Flash News

OP-ED

Kur qeveria-hajgare e Ramës e shtrin dëmin përtej Mollës së Kuqe

Kur qeveria-hajgare e Ramës e shtrin dëmin përtej Mollës

Patrik Sadikaj

Në qeverisjen e tij e të mos bërit asgjë, Edi Rama, ka tallur disa herë “menderen” me Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk është aspak në kuptimin figurative, por në kuptimin e parë të fjalës tallje.

E mbani mend në 2013-ën? Tha se kishte një program prej 1 mijë faqesh dhe nëpër fshatrat e vendit tundte një bllok letrash bosh, duke nisur historinë e gjatë të talljeve që vazhdojnë e kulmojnë nga dita në ditë.

Edi Rama vendosi të shpëtojë “nderin”e tij një vit më parë, duke u tallur hapur me shqiptarët duke iu uruar publikisht datën e hapjes së negociatave me BE-në për anëtarësim. Nuk e pati aspak problem madje të dekorojë edhe ata që kishin “luftuar” për të arritur një ditë të tillë. E bëri pa iu dridhur qerpiku, madje duke korrur edhe duartrokitjet e të tallurve, që mesa duket u dehen edhe ata në tallazet e detit të talljeve me histori plot me kuçedra e gogolë që shpikte mjeshtri i talljes.

Normalisht, sot një vit më pas, tallja vazhdon e bëhet më e dukshme. Madje kjo tallje bëhet pa pikë turpi në mënyrë sfiduese ndaj popullit, vendit dhe ndërkombëtareve, të cilët mesa duket tani e kanë shndërruar momentin e diskutimit me “liderin botëror, si një moment argëtimi. Normalisht ata nuk e shohin dot pamjen e arrogantit të kryeministrit ngrefosur në Tiranë, ata shohin atë njeriun e gjatë që ndjek nga pas hijet e liderëve të vërtetë botërorë për të fiksuar në foto ndonjë shtrëngim duarsh, apo kokën e tij të futur diku në mes të një bisede në anglisht.

U tall edhe me premtimet e programit të tij 1 mijë faqesh bosh. Padyshim që po, edhe kur tha se do kishte shëndetësi falas, arsim më të mirë, shkolla më të mira, paga të rritura, zhdukjen e hashashit, etj, se të përmenden 1 mijë faqe premtime boshe është pak e vështirë.

E duke qenë se nuk mjaftuan gjithë këto tallje, vendosi të bëjë edhe atë që me siguri ai e quan shumë argëtuese. Filloi të vendosë nëpër ministri e drejtori fëmijë injorantë, që nga mëngjesi e deri në darkë tallen pa pikë turpi , madje ngrehen si gjela me bëmat e tyre.

Janë disa ministra, që në fakt janë një tallje mendereje me shtetin, shqiptarët dhe Shqipërinë. Disa askush që krejt papritur hipin në karrigen më të lartë të pushtetit dhe marrin në dorë fatet e shqiptarëve.

Duke qenë askush, njerëz të pamerituar për atë që kanë kapur, kthehen në njerëz të rrezikshëm që për të lëpirë shefin fillojnë e tregojnë gjithë injorancën e tyre në formim, kulturë dhe padyshim në shtet-bërje.

Krejt papritur, nga bankat e shkollës u jepet në dorë fjala vjen, ministria e jashtme, dhe këtu thagmat nuk kanë të sosur. Por në këtë rast, tallja nuk është vetëm për konsum publik, por një tallje me fatet e të ardhmes së këtij vendi. Në kulmin e nevojës për seriozitet dhe kulturë diplomatike, me 30 sekonda fjalim kjo gjë i besohet një njeriu që i ka mbushur mendjen vetes se ka bërë politikë që 14 vjeç. Me gjithë respektin për origjinën (edhe unë personalisht vi nga malësia e Gjakovës) një njeri me kaq merita dhe me kaq mençuri sa ky që ka në dorë ministrinë e jashtme, mbase i duhej Kosovës që është në përpjekjet e saj shtet-formuese.

Kryeministri ka bërë gabim duke i marrë shtetit sivëlla, një talent të tillë të politikës. Ndoshta, me këtë djalë me shpatulla të rënduara nga koha e gjatë me angazhime politike, Kosova do i kishte liberalizuar vizat me kohë, që vitin e shkuar, kur ky na mori mes detit plot dallgë të BE, datën e hapjes së negociatave.

Mos të flasim pastaj për ministren e Arsimit, një tjetër sprovë në zhanrin e komedisë për Ramën, që sa herë që i duhet diçka për të tallur shqiptarët, nxjerr nga xhepa asa të tillë si Genti, Besa, Lleshi apo Anila. Dhe nëse nuk i vëmë fre, kësaj tallje, me siguri do të shohim përtej asaj që s`kemi parë akoma…

Të fundit