Fitim Zekthi
Në momentin e parë kur kryetari i opozitës, Lulzim Basha, foli për vetting të politikanëve kryeministri, Edi Rama, reagoi menjëherë duke thënë se ishte dakord, madje propozoi që vettingu “të niste nga ai i pari”. Duke qenë i përkufizuar krejtësisht si politikan që për substancën bazë të tij ka propagandën, Rama vrapoi të dalë pro verifikimit të lidhjeve me njerëz nga bota e trafiqeve dhe e krimit dhe pro verifikimit të pasurisë së politikanëve. Rama nuk mendoi se kjo çështje do të ecte për t’u bërë projektligj, dhe për të qenë një propozim politik i rëndësishëm i PD-së. Në momnetin që ajo që tha Basha u dërgua në Kuvend dhe në momentin që Ramës dhe PS-së i ra barra të përgjigjet seriozisht, se si do të sillet me këtë propozim ata e kundërshtuan atë. Kryetari i grupit të deputetëve të PS-së, Balla, tha se nisma e Bashës është kundër reformës në drejtësi, pengon atë dhe përdoret nga PD për propagandë.
Nga pikëpmja kohore distanca mes dy qëndrimeve të PS-së është dy ditë. Në këtë dy ditësh diferencë nga qëndrimi i Ramës tek ai i Ballës, mediat e kreyministrit nisën sulmet mbi propozimin duke e quajtur jo realist, propagandistik, që bëhet nga një parti e korruptuar. Sulmet shkuan te familjarët e Bashës dhe te familjarë të tjerë të PD-së. Pra, qëndrimi që do të mbante tashmë Balla u përgatit dhe u bë i ditur.
Në këtë mënyrë ka reaguar kryeministri Rama dhe PS edhe në rastin kur doli përgjimi në Itali për ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Rama tha se ai ishte “dru i shtrembër” dhe se qeveria nuk do të mbronte askënd nga hetimet. Të nesërmen nisi të flitet në shtyp për luftë personale ndaj Tahirit nga njerëz që nuk e duan e rendin, nisi të flitet për mungesë provash. Kur u desh të merrej një vendim nëse do të lejohej Prokuroria të arrestonte Tahirin, deputetët e PS-së thanë se Prokuroria nuk paraqiti prova të mjaftueshme. Pra, në fillim Rama nuk mendoi se do të kërcënohej nga ‘çështja Tahiri’, dhe duke qenë një njeri i përkufizuar nga propaganda dhe fasada, doli në anën e hetimeve dhe më pas u tërhoq nga ky pozicion. E njëjta gjë edhe me çështjen e vëllait të ministrit Fatmir Xhafa. Nga jashtë vendit Rama dha sinjale në shtyp me njerëzit dhe mediat e tij se Xhafa do të largohej dhe se PS nuk do të pengonte asnjë hetim. Më pas Rama doli dhe foli për puç, tha se kishte punësuar gjatë natës një kompani ndërkombëtare ekspertësh që i tregoi se kishte manipulime në përgjim etj. Pra, Rama u kthye në mbrojtës të zjarrtë të Xhafës. Me siguri që ai dhe qeveria do të ishin të rrezikuar nga dorëzimi i Xhafës.
Mënyra se si Rama, mediat dhe njerëzit e tij në media shkruajnë dhe flasin për këto çështje është aq radikale, aq brutale, masive dhe e palogjikshme sa bëjnë të duken të palogjikshme dhe të zbehta qëndrimet e atyre që janë në anën tjetër. Ata flasin për luftë pa pajtim me krimin, flasin për krim që kërkon t’i pengojë, flasin për politikanë të korruptuar që pengojnë Shqipërinë, flasin për përpjekje të pandalshme për të ndërtuar Shqipërinë e re, “atë që duam”, flasin për të pamoralshëm dhe hajdutë, për maskarenj, për njerëz të pakulturë që nuk duan të mirën dhe punë dhe vetëm shajnë. Kjo gjuhë dhe kjo sjellje krijon një atmosferë sa duket sikur të thuash se Tahiri duhet të hetohet në burg, se Rama po mbron me fuqinë e parlamentit kundër ligjit Tahirin, është kriminale dhe të kritikosh qeverinë duhet të jesh një mjeran dashakeq. Gjuha dhe sjellja e tyre është e tillë sa të thuash se Xhafa nuk mund të rrijë ministër i Brendshëm, në një kohë që vëllai është i dënuar për trafik kokaine dhe sapo shkoi në burg, duket sikur nuk e do këtë vend dhe njerëzit që po drobiten në luftë për të mirën.
