Flash News

KRYESORE

“Qeveria do t’i hedhë kundër, studentët të mos bien pre e lojrave”/ Zhapaj flet për Politiko mbi protestën

“Qeveria do t’i hedhë kundër, studentët të mos

Ky vit i ri akademik nisi ndryshe. Pedagogët kanë listuar një sërë kërkesash për qeverinë dhe janë shprehur se nuk tërhiqen pa plotësimin e tyre.

Kërkesat konsistojnë në rritje pagash dhe përmirësimin e kushteve në univeristete. Në një prononcim për Politiko, pedagogu Albano Zhapaj u shpreh se qeverisja aktuale ka bërë menaxhimin më të keq të univeristeteve edhe krahësuar me kohën e diktaturës.

Premtimin e kryeministrit Edi Rama se do të rrisë pagat me 7%, Zhapaj e konsideron fyerje për figurën e pedagogut. Gjithashtu theksoi se një pedagog i keqpaguar është zhvillim i munguar dhe prapambetje arsimore. Pedagogu dha edhe një mesazh për zërat kritikë ndaj kësaj kauze.

“Protesta e pedagogëve është më se e drejtë. Qeveria në 10 vjet i ka trajtuar ndoshta më keq se kushdo qeveri tjetër, qysh nga krijimi i Universitetit të Tiranës, si i pari universitet shqiptar, pra më keq edhe se diktatura komuniste.

Këto nuk janë rroga, janë lëmoshë, madje rritjen 7%,  personalisht e konsideroj fyerje për figurën e pedagogut, pasi puna e tyre nuk është thjesht ajo e orëve që numërohen në auditor, por është punë që e tejkalon ndjeshëm atë që bëhet në auditor. Është pregatitje qysh më herët, është kërkim i vazhduar dhe përditësim i njohurive që trasmetohen, është reflektim, pra nuk është thjesht një mësimdhënie e rëndomtë siç kërkon ta limitojë qeveria apo ato media që i bëjnë fresk asaj.

Një pedagog i keqpaguar është zhvillim i munguar, është prapambetje arsimore, e cila në një periudhë afatmesme dhe afatgjatë sjell tkurrjen e dijeve, të kulturës, të pedagogjisë tradicionale dhe asaj shkencore, për të mos thënë që shkon drejt cenimit të identitetit kombëtar.

Ata që këto ditë marrin guximin të dalin apo flasin kundër pedagogëve, dhe që punën e pedagogut e shikojnë thjesht si të një rrogëtari shteti, është mirë të heshtin, se nuk njohin as veten e jo më arsimin apo akademizmin”, tha Zhapaj.

I pyetur nëse rrezikohet që kjo protestë mund “të shuhet” apo do të marrë përmasa më të mëdha, tashmë që studentët po dalin në krah të pedagogëve, Zhapaj tha:

“Mendoj se pedagogët nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre dhe mbështetësit e saj do të shtohen. Natyrisht që qeveria do të bëjë ç’është e mundur t’i përçajë, t’i intimodojë, t’i ridikolizojë, t’i hedhë kundër studentëve, pra gjithçka di qeveria të bëjë në raste protestash.

Uroj që studentët të mos bien pre e lojrave të qeverisë për t'i vënë ata kundër pedagogëve, me skemën e përdorur edhe gjatë protestave të studentëve, e cila aso kohe funksioni dhe përçau studentët”.

Sipas pedagogut, ky është një rast i mirë edhe për studentët, që të kërkojnë të drejtat e tyre.

“Ky është një rast i mirë edhe për studentët për të përfituar të drejtat e tyre të munguara. Bashkimi i tyre me protestën e pedagogëve do të ishte një mundësi e mirë për t’i thënë qeverisë që universiteti nuk është pronë e saj, por është një e mirë e përbashkët, dhe ti kushtojë vëmendje e duhur, ose të largohet”, deklaroi Zhapaj./J.S

 

Të fundit