Flash News

OP-ED

Kur qeveria kërkon rivalë, jo aleatë, për t’u futur në zgjedhje

Kur qeveria kërkon rivalë, jo aleatë, për t’u futur

Marsel Lela

Kolegji Zgjedhor rrëzoi sot në mënyrë indirekte dekretin e presidentit Meta për anulimin e 30 qershorit si data e zgjedhjeve vendore, duke rrëzuar kërkesë-padinë e kryetarit të Partisë Uniteti Kombëtar (PUK), Idajet Beqiri.

Kështu, duket se Edi Rama e ka gjetur “kodin PUK” për zhbllokimin e 30 qershorit të tij. 

Kjo datë, edhe pse fushata e qeverisë vazhdon, ishte ‘e bllokuar’ nga fakti se PS-ja po shkonte e vetme drejt zgjedhjeve, duke krijuar një precedent të pahasur ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve.

Kjo e vishte Ramën me kostumin e diktatorit, çka e bezdiste këtë të fundit, sidomos në këtë vapë të madhe politike që sollën përgjimet e publikuara nga gjermanja BILD.

Por Rama, falë Kolegjit Zgjedhor, e ka tashmë një “rival” në garën e tij për  vendoret. 

‘Rivali’ i kryeministrit e tha edhe vetë që është i detyruar të marrë pjesë, edhe pse ai “nuk donte” që në fillim. Kreu i PUK tha se ishte i detyruar të zbatonte ligjin, edhe pse Kolegji Zgjedhor nuk ka asnjë kompetencë për të diskutuar dekretet e presidentit. 

Reagimet nga kampi qeveritar ishin të menjëherëshme dhe e glorifikonin vendimin e Kolegjit Zgjedhor, madje nënkryetari i këtij komisioni, Denar Biba, e quajti një vendim historik.

Biba ka të drejtë ta quajë historik këtë vendim të Kolegjit, pasi është hera e parë në histori që një qeveri nuk kërkon aleatë, por rivalë për t’u futur në zgjedhje.

Sipas qeverisë dhe KQZ-së, këto quhen zgjedhje, por shqiptarëve sot po u ofrohet gjithçka, përveç zgjedhjeve. Nuk mund të ketë zgjedhje pa alternativa. Nuk mund të ketë zgjedhje pa vullnet të qytetarëve. Nuk mund të ketë zgjedhje me një parti që ‘bën ligjin’ duke shkelur të gjitha ligjet. Nuk mund të ketë zgjedhje kur gjykatat dhe institucioni i presidentit është inekzistent.

Alternativat e vetme për shqiptarët me 30 qershor janë Rama, Beqiri dhe Goliku i Tepelenës: ‘rapsodi’ i kryeministrit dhe ‘kolona zanore’ e këtyre ‘zgjedhjeve’.

Të fundit