Kur Rama sheh ‘Gangs of London’, çfarë duhet të shohin shqiptarët te ai

Alfred Lela

Mediat, përfshirë edhe Politiko ju turrën një tjetër banaliteti të kryeministrit, si qeni kockës, siç bëjnë shpesh, me një ngulm dhe zell i cili nuk fsheh gjë tjtër veçse pafuqinë për të menduar. Kësaj here lartësitë e stuhishme të kotësisë i ngjiti një kompliment i kryeministrit për një aktor shqiptar të një seriali britaniko-amerikan në mode ‘Gangs of London’.

Prapëseprapë, media është e nevojshme dhe pasqyron shoqërinë, edhe kur shërben si rrip transportieri banalitetesh. Pa të, pa syrin e saj që, herë e mban në vrimë për vuajerizëm, e herë për servilizëm, nuk do të kishim mundur të kishim një pamje tjetër mbi kotnitë e burrit që udhëheq Shqipërinë prej 7 vitesh, Edi Ramës.

Në një ndërhyrje në faqen në Instagram të aktorit shqiptar të serialit britanik, Rama pasi e komplimentonte për lojën aktoriale i bënte me dije atij dhe publikut se e kish ndjekur serialin deri në mëngjes.

Ky deklarim i kryeministrit shqiptar, i cili ju është referuar serialeve të tilla edhe më parë, publikisht, si psh ‘Narcos’, ngre një shqetësim të trefishtë që ka të bëjë me natyrën e Ramës dhe atë të shtetit.

Së pari, seriali ‘Gangs of London’ është prodhim ekskluziv i Sky Atlantic në Britaninë e Madhe dhe Cinemax në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që ta ndjekësh duhet të kesh një aboim në një platformë pay për vieë, që përmban këto dy kanale TV, të cilat edhe në vendet e tyre janë ekskluzive, pra në paketa digjitale apo satelitore me pagesë. Platformat që operojnë me pagesë edhe në Shqipëri, si Netflix apo Amazon Prime, nuk e kanë ‘Gangs of London’ pjesë të ofertave të tyre. Mbetet vetëm që kryeministri ta ketë shkarkuar ilegalisht në internet, apo të ketë në shtëpi një prej platformave ilegale digjitale të ashtuquajturat ‘Dream box’ që lejojnë të shohësh një mizëri kanalesh të piratuara nga e gjithë bota.

Ngjan si marrëzi besoj shqetësimi që ngre, në një vend ku përfitimi ilegal dhe korrupsioni qeveritar janë, si të pandëshkueshëm nga ligji, ashtu dhe të paqortueshëm nga kodet shoqërore. Në Shqipëri ka venerim dhe jo përçmim për paranë e fituar në mënyrë të paligjshme.

Shqetësimi i dytë lidhet me frymëzimin që kryeministri merr nga drama të tilla fiksionale, si ‘Narcos’ dhe ‘Gangs of London’. Sidomos te e para ka një mpleksje të fortë të politikës me krimin e organizuar, një gjë që është reflektuar shtatë vitet e fundit edhe në politikën shqiptare. Një prej kritikave më të forta dhe të vazhdueshme që ka marrë Rama është kriminalizimi i politikës, futja në parlament dhe në pushtetin lokal e elementëve të inkriminuar, shoqërimi i tij personalisht me elementë të botës së krimit, ish-të dënuar apo të dyshuar të përjetshëm.

E treta, dhe besoj më e rënda, ka të bëjë me kohën kryeministrore. Një shef qeverie që sheh episode ‘back to back’ të një seriali televiziv, humbet gjumin për një dramë të trilluar, ndërkohë që vendin e ka në krizë ekonomike, në një situatë të paqartë pandemie, të sapodalë nga një tërmet shkatërrimtar, tregon shenja papërgjegjshmërie.

Sigurisht, në jetën e tyre personale dhe familjare nuk presim nga udhëheqësit që të sillen apo të jenë shenjtorë, por çfarë ata lënë ‘të pikojë’ nga jeta e tyre jopublike në publik duhet të jetë e mbushur me shenja dhe modele që nuk turpërojë as ne dhe as ata. Kur kryeministri i një vendi të varfër, që platformën e vetme ekonomike ka buzëkuqin mbi qendrat e qyteteve dhe koncensionimin e çdo gjëje publike në duar private, na tregon se si e kalon kohën e lire, ne duhet ta shohim në punë 100 fishin e asaj mohe. Me punë, sigurisht, nuk duhen kuptuar ndalesat e fushatës elektorale, prerja e shiritave, batutat dhe takimet në ERTV, por të dhëna dhe rezultate konkrete që lidhen me fuqizimin ekonomik të vednit, investimet e huaja, punët publike, arsimin etj.

Kur KM sheh ‘Gangs of London’ dhe shqiptarët shohin Edi Ramën në Tv gjithë ditën, kush qeveris në këtë vend? Kush punon në këtë vend? Kush ka të ardhme në këtë vend? Apo, ajo na pret në Londër, në një variant banal dhe aspak i lavdishëm i ‘Gangs…’?