përgjithshme, por problemet e jetës apo vdekjes, siç është aksesi te ilaçet apo vaksinat, janë çështje përkatësie.

Pamje aspak e këndshme e një bote ku interesat vihen para solidaritetit.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

Të fundit