Fituese e Kupës së Federatës në volejboll për meshkuj është shpallur skuadra e Tiranës, e cila arriti të mundte me rezultatin e përgjithshëm 3-1 Partizanin.
Seti i parë u fitua nga Tirana me rezultatin e ngushtë 25-23, ndërsa i dyti i fitua nga Partizani me shifrat 25-21. Seti i tretë ishte krejtësisht për t’u harruar për Partizanin, pasi Tirana e fitoi atë me rezultatin 25-11, ndërkohë që i katërti ishte i rivalizuar, por në fund ishin sërish bardheblutë ata që fituan dhe e mbyllën atë 25-22.
Në Parkun Olimpik “Feti Borova” u zhvillua gjithashtu finalja e këtij kompeticioni për femra, ku ekipi Barleti pati gjithashtu si kundërshtar Partizanin.
Barleti i mbylli shumë shpejt historitë e setit të parë, që e fitoi 25-10. Në setin e dytë, Partizani e përmirësoi paraqitjen e tij, duke përfituar edhe nga një shpërqendrim i mundshëm i skuadrës së drejtuar nga Hasan Gurabardhi, për ta fituar atë 25-20. Në setin e tretë dhe të katërt u pa sërish një dominim i Barletit në rezultat, që i fitoi ata respektivisht 25-13 dhe 25-17, për të ngritur në fund edhe trofeun.
Discussion about this post