Flash News

KRYESORE

Kumbaro dhe Çuçi fushatë nën efektin e tymit kancerogjen

Socialistët e Përmetit festuan dje 28 vjetorin e themelimit të partisë. Në eventin e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm edhe ministri Bledi Çuçi e deputetja Mirela Kumbaro. Por teksa zhvillohej aktiviteti festiv në një restorant në periferi të Përmetit, ndodhi diçka e pazakontë.

Në një fushë tej restorantit nisën të digjen pirgjet me plehra. Shtullungat e tymit kancerogjen po përhapeshin me shpejtësi sipër qytetit. Kjo nuk kaloi pa vëmendjen e folësve në event. Mirela Kumbaro fajësoi kryebashkiakun që përfaqëson Partinë Demokratike, Niko Shupuli.

“Përmeti që ne duam nuk ka si të jetë Përmeti ku kryetari i bashkisë djeg plehrat. Pikërisht sot. Dhe e bënë tymin e zi, ashtu siç janë ata vetë. Ndërkohë në Përmet sot ka plot turistë. Por cili është ai kryetar bashkie që pengon turistët të sjellin të ardhura, që shpenzojnë para në Përmet. Si mund të jetë i tillë një kryetar bashkie? Megjithatë neve nuk na bën gjë tymi, as tymi i plehrave as tymi i molotovit. Ne do t’i japim Përmetit një kryebashkiake tjetër në 30 qershor”, deklaroi Mirela Kumbaro.

Ministri Bledi Çuçi u shpreh se do të ketë ndëshkim me burg sipas Kodit Penal për këdo që cënon procesin zgjedhor. “Nëse do tentojnë të minojnë procesin zgjedhor me çfarëdo lloj mënyre, me kërkesa, me tym pa tym, i pret vetëm burgu, vetëm ndëshkimi penal sipas ligjeve në Shqipëri. Në këto ditë që na kanë mbetur të gjithë duhet të flasin me njerëzit e tyre për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve dhe të mos mashtrohen nga propaganda e opozitës që thotë se nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor”, theksoi Çuçi.

Të fundit