Kundërshtohet caktimi i Ruçit si kordinator i PS në Jug: Fyerje për qytetarët

Ish-deputeja e PD, Nada Meçorapaj ka kundërshtuar emërimin e Gramoz Ruçit si kordinator i PS në Jug të Shqipërisë. Në një postim në ‘Facebook’, ajo shkruan se është fyerje për jugun “të konsideruarit sikur jemi ende në kohën dhe mentalitetin e ‘zonave operative’”.

“Gramoz Ruçi, ministri i fundit i Brendshëm i komunizmit është emëruar mega-koordinatori i Rilindjes për Jugun. Që Gramoz Ruçi është jugor këtë e dimë, por që jugu ka mbetur komunist dhe për këtë i sjellim Gramozit, me parimin ‘sipas kokës festen’, nuk e pranojmë.

Të konsideruarit e trevave tona sikur jemi ende në kohën dhe mentalitetin e ‘zonave operative’ është një fyerje për Jugun dhe jugorët. Është një fyerje për të rinjtë dhe të rejat e Vlorës, Tepelenës, Sarandës dhe Gjirokastrës që kanë studiuar jashtë dhe nuk kanë asnjë lidhje me të shkuarën komuniste këtu brenda.
Socialistë të tillë Jugu ka plot, por Rama nuk ka tjetër veç Gramozit”, shkruan Meçorapaj.

Partia Socialiste ka nisur riorganizimin e strukturave, ku Edi Rama u delegua në veri, Taulant Balla në qendër dhe Ruçi në jug.