Kundërmësymja ‘Porta a porta’ (derë më derë) e Ramës

Alfred Lela

30 minutëshi i kryeministrit shqiptar në ‘Porta a porta’, varianti italian i ‘Opinionit’ të Fevziut- siç tha me shaka një koleg, në kushte të tjera duhet të ishte një lajm i mirë.

Rama e pati këtë kujdes, në fakt, kur, herë pas here, bënte sikur donte dhe do të fliste vetëm për Shqipërinë, arritjet dhe problemet e saj, dhe jo për akuzat e opozitës apo atë se çfarë po ndodh aktualisht në Tiranë, ku opozita parlamentare ka dalë jashtë sistemit politik.

Edhe këtë qasje, pra një mosinteresim apo mosdëshirë për të folur keq për kundërshtarin në gjuhë të huaj, kryeministri e pati në funksion të piarit. Siç ishte e gjithë intervista në funksion të tij.

Ramës iu desh të organizonte një ‘vizitë të posaçme’ në Itali për t’u parë në ‘Porta a porta’, siç tha gazetari Vespa, pas një radhë kronikash dhe shkrimesh në mediat e përtej Adriatikut. Të cilat e kanë ekspozuar problemin e kriminaliteit, të drogës dhe të përfshirjes së saj në procesion elektoral në vend.

Pra, shefi i qeverisë së tronditur shqiptare ishte në Itali për një kundërmësymje. Sepse, për vendin e tij, në një gjuhë të huaj, nuk po fliste kundërshtari politik, Basha, por gazetarët italianë.

Rama apo Vespa, apo të dy bashkë, pas një dakordësie ndoshta, ishin kujdesur që ‘Porta a porta’ të ishte një ekspoze e një ‘Shqipërie të re’ e cila është stabilizuar tashmë. Igli Tare, futbollist i njohur dhe drejtor sportiv  i suksesshëm në Itali, për rastësi vëllai i Auron Tares-pjesë e administratës së Ramës, ishte në panelin përballë bashkë me një sipërmarrës dhe një gazetar të ‘Libero’ që, në parim, duhej ta njihte mirë ‘vendin e shqiponjave’.

Ky i fundit foli për Rusinë dhe Iranin, duke u munduar ta portretizojë Ramën si ‘oksidental’ dhe një mbrojtës të interesave të Perëndimit në një skaj të Europës ku vija e Teodosit ndan Lindjen dhe Perëndimin. Sipërmarrësi ishte gjetje e mirë, por xhiroja e tij vjetore prej 500 mijë eurosh reflekton pikërisht problemin më të madh të z. Rama: dështimin për të tunduar biznesin e madh ndërkombëtar që të vijë në Shqipëri.

Mungesa e investimeve të rëndësishme të huaja, ekonomia dhe stabiliteti që ato sjellin, janë edhe më ‘fundosëse’ për qeverinë e Ramës, se sa kriminalizimi i politikës dhe paratë e trafiqeve në procesin elektoral. Për faktin se një ‘ekonomi e mbajtur’ rregullon shumë prej vrimave të zeza që krijon në shoqëritë post komuniste dhe demokracitë hibride siç është Shqipëria.

Kryeministri iku i pa sfiduar edhe kur tha një të pavërtetë në emision. Përdorimin e një marke italiane, Guardia di Finanzia, për të ilustruar një Shqipëri pa drogë. Nëse vespa dhe të tijtë do të kishin bërë aritmetikën e thjeshtë të tonelatave të kapura nga Guardia di Finanzia, Gurdia Costiera, apo departamente të tjerë të rendit dhe ligjit në Itali, pamja do të kishte qenë e qartë. Pa faktorizuar në ekuacion edhe atë se, sipas ekspertëve, vetëm 1/5 e sasisë së drogës së qarkullon bie në duart e forcave të rendit.

Sigurisht, duhet thënë, nuk ka nevojë të shkosh në ‘Porta a porta’ për t’u thënë shqiptarëve atë çka ata dinë dhe kanë parë. Duke iu referuar, pse jo, edhe një deklarate të ish-ministrit Xhafaj, i cili e pranoi botërisht precedentin e kanabizimit të vendit, por edhe implikimin policor në të.

Kryeministrit do t’i duhen kundërmësymje të tilla mediatike në Itali. Radhën pas kësaj e ka Gjermania, shtypi serioz i së cilës ka patur kronika dhe shkrime të ashpra, të ngjashme me ato të medias italiane.

Rama nuk ka kundër vetëm kohën dhe faktet, por edhe një element, i cili për një kohë jo të paktë, i pat bërë punë. Koloriti dhe fasada e ndryshimit të cilën ai e ka përdorur mjeshtërisht që nga viti 1998 e tëhu. Por,  siç thonë amerikanët ‘it wears out’. Zvjerdhet, i del boja, domethënë.

Ramës i duhet t’i bëjë tashmë llogaritë me magjepsjen dhe me zvjerdhjen.