Kthyen shtëpinë në hotel, 26-vjeçari kthehet nga Anglia dhe vret dy prindërit në Peshkopi

Ditën e sotme në qytetin e Peshkopisë, në lagjen e “Lixhave”, u regjistrua një krim i rëndë familjar, ku 26-vjeçari Qemal Sela vrau me armë zjarri nënën dhe babanë e tij pas një sherri për shtëpinë.

Mësohet se autori i krimit ishte kthyer mbrëmjen e djeshme nga Anglia, ku jetonte prej 7 vitesh dhe kishte debatuar me prindërit e tij, shtetasit Flamur dhe Zeqimete Sela, pasi këta të fundit e kishin përdorur shtëpinë si hotel pranë llixhave, që ata dispononin.

Debati i mbrëmjes së djeshme duket se ka vazhduar edhe këtë mëngjes, ku në rrethana ende të paqarta, 26-vjeçari ka marrë një automatik, ndërkohë që nuk dihet se si e ka siguruar, dhe ka qëlluar drejt nënës dhe babait të tij, Flamur dhe Zeqimete Sela, 55 dhe 50 vjeç, duke zbrazur një karikator.

Nuk dihet ende nëse autori dhe viktimat kanë qenë të vetëm në kohë kur ka ndodhur krimi, në shtëpinë e familjes Sela, ndërkohë që kanë qenë fqinjët ata që kanë njoftuar të tmerruar policinë.

Fill pas ngjarjes, autori  i krimit është arrestuar nga policia.