Flash News

KRYESORE

"Kujdes ke ura t'keqen baba..."

"Kujdes ke ura t'keqen baba..."

Monsignor Gjergj Meta

Për çdo vit, 1 shtatori, sapo hap sytë, më mbart si pavetëdije në vitet e fëmijërisë dhe të adoleshencës.

Sot, qysh në mëngjes herët, në shoqërinë e reve dhe të pikave të shiut, e gjeta veten në ditët e shkollës së mesme.

Mëngjesi ishte një ritual pothuaj i përditshëm. Leda ishte komshija ime, me të cilën jam rritur nga mosha 0-18 vjeç. Kemi lindur me 6 ditë diferencë me njëri tjetrin, në muajin prill. Na ndante vetëm një gardh.

Çdo mëngjes, kur ishim në shkollë të mesme, ajo vinte te dera e oborrit dhe priste që të dilja unë. Shkollën e kishim rreth 4 apo 5 km. E bënim në këmbë. Po të vonohesha pak ajo nuk priste më, por hynte te oborri dhe vinte drejt e te dhoma ime dhe bërtiste: "O Gjergj, po çohu o burrë i dheut se u bëmë vonë!" Atëherë unë ngrihesha pothuaj me vrap, vishesha, laja sytë shpejt e shpejt, pak ujë flokëve, këpucët dhe dilja në oborr. Ajo nga koka te këmbët më shikonte dhe thonte: "O Gjergj, po rregulloje kmishën se të ka dalë pak. Hajde, këtu hajde, se ta rregulloj unë." Dhe ashtu bënte. Kujdesej për mua.

Ndërkohë nga një dhomë tjetër vinte zëri i gjyshit, Gjergj edhe ai e kishte emrin, dhe ne e thërrisnim "babë": "Gjergj t'keqen baba, kujdes te ura". Ishte ura e Erzenit, nga ato me hekur, kavo dhe dërrasa. Në fakt aty kalonin dy fshatra: Juba dhe Rrushkulli.

"Po babë po, mos ki merak. - ia ktheja unë duke dalë – Hajt, mirë të gjetsha se ika n'shkollë!"

"Mirardhsh, djali babës. Ene mso e!" - përgjigjej gjyshi. Ende zëri i tij më kumbon në veshë: "Kujdes ke ura, t'keqen baba".

Por para se të shkonim tek ura mua dhe Ledën na priste Rozeta, shoqja jonë, me të cilën kishim kaluar gjithë tetëvjeçaren dhe tani po bënim edhe shkollën e mesme. E të tre bashkë niseshim dejt Urës së Jubës, që ata të Jubës e quanin Ura e Rrushkullit.

Rrugës flisnim për detyrat, mësimet dhe, sigurisht, edhe ndonjë thashethem adoleshentësh. Kur nuk i kishim bërë detyrat, shpesh ndaleshim rrugës e i bënim shpejt e shpejt duke mbajtur fletoren mbi gjunj. Kalonim Jubën e i ngjiteshim kodrës me vreshtë e dardha të Katundit të Ri. I njihnim të gjithë e i përshëndesnim. Ne të tre ishim bërë të njohur në atë zonë. Dimrit, kur binte shi, merrja çizmet me vete dhe te një shtëpi afër shkollës kisha lënë këpucët. Aty i ndërroja që të shkoja në shkollë me këpucë. Kur

ktheheshim bëja të kundërtën: lija këpucët e merrja çizmet.

Të qeshurat tona (nganjëherë edhe zënkat) ishin të përditshme si ajo herë kur mblodhëm lekët që kishim me vete dhe blemë një çokollatë. Nxorrëm vizoren nga çanta dhe e ndamë në tri pjesë të barabarta.

Sot Leda dhe Rozeta janë nga ato Zonjat me Z të madhe dhe nëna të mrekullueshme. Çdo herë që dëgjohemi, apo kemi mundësi të takohemi, ato ditë të shkollës janë në çdo bisedë tonën dhe mua ende më tingëllon zëri i ëmbël i babgjyshit: "Gjergj, kujdes ke ura t'keqen baba".

 

Të fundit