Flash News

KRYESORE

Kryetari i PD: Ju tregoj arsyet se përse ndihem i trishtuar

Kryetari i PD: Ju tregoj arsyet se përse ndihem i trishtuar

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka treguar arsyet se përse ai ndihet i trishtuar pas përgjimeve të publikuara nga gazeta gjermane “BILD”.

Ai shton se duhet të përjetonte një ndjesi shpagimi për luftën 6 vjeçare, por përkundrazi, ndihet keq.

“Unë dhe të gjithë demokratët, duhet të ndiheshim të shpaguar për shpërfilljen, përçmimin, sharjet, sulmet, dhe dhunën e padrejtë që është derdhur mbi ne nga të gjitha anët, që nga nga qeveritarët e korruptuar tek interesaxhinjtë, servilët dhe mercenarët e tyre por edhe nga naivët, edhe të pafajshmit dhe të paanshmit që nuk shikonin dot atë që shikonim ne.

Por unë sot ndjehem keq dhe i trishtuar. Ndihem keq për gjendjen ku kemi përfunduar si shoqëri, si popull. Jam i trishtuar, sepse sot një votë kushton 4 mijë lekë në pazarin e mosbesimit dhe tradhtisë që politika i ka bërë interesave të njerëzve të thjeshtë.

Ky është dënimi më i rëndë që mund t’i bëhet politikës, sepse një politikë që ka humbur besimin e njerëzve ka humbur çdo gjë.

Ky është dënimi më i madh që mund t’i bëhet një shoqërie, sepse kur politika nuk është më mjet në duart e njerëzve do të thotë se në atë shoqëri nuk ka më liri dhe demokraci.

Së dyti, jam i trishtuar nga niveli ku ka përfunduar shteti i shqiptarëve:

Sot shteti është një lukuni banditësh qëllimi i vetëm i të cilëve është plaçkitja dhe dhunimi i njerëzve, për t’u mburrur dhe gëzuar pastaj në gostitë e financuara me plaçkën e vjedhur.

Në këtë shtet edhe nëse ka njerëz të ndershëm - ata dhunohen, çnderohen dhe vihen përditë para zgjedhjes fatale, ose të bëhen hajdutë për partinë ose të flaken në rrugë.”, tha Basha në konferencë për mediet.

Të fundit