Flash News

KRYESORE

24 orë në Tiranë dhe tre mesazhet e forta të Vjosa Osmanit për politikën shqiptare

24 orë në Tiranë dhe tre mesazhet e forta të Vjosa Osmanit
Vjosa Osmani, presidente e Kosoves ne detyre gjate vizites zyrtare ne Tirane

Pasditen e së mërkurës, Vjosa Osmani nisi vizitën zyrtare në Tiranë, nën cilësinë e presidentes së Kosovës në detyrë.

Vizita tre-ditore, nisi me një takim homologësh. Fillimisht një vizitë në presidencë dhe më pas në një konferencë të përbashkët me kreun e shtetit, Ilir Meta.

Gjatë daljes para mediave, Osmani vuri theksin në disa pika diskutimi si miratimi i rezolutës për të dënuar gjenocidin serb, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe në luftën ndaj pandemisë etj.

Por, që prej takimit me Metën dhe fjalimit në Kuvendin e Shqipërisë, Osmani dha mesazhe të forta për politikën shqiptare.

Fillimisht, gjatë konferencës së përbashkët me homologun shqiptar u pyet nëse kishte të njëjtin qëndrim për Mini –Shengenin Ballkanik, e cila e ka cilësuar një fatkeqësi dhe që nuk i shërben as Kosovës, e as Shqipërisë, por favorizon më shumë Serbinë.

Kam ende të njëjtin qëndrim që kam patur një vit më parë, të njëjtin ja kam përcjellë kryeministrit Rama gjatë vizitës së tij në Kosovë, në nëntor dhe do ta përsëris edhe nesër.

Ka shumë argumente në bazë të cilës e kemi ndërtuar atë qëndrim dhe shpresa ka qenë që do kemi mundësinë ta bindim zotin Rama se ky nuk është një projekt që e favorizon Kosovës e Shqipërinë. Po si duket ai bindi kryeministrin Hoti i cili e nënshkroi marrëveshjen e Washingtonit, ku ndër të tjera i referohet edhe kësaj pike.

Ajo që do kërkoj si presidente është ta kemi dokumentin, sepse akoma vetëm flasim dhe nuk e kemi çfarë është ky mini shengen, çfarë përmban.

Nga fillimi ishte gabim sepse parimi bazë ku iniciativat rajonale kanë sukses është parimi i gjithëpërfshirës, 6 shtete e Ballkanit Perëndimor", tha Osmani.

Po ashtu, gjatë fjalës së saj në Parlament, ku ra në sy mungesa e kryeministrit Edi Rama dhe disa prej ministrave, Osmani u ndal në pika të tjera të forta, si mesazhe për politikën në Shqipëri.

Së dyti, Vjosa Osmani tha se tarifa e vendosur në rrugën e Kombit është një barrierë në rrugën e integrimit të dy vendeve.

Nuk ka nevojë për tra të vendosur nga Shqipëria. Në kohën e integrimit evropian vendosja e çfarëdo barriere komunikimi mes dy vendeve tona është kundër frymës së lëvizjes së lirë dhe forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore e ndërshqiptare. Na lini të vijmë siç deshën të parën tanë, ashtu siç duam ne dhe siç do duan dhe fëmijët tanë”.

Së treti, kryeparlamentarja dhe presidentja në detyrë e Kosovës i kërkoi parlamentit shqiptar të bashkojnë forcat dhe të miratojnë se bashku dhe rezolutën kundër genocidit serb.

Thirrje Kuvendit që t’i bashkohet Kuvendit të Kosovës. Ne duhet t’i bashkojmë përpjekjet tona për viktimat që i shkaktoi Serbia. Drejtësi për fëmijët e vrarë, për motrat e nënat e dhunuara, drejtësi!

Kosovës nuk mund t’i kërkojë që të japë më shumë. Kosova ka dhënë më shumë se askush, ka dhënë mbi 1 mijë fëmijë.

Kemi detyrë kombëtare, por mbi të gjitha detyrë morale, që meqë punojmë për një hapje të kapitullit të ri, ta lexojmë dhe ta mësojmë kapitullin që qëndron para nesh, që t’i qëndrojmë pranë njëra-tjetrës, si dy motra. Ky kapitull na mësoi se Serbia nuk ka ndryshuar dhe duhet të jemi bashkë për të ndalur frymën e urrejtjes”, tha Osmani.

Të fundit