Flash News

OP-ED

Kundër-kronikë kongresiste

Kundër-kronikë kongresiste

Zef Zefi

1. Në Kosovë çarmatoset Isë Boletini

Neokryeministri i Kosovës "liroi bulonat" e ligjit doganor në fuqi. Kaq shënohet. Në rrethim a me joshje, këtë s'e ka verifikuar askush deri më tani. Fill mbas ketij "operacioni" në oborrin militar serb, u shkarkua ngarkesa e dytë të armatimit rus artilerik e raketor PVO 96K6 Pancir, me tyta drejtuar Kosovës.

Një situatë surreale kjo për gjithë-kombin shqiptar, kur Prishtinën zyrtare, ambasadorizmi e detyron të lirojë të gjitha kushtet ndaj Serbisë për marrëveshje. Marrëveshje kjo vetem për të biseduar. Pavarësisht për çfarë e me çfarë. Sidoqoftë marrëveshje për bisedime këto midis Serbisë së armatosur deri në dhëmbë me armatime ruse dhe Prishtinës jo veç pa armë, po dhe e çarmatosur nga efiçenca ligjeve të veta shtetërore.

Se çfarë bisedimesh mund të bëhen midis një të armatosuri dhe një të pa armatosuri, veç të mavijosurit dhe ndonjë "palë e tretë" ndërbisedimore, e di çdo shqiptar.

2. Në Tiranë kongresohet Haxhi Qamili

Mu në zemër të vendit, në Tiranën e Veliajt mes këllirës për mungesën e ujit të premtuar prej shtatë vjetësh, "smogut" e trafikut të ububushëm, ku vdes n'ajër edhe koronavirusi, gjen një grumbull kongresistësh.

Kongresi si kongreset e kah'motshme, për sigurimin e bukës në vend. Aty sfilohen firmato kostumesh, parfumesh, fjalimesh dhe banalitet i improvizuar arritjesh, mbuluar me ovacione duartrokitjesh. Mu në bërthamën e duartrokitjeve, do gjesh Ruçin komunist që mban vesh fjalimin e "yllit" neoliberist.

"Ylli" neo-dylberist (kështu u vjen ta shqiptojnë shumica e shqiptarve me i cik aludim...) dhe pak i mjekëruar, njëkohësisht mik e vëllam për kokë i serbit të armatosur nga Putini për "bisedime", me Kosovën, ka hipur mbi librushkën e Ligjit Themeltar të Shtetit të shqiptarve dhe valëvit oratori, për drejtësi, gjithnjë sipas tij.

E ndërsa të gjithë presin ta tundë Kongresin e vatanin me "zemërim shqiptari e xixa stralli" sipas traditës së synop-thikave, hiç.

Asnjë kundër-mesazh për burazerin Vuçiq, që u betua sa u kthye nga Amerika se "...asgjë nuk do ta ndalë Serbinë në zhbërjen e njohjeve të Kosovës..."

Asnjë çerek fjale as për pajisjet artilerike të Putinit për të "biseduar" me shqiptarët. Në vend të kësaj retorike ekzaltuese, nxori nga këllëfi, batutën e vet erotiko-përvuajtëse. "...jam ngritur shumë lart, ndjehem shumë vetëm, po më rrotullohet kafka, dhe era është bërë e pamëshirshme, -tha. - Dhe ajo që ju nuk e dini dhe nuk e shihni, është se vuajtja dhe sfida ime rifillon kur vete në darkë në Surrel... kur më shtrëngon me opozitë Linda.

Zhdramatizimi ndodhi. Të gjitha gratë socialiste shpërthyen si në ekstazën e eros-liberalizmit me duartrokitje. Edhe oratori sajoi një të qeshur zmorfiake nga ato prej të modhi.

3. Turku  me nerva kopjon diplomacinë tonë historike. Në panik Putini

Këshilltari i Erdogan, vëllamit tjetër të "kongresistit" të Tiranës, Mesut Hakkı Çaşın hodhi një notë nga zogthi i zemëruar i cicërimave.

"Nota" i drejtohej Putinit që sipas tij i shkaktoi turkut 33 ushtarë turq të vrarë që kerkonin marrjen e Sirisë. Nota evokonte trimërinë e zaptijeve turke, duke thëne se Turqia do ta shkatërrojë Rusinë nga brenda, falë 16 milion turqve brenda perandorisë së Putinit.

Këtu kundër-kronika nuk gjeti ndonjë fabul përjashtuar një plagjim nga retorika e stalinistit paraardhës të ti-Ramit tonë, kur ky i kujtonte se; "...Titua të rrinte mirë e urtë, mbasi ata kosovarë që ia çarmatosa me Mugoshën e Ramizin, i armatos, sapo ta luaj bishtin, dhe ia prish Jugosllavinë e tij. "...sepse po u zemru shqiptari merr flakë stralli..."

Pritet që ndonjë notë proteste post-kongres, për plagjiaturë diplomatike të shfaqet në cicrimat e kongresistit. Po kundër-kronika nuk jep shpresa. Kjo mbasi neotirani është akoma impenjuar në konstituimin e Jugosllavisë e çarmatosjen e Kosovarëve. Faza e kanosjeve pret të paktën një gjysëm qindvjeçari të mbërrijë.

Të fundit