Flash News

OP-ED

Kur munden hebrejtë dhe shqiptarët...

Kur munden hebrejtë dhe shqiptarët...

Vladimir Gligorov

Si na qenka që ata munden e nuk mundemi? Të gjithë janë hipokritë, kjo dihet sidomos kur bëhet fjalë për Serbinë dhe serbët. E kështu zoti Daçiç: „A është përzierje kur hebrejtë votojnë për Trampin dhe shqiptarët për Klintonët“? Nuk është se ka rëndësi, por shumica dërrmuese e hebrejve në Amerikë votojnë për demokratët. Kjo nuk është se ka ndodhur dje dhe shanset janë se nuk ka për të ndryshuar së shpejti. Shkaqet nuk janë të panjohura. Më shumë se 70% votuan për Klintonin dhe deri në 80% për zonjën Klinton. Gabimi është i madh dhe afatgjatë, por të gjitha këto janë tema të tjera.

Është e qartë se serbët në Amerikë nuk do të thotë se „përzihen“ në punët e amerikanëve nëse votojnë për atë që duan të votojnë. Shtetasit amerikanë mund të bëjnë propagandë të themi që serbët e atjeshëm të votojnë për Trampin, sepse kjo le të themi është në interesin e serbëve. Për më tepër, kandidatët për president të SHBA-ve gjithsesi do të përpiqen të marrin votat e tyre, duke premtuar se do t’i marrin parasysh interesat e tyre nëse fitojnë në zgjedhje. Çdo votë ka rëndësi.

Kjo është e para. Zoti Daçiç gjithsesi nuk është i nevojshëm që të nxisë serbët në SHBA që të votojnë për Trampin. Sepse këtë do ta bëjnë vetë njerëzit që votojnë për Trampin. Ata as që ia kanë nevojën Daçiçit për këtë punë.

E dyta dhe më e rëndësishmja. Në atë mënyrë që e tha zoti Daçiç se synon që, si ministër i Punëve të Jashtme të ndikojë në atë që sesi duhet të votojnë serbët në Amerikë, vërtetë është përzierje në zgjedhjet amerikane në një mënyrë që ndoshta nuk ështe e lejueshme. Më e keqja është se ai pret një kundërshërbim nga Trampi nëse do të zgjidhet përsëri. Meqenëse nuk është zgjedhës amerikan, por një ministër i Jashtëm i një shteti të huaj, Trampi nuk guxon me ligj që ta pranojë këtë ofertë. Në mënyrë të heshtur ky është bashkëpunim (colusion) dhe me fjalë të tjera është komplot (conspiracy). As njëra as tjetra, sikurse e kanë mësuar të gjithë këto dy vitet e fundit nuk është e dëshirueshme ose më mirë të themi e lejueshme.

Më vonë zoti Daçiç e ndreqi: „Nuk flas unë për Serbinë si shtet, flas për shtetasit e SHBA-ve me prejardhje serbe. Në Amerikë kështu funksionojnë  gjërat“. Sepse, „në njësinë zgjedhore të Engellit shqiptarët i kanë sjellë gjithmonë atij fitoren“. Fillimisht pati deklaruar: „Konkretisht si ministër i Punëve të Jashtme, do të organizoj punën për mbështetjen e Trampit në zgjedhjet e ardhshme. Serbët në Amerikë gjithsesi votojnë për Trampin. Nëse këtë e bëjmë në mënyrë të mençur, nëse i bashkojmë këto vota, që nuk janë pak, do të kemi mundësinë të krijojmë një pozitë më të mirë në administratën e re“.

Nëse kjo ka ndonjëfarë kuptimi, mund të interpretohet dhe kuptohet sikur ideja e zotit Daçiç flet pikërisht „për Serbinë si shtet“ sepse serbët gjithsesi votojnë për Trampin e kësisoj ideja e ministrit serb të Punëve të Jashtme është që kjo të „formlizohet“, pra në administratën e re të krijohet „një pozitë më të mirë“ kështuqë votat e serbëve, që gjithsesi votojnë për Trampin, t’i „formalizojë“ si kontribut për shtetin e Serbisë. Për çfarë tjetër do të duhet të pasojë një kundërshërbim, ose më mirë të themi „një pozitë më e mirë“.

Sepse kështu funksionojnë gjërat në Amerikë. Kur munden serbët dhe shqiptarët...

Ka këtu edhe një problem mjaft të hollë. Sepse në të vërtetë serbët në Amerikë janë amerikanë dhe nuk votojnë si serbë, por si amerikanë. Ose thënë ndryshe nuk janë ata serbë në Amerikë, por amerikanë me prejardhje serbe. Kjo ka pasoja gjithfarëshe. Kryesorja që mund të mendohet është se nuk kanë besnikëri të mjaftueshme, si patriotike ashtu edhe politike, e për pasojë edhe juridike. Ata nuk mund t’i mobilizojë, po marr si shembull-Serbia, por vetëm Amerika.

Le ta marrim se tani thoni, mirë, por si munden hebrejtë dhe shqiptarët dhe do të shihni problemin.

Ata nuk mund t’i formalizojë shteti serb, edhe sikur kësaj pune t’i përkushtohet ministri serb i punëve të jashtme, zoti Daçiç dora vetë, ministria e tij, madje edhe shteti i Serbisë. Sa më i madh të jetë „formalizimi“ aq më i madh është problemi.

Përfundimisht, partitë mbështetin njëra tjetrën le ta themi në kuadrin e Bashkimit Europian. Por edhe në kuadër të intenacionaleve të tyre në mbarë botën. Kjo është kështu veçanërisht kur bëhet fjalë për parti që, për nga ideologjitë dhe programet janë internacionaliste. Sidomos ata socialiste dhe social-demokrate. Kësisoj, nëse Zoti Daçiç, me cilësinë e liderit partiak të Partisë Socialiste nëse do të dëshironte të mbështeste ndonjë kandidat ose parti në Amerikë këta do të ishin Berni Sandersi dhe socialistët e tij. Madje do të kishte kuptim edhe sikur të mbështeste Partinë Demokrate, gjithsesi më shumë se atë Republikane. Sepse socialistët demokratë mbështesin demokratët, sikur edhe vetë Sandersi të ishte kandidati i tyre në zgjedhjet presidenciale.

Por, mirë këto janë tema të tjera, joekzistuese në Serbi. Ku të gjithë e dinë sesi funksionojnë gjërat, sepse hebrejtë dhe shqiptarët...

Për votuesit serbë ka rëndësinë më të madhe që të trajtohet tema sesi ka ardhur puna që në dy pozicionet më të rëndësishme të pushtetit të gjenden një prej bashkëpuntorëve më të afërt të Vojisllav Sheshelit (aluzion për Presidnetin Vuçiç -shën. i përkth.) dhe bashkëpuntori shumë i afërt i Sllobodan Millosheviçit (aluzion për Ministrin e Jashtëm Daçiç që ka qenë zëdhëns i partisë së udhëhequr nga Slobodan Millosheviçi -shën. i përkth.).

Ndërkohë po afrojnë zgjedhjet në Serbi.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza. Marrë nga portali Peshçasnik.

 

Të fundit