Kur vjen zemërimi

Red Varaku

Aktet e rezistencës së dhunshme ndaj regjimeve tiranike, shkruan teologu Reinhold Niebuhr, ndërmerren nga njerëz “të çmendur”, të bekuar me atë që ai e quan çmenduri sublime, “sublime madness.” Edhe pse këta të çmendur e dinë fort mirë që dora vrastare e regjimit represiv do të bjerë pabesisht dhe mizorisht mbi ta dhe të afërmit e tyre, ata kurrë nuk heqin dorë nga rezistenca ndaj të keqes, përkundër të gjitha hamendësimeve, sepse fuqia e tyre buron nga thellësitë hyjnore të zemërimit popullor.

Akte të tilla sfiduese e detyrojnë regjimin të dridhet dhe të belbëzojë sepse e kapin në befasi, ndodhin atëherë kur regjimi as nuk e pret dhe as që e imagjinon . Shpërthime të tilla të zemëratës popullore ndodhin atëherë kur kapardisja dhe arroganca e pushtetit kap kufij aq banalë saqë, regjimi fillon ta krahasojë popullin e tij me organet gjenitale. Një revoltë e përmasave të tilla e tmerron dhe i kall datën regjimit, duke i kujtuar atij fatin tragjik të tradhtarëve të këtij vendi. Akte të tilla i fusin frikën qenve të tij besnikë. Sepse, një akt i tillë heroik dhe sfidues, i cili ndërmerret nga njerëz të thjeshtë dhe të pambrojtur, është ose fundi i popullit ose fundi i regjimit. Pikërisht për këtë arsye regjimi ndërmerr masa represive të dhunshme dhe të paimagjinueshme për të shuar zjarrin dhe revoltën që buron nga zemrat e lira, të cilat nuk i durojnë kamzhikun dhe darët e pushtetit. Ndëshkimi i kalon kufijtë e terrorit, sepse shërben si mesazh presioni dhe paralajmërimi për cilindo që e çon në mendje një rebelim të tillë të bukur.

Një fenomen të tillë të “çmendurisë sublime “, e gjejmë të trajtuar bukur në trilogjinë e Aleksandër Solzhentisyn tek “ Arkipelagu Gulag”. Në një rast ai na rrëfen historinë e një ish-ushtari të dënuar, i cili po transportohej bashkë me disa të burgosur të tjerë drejt burgut dhe që në një çast të vetëm arriti të çarmatoste dhe të eliminonte dy rojet të cilët po i shoqëronin. Pas kësaj, ai iu kthye të burgosurve duke u thënë se tashmë ata ishin të lirë. Por, të burgosurit, në vend që të gëzoheshin që kishin një mundësi për tu arratisur i pushtoi menjëherë një frikë dhe panik. Duke treguar hapur mosaprovimin për veprimin që kishte bërë ushtari trim, të gjithë u ulën dhe pritën pjesën tjetër të kolonës së të dënuarve. Më kot ushtari i shkretë u mundua që t’i bindte që ajo ishte e vetmja rrugë drejt lirisë; askush nuk ia vuri veshin. I befasuar nga mosreagimi i të dënuarve, ai i rrëmbeu armët e rojeve të vrara bashkë me fishekët dhe u largua i vetëm. Rojet e që erdhën më pas pasi panë ç’kishte ndodhur e ndoqën atë. Ai vrau shumë prej tyre ndërsa me fishekun e fundit vrau edhe veten.

I gjithë ‘Arkipelagu…’ mund të ishte shembur nëse edhe të burgosurit e tjerë do të vepronin në të njëjtën mënyrë. Nëse të gjithë dënuarit do të bënin të njëjtën gjë, sigurisht, regjimi do të rrëzohej në çast, por askush nuk reagoi, askush nuk iu bashkua aktit heroik të ushtarit, të gjithë ulën kokën dhe pranuan që, ashtu si delet, të niseshin drejt thertores. Është e pashpjegueshme, dhe logjikisht e papranueshme që, edhe pse të gjithë të dënuarit ishin me një këmbë në varr, edhe pse po shkonin drejt vdekjes, askush nuk gjeti forca dhe kurajo për t’iu kundërvënë regjimit dhe për të rezistuar.Të mbijetuarit e regjimit e njohin mirë këtë efekt, ashtu siç njohin raste pafund që iu kundërvunë regjimit më të egër, që ka njohur bota në ditët e tij më të lavdishme. Edhe pse dhuna, terrori, represioni shtetëror derdheshin pakursyer mbi ta dhe familjet e tyre, ata kurrë nuk u dorëzuan. Ata e njohin mirë efektin mpirës dhe shkatërrues që ka te njerëzit kombinimi i frikës me mungesën e shpresës. Sa më tiranik regjimi, aq më i egër, i dhunshëm dhe i pandjeshëm bëhet, dhe po aq frikë injekton; dhunë e cila më pas transformohet në terror. Sepse, sa më shumë diskreditohet, aq më e rrezikshme dhe e dhunshme bëhet kjo lukuni injorantësh proto-bolshevikë. Dhe kjo nuk përbën më një anomali, është thjesht një simptomë e sëmundjes së një vendi, i cili po shkon me rrapullimë, drejt një kolapsi të plotë shpirtëror dhe ekonomik. Një revoltë e tillë është shenjë e fillimit të rënies, dorëzimit dhe kapitullimit të plotë të një regjimi.

Si një përpjekje e fundit për t’i bërë ballë arrogancës helmuese të tradhtarëve, dhe një përpjekje e fundit për të ndalur duart e oligarkëve nga pasuria publike. Njerëz të tillë konsiderohen “vandalë” ,“barbarë”, “malokë”, “të palarë”, “të pakrehur”, të paaftë për të kuptuar “dashurinë e madhe” që regjimi ka për ta, si dhe të padenjë për “sakrificën e madhe” që qeveria bën për ta. Ata shikohen me tallje dhe përbuzje nga regjimi dhe ithtarët e regjimit, vetëm sepse ata guxuan të thyejnë frikën. Por, harrojnë që vjen një moment që vetëm një pikë e derdh kupën e mbushur plot me zemërim, vetëm një shkëndijë i vë flakën revoltës popullore. Nëse përpiqesh ta shtypësh këtë zemërim me dhunë, terror dhe represion, zjarri i saj do të shumëzohet në mënyrë të shpejtë dhe të paimagjinueshme anekënd Shqipërisë, sepse siç thotë një fjalë e urtë latine “populli është si pasqyra, sa më shumë e thyen aq më shumë ndriçon.”