Flash News

KRYESORE

Rama predikon moral në Britani, e sheh ‘zgjidhje’ boshatisjen e Shqipërisë

Rama predikon moral në Britani, e sheh ‘zgjidhje’ boshatisjen e

Në studiot e BBC-së, Kryeministri Edi Rama u shfaq sërish si profesori i vetëshpallur i politikës evropiane, duke shpërndarë “mësime” mbi migracionin, ndërsa vendi i tij vijon të përballet me valë ikjesh të reja.

Në një intervistë që nisi me pyetjen e drejtë për marrëveshjen me Britaninë e Madhe dhe rënien me 95% të shqiptarëve që mbërrijnë me gomone, Rama u përpoq ta shiste këtë si “histori suksesi”, ndërsa mohoi kategorikisht idenë e ngritjes së qendrave të kthimit në territorin shqiptar.

“Shqipëria nuk do të ketë kurrë qendra kthimi,” tha me ton të prerë Kryeministri, duke harruar se vetëm pak muaj më parë kishte firmosur një marrëveshje të ngjashme me Italinë – e cila u bllokua nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë.

Në sytë e opinionit ndërkombëtar, Rama përpiqet të duket si “zëri i arsyes”, ndërsa në praktikë, i njëjti njeri që sot predikon se migracioni është pjesë e zgjidhjes, ka dënuar për vite të tëra shqiptarët që kërkonin azil si gënjeshtarë apo të keqpërdorues të mikpritjes.

Në përpjekje për të shpjeguar “suksesin” e marrëveshjes me Britaninë, Rama u kthye tek formulat e tij të zakonshme — plot metafora dhe vetëvlerësime.

“Ne ishim të ngadaltë, ata (trafikantët) ishin më të shpejtë. Duhej të ishim po aq të shpejtë, po aq të bashkuar, po aq interaktivë sa ata,” – deklaroi ai, duke shtuar se “krijuam një ekip të përbashkët mes Britanisë dhe Shqipërisë, ku informacioni qarkullonte në kohë reale.”

Rama sqaroi gjithashtu marrëveshjen e diskutueshme me Italinë, duke e quajtur “të veçantë” për shkak të marrëdhënieve historike me Romën.

“Ne i ofruam Italisë një copë toke që ajo ta menaxhojë vetë. Ajo tokë është juridiksion italian,” – tha ai, me një lehtësi që të kujtonte më shumë një dhuratë personale sesa një marrëveshje shtetërore.

Në thelb, Shqipëria u kthye në terren pritjeje për azilkërkuesit e Italisë – një “shërbim miqësor” që për vendet e tjera Rama e quan “të papranueshëm”.

Kështu, për Romën – po, për Londrën – jo.

Në një nga momentet e intervistës, Kryeministri lëshoi një nga ato pyetje që e kanë bërë të famshëm në samitet ndërkombëtare: “A është imigracioni problem apo pjesë e zgjidhjes? Unë besoj se është pjesë e zgjidhjes.”

I pyetur për këshillën që do t’i jepte qeverisë britanike, Rama zgjodhi ta mbyllte me modesti. “Jam më i gjati mes liderëve të kësaj pjese të botës, por udhëheq një vend të vogël… dhe jam shumë i lumtur që jam Kryeministri i Shqipërisë, duke parë si po shkojnë gjërat në Britani”, tha Rama.

Të fundit