Një shkallë e tillë propagande, një pushtet i tillë mbi gjuhën dhe mesazhet që dominojnë jetën publike, ka fuqinë jo vetëm të ngjyrosë gjithë atmsferën e debatit politik dhe të bëjë të duket i dobët çdo argument kundër qeverisë, por ekspozon ndaj sulmeve çdo argument që kundërshton qeverinë. Kësisoj edhe propozimi për vetting të politikanëve po përballet me përpjekjen që të hyjë në këtë atmosferë. Pra, të shihet si i parealizueshëm, pa kuptim dhe i bërë nga një parti e korruptuar për qëllime propagandistike.
Sulmet personale ndaj dikujt që hedh ide, bën një propozim apo mbron një qëndrim në mënyrë që të bëhet i pavlefshëm qëndrimi apo propozimi, janë primitive dhe janë gabime logjike dhe tregojnë pafuqi për të përballur qëndrimin apo propozimin. Ky duket se është rasti i PS-së sot. C. S. Lewis, një filozof britanik, e quan një mënyrë të tillë të arsyetuari si bulverizëm. Në një ese të famshme të tijën, Ezekiel Bulver një fëmijë 5 vjeçar dëgjoi nënën t’i përgjigjet babait, kur ky i tha se dy brinjë të një trekëndëshi bëjnë më shumë se sa e treta, se ti flet kështu nga që je burrë. Pra, nëna nuk mori fare në analizë nëse dy brinjët janë më shumë se brinja e tretë apo jo. Ky njihet sot në logjikë si Bulverizëm. Kundërshtimi i PS-së ndaj propozimit të Bashës është padyshim bulverizëm.
Sa i takon argumentit tjetër, nëse është apo jo i realizueshëm, duhet thënë se vullneti është përcaktues në gjëra të tilla. Në qoftë se njerëzit duan ta bëjnë një gjë, kanë kontroll mbi mekanizmat që e mundësojnë dhe kjo gjë është e drejtë, atëherë moskryerja e saj është vetëm për shkak mosdëshire. Është e qartë se PS dhe parlamenti kanë kontroll mbi mekanizmat, pra mbi procedurat që ndiqen dhe miratimin e ligjit apo ndryshimeve kushtetuese. Vettingu i politikanëve, pra largimi i atyre që kanë lidhje me trafikantët, kanë dhënë dhe marrë favore nga ta, kanë probleme me pasurinë dhe nuk e justifikojnë dot është, sigurisht, një gjë e mirë. Saktësisht ato kritere për të cilat merren nën hetim nga komisionet e vettingut gjyqtarët dhe prokurorët mund të përdoren edhe për deputetët, ministrat dhe kryetarët e bashkive.
Në filozofinë e të drejtës, që pas Luftës së dytë Botërore ka hyrë një koncept, që po përhapet shumë sot, ai i drejtësisë tranzitore. Drejtësia tranzitore mbështetet mbi përgjegjësinë që duhet të kenë drejtuesit dhe mbi shpërblimin dhe respektin për viktimat. Kjo lloj drejtësie vë në plan të parë viktimat dhe dinjitetin e tyre dhe kërkon që, ajo ka ndodhur në të kaluarën të bëhet e pamundur në të ardhmen.
