Flash News

OP-ED

Kthesat e papritura të lëvizjes studentore

Kthesat e papritura të lëvizjes studentore

Agred Tafaj

Në momentin e parë, që ne filluam këtë lëvizje, ishte pikërisht instikti për të arritur atë çfarë në breza na ishte mohuar, respekti për dinjitetin njerëzor. Megjithatë nuk e dinim se si do ta kurorëzonim atë që ndjenim. Rregullat fillestare bazë për të cilat dakordësuam pa debat ishin “Jo politikë, jo negociata, jo përfaqësi”.

Kjo marrëveshje, pa debat, na solli deri në fund të dhjetorit, para daljes së Paktit qeveritar për Universitetin. Por ngjarjet rrodhën ndryshe nga çfarë prisnim. Grupi i studentëve virtualë, nuk llogariti pasojat e kurthit të Paktit për Universitetin. Një masë studentësh dhe prindërit e tyre, përballë frikës së përballimit me presionin qeveritar, u mjaftuan me disa kothere buke të thatë që lëshoi pakti. Pjesa tjetër e studentëve të velur nga politika, alergjia per krahët e saj (mazhorancë/ opozitë), por njëkohësisht të ndodhur nën presionin e pasojave të pushtetit, zgjodhën pozicionin e pritjes se çfarë do të ndodhë. Ndërkohë që grupi i studentëve pararojë të vendosur në kauzën e tyre, u ngujuan në fakultete.

Megjithëse e vonuar, Asambleja e pedagogëve të Universitetit të Tiranës, ka sjellë një kthesë të papritur në lëvizjen tonë studentore. Tashmë ne, studentët, gjatë këtyre thuajse dy muajve, kemi pësuar një metamorfozë që jashtë këtyre ngjarjeve do të na duheshin vite. Tashmë kuptojmë se mbështetja e pedagogëve është thelbësore, jo vetëm në identifikimin e problemeve reale të arsimit të lartë, por dhe të vetë shoqërisë dhe politikbërjes në Shqipëri. Rrëzimi i ligjit të Arsimit të Lartë, është një leksion demokracie për vendimmarrjen e vetë qytetarëve për liri dhe të drejtat e tyre. Imagjinoni kur kjo e drejtë u mohohet akademikëve, profesorëve, që nuk janë vetëm mentorët tanë, por dhe të gjithë shoqërisë, çfarë duhet të mendojmë ne për të drejtat e bujqve, punëtorëve, të gjithë llojeve të protestuesve përfshirë dhe ata të Unazës së re?

Imagjinoni kur e drejta për të vendosur  për veten i mohohet studentit, që ka të gjitha potencialet dhe energjitë për të reaguar në mënyrë të papërmbajtshme, çfarë mund të ndodhë me shtresat e tjera të shoqërisë?

E gjithë kjo revoltë për cënimin e dinjitetit iu adresohet forcave politike që kanë patur pushtetin si mjet sundimi. Megjithatë, alergjia për klasën politike, edhe pse adresimin e ka te këto dy forca, është tej kufijve të saj realë, duke përfshirë edhe forca politike apo individë të shquar që nuk kanë patur kurrë pushtet.Tashmë ne studentët, me kthesën që po merr lëvizja jonë, jemi shpresplotë që do të vendosim në lëvizje gjithë shoqërinë, duke vënë nën presion forcat pushtetmbajtëse, mazhorancë-opozitë, që të heqin dorë nga sundimi mbi individin, t'i japin mundësinë atij të zgjedhë e zgjidhet lirisht, që të nënshkruajë kontrata elektorale të ndershme, të mos bëjnë sikur luftojnë kundër njëri-tjetrit, dhe në fund të mos bëjnë rotacione politike me kompromise që mbajnë erë.

Prandaj ne, studentët e ngujuar po ndërgjegjësohemi dita-ditës se jemi vetëm në hapat e para të lëvizjes tonë studentore, e cila ka marrë bekimin, nga pjesëmarrja e dhjetra e mijëra studentëve në disa javë. Në ditët e para të dhjetorit, ishim shumë larg me atë që mendojmë sot, por jemi të bindur se ende jemi larg asaj që do të duhet të arrijmë. Profesorët tanë, do dijnë të na korrigjojnë në detyrat tona të shtëpisë. Prandaj kemi besim të patundur në cilësinë e mendimit intelektual, në ndershmërinë dhe përgjegjshmërinë e tyre për interesa kombëtare, dhe në guximin e tyre për t'u përballuar me agresionin e pushtetit.

Jo vetëm profesorët, por edhe ne jemi të qartë, se politika është e armatosur me armë speciale për të eliminuar çdokënd që përbën rrezik për të nëpërmjet makinerisë së baltës që është përpjekur të bëjë pis çdo pedagog. Historia na ka mësuar se çdo kombi, kur i është dashur të tregojë veten, të bëjë kapërcime të rëndësishme në momente të vështira me veprime të sforcuara, nuk i kanë munguar vajzat dhe djemtë kurajozë, dhe as gratë e burrat e urtë e të mençur, të gatshëm për sakrifica. Prandaj ne, studentët e ngujuar dhe pedagogët e Universitetit të Tiranës, do të jemi në pararojë të ndryshimeve që koha i kërkon shoqërisë shqiptare.

Të fundit