Flash News

KRYESORE

Kryetarja e KLGJ-së bashkëpunëtore e Ajola Xoxës dhe Klotilda Ferhatit

Naureda Llagami është zgjedhur në krye të Këshillit të Lartë Gjyqësor, një institucion i ri i krijuar në kuadër të reformës në drejtësi dhe që do të bëjë përzgjedhjen e gjyqtarëve.

Informacionet për Llagamin janë shumë të pakta dhe për të dihet se është propozuar si anëtare e KLGJ-së nga shoqëria civile. Ndërkohë, është raportuar gjithashtu se Llagami ka shërbyer më parë pranë Ministrisë së Drejtësisë, pranë Gjykatës së Lartë dhe si dhe pedagoge në disa universitete.

‘Respublica’ shkruan se Llagami ka ushtruar edhe aktivitet tregtar në fushën e konsulencës juridike. Aktiviteti i saj ka nisur në vitin 2016 kur edhe është bërë regjistrimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Historiku i ndryshimeve të statusit të saj tregtar përfundon në shtator të këtij vit, kur zonja në fjalë ka bërë çregjistrimin, pak muaj përpara se të merrte detyrën e rëndësishme në krye të KLGJ-së.

Në nëntor të vitit 2016, Llagami ka aplikuar për heqjen e emrit tregtar “The Partners” nga shoqëria e saj (person fizik). Ndërkohë që emri “The Partners” është përdorur dhe në një firmë këshillimi ligjor e cila drejtohet në ortakëri nga Ajola Xoxe, bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Ka edhe një tjetër hollësi që shpjegon disa lidhje të zonjës Llagami. Në firmën “The Partners” ka qenë pjesë edhe deputetja Klotilda Ferhati. Në një e-mail të vitit 2015, zonja Ferhati(Bushka) informohet nga Ministria e Financave për një takim zyrtar në emër të firmës “The Partners”. Sipas dokumentacionit shkresor që disponon ResPublica, zonja Bushka po negocionte në emër të firmës në fjalë për interesat e një kompanie që ushtron aktivitet në sektorin financiar e që ka patur probleme serioze në treg.

Të fundit