Procesi i denazifikimit, gjyqi i Nurenbergut, proceset e dekomunistizimit, ligjet e lustracionit të cilat pengonin njerëz që vinin nga regjime naziste, diktatoriale, komuniste etj., të mos marrin funksione publike janë kryer nën ombrellën e drejtësisë tranzitore. Prokurori i përgjithshëm i SHBA-së, Robert Xhekson, që drejtoi Nurenbergun është ndër formuluesit e kësaj qasjeje.
Sot në botë ka autorë të cilët flasin për një zgjerim të këtij koncepti. Robert Carranza i Unversitetit të Nju Jorkut thotë se edhe krimet e korrupsionit, të krimeve ekonomike dhe të pasurimit me anë të abuzimeve financiare duhet të trajtohen nën këtë koncept. Si edhe qeveritë totalitare, komuniste apo naziste, edhe ato të korruptuara nuk duan t’ia dinë për transparencën dhe llogaridhënien publike dhe bëhen në këtë mënyrë shkelëse brutale të të drejatve të njeriut. Në këtë mënyrë, thotë Carranza, duhet që të ndërmerren masa, të ngrihen institucione që njerëz të korruptuar, të pasuruar me korrupsion, njerëz të lidhur me korrupsionin dhe krimin të mos kenë vend në politikë. Fatkeqësitë, vuajtjet dhe dhunimi i të drejtave që shkakton krimi ekonomik, korrupsioni, lidhjet e politikës me krimin, janë të jashtëzakonshme.
Ka disa vende në botë që kanë bërë hapa përpara në këtë drejtim. Është Nigeria e periudhës post Sani Abacha ku pati përpjekje që të pastrohej politika nga njerëz që vinin nga lidhje me krimin dhe korrupsionin e asaj qeverie. Edhe në Indonezinë e periudhës post Suharno, në Filipinet e periudhës post Marcos, në Sierra Leonen e periudhës post Taylor, janë ndërmarrë masa në kuadër të drejtësisë tranzicionale. Në këto vende ky proces nuk ka qenë i plotë për shkak të specifikave të këtyre vendeve. Shqipëria ka shumë mundësi të tejkalojë arritjet e këtyre vendeve sa i takon pastrimit nga lidhjet me me krimin dhe korrupsionin e politikës. Askush nuk ka thënë dhe nuk mund të thuhet se këto masa kanë penguar drejtësinë apo gjykatat, përkundrazi.
Demokracia tranzicionale nënkupton se mund të merren masa të veçanta të përkohshme dhe mund të pengohen të merren me politikë, apo me aktivitete të tjera, njerëz që dyshohet se janë të lidhur apo se kanë bashkëpunuar me regjimet kriminale, me organizatat kriminale, politikanë apo njerëz të korruptuar me njësi apo grupe të cilat kanë kryer krime, me regjime dhe politikanë të korruptuar. Shoqëria, në një moment të caktuar, vendos të pezullojë normat e zakonshme dhe për të zgjidhur një situatë apo një gjendje merr masa të tilla dhe krijon institucione të posaçme. Ajo që ka ndodhur në Shqipëri me institucionet e vettingut të prokurorëve dhe gjyqtarëve është saktësisht një mekanizëm i tillë. Kjo mund të shtrihet fare lehtë edhe ndaj politikës sado që mund të penalizohen edhe politikanë të cilët për shkak të takimeve me njerëzit kanë patur kontakte të dukshme dhe të sheshta me kriminelë, por pa bashkëpunuar në krim.
Propozimi i Bashës është krejtësisht logjik dhe i realizueshem. Çështja është se, siç thoshte Aung Su Ki “nuk korrupton pushteti, por frika e humbjes së pushteteit dhe frika e ndëshkimit nga pushteti i atyre që do të vijnë”. Rama dhe qeveria e tij janë përballë kësaj frike dhe ajo nuk mund t’i lërë ta bëjnë këtë vetting.
Discussion about this post