Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Alfred Lela
Vetingu është si revolucioni. Një mekanizëm i cili, nëpërmjet gjakut të rrëmbyer që rrjedh nga burimet e larta të shpresës, kthehet kryeposhtë dhe bëhet pellg.
Sa të duash revolucione na shfaq historia si ilustrim. Dy janë më shpresëmëdhatë, më të përgjakshmit dhe më zhgënjyesit: Revolucioni Francez dhe Revolucioni Bolshevik.
Të inskenojmë atëherë një 'mosdashje të vetingut' (duke e parë si revolucion), dhe të bërtasim: Jemi kundër! Në këtë skenë të imagjinuar është e lehtë të dallojmë atë që është më shumë pro kësaj nisme. Le ta quajmë Kryeshërbëtorin e Vetingut, z. Edi Rama.
Si i tillë po përvijohet ai bashkë me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe funksionarët e lartë të Policisë (që duam?). Për të qenë të ndershëm me kujtesën dhe historinë duhet të pranojmë se Edi Rama na paraqitet në dy kohë.
Në kohën para Vetingut ai ishte Kryeministri që e konsideronte Ministrinë e Brendshme dhe ministrin Tahiri si 'kampion', dhe Policinë e Shtetit si më të kuotuarën në sondazhet e opinionit publik. Këtë 'rrjedh-në-këngë-e ligjërime' të Ramës e kemi dëgjuar për katër vjet rresht dhe, e gjithë kjo përsëritje prodhoi edhe refrenin 'Policia që duam'.
Një Polici e tillë, do mendonte gjithkush, nuk ka nevojë për Veting. Jo vetëm që ajo është 'kampione', por është edhe 'ajo që duam'. Gjithçka duam.
Pse, atëherë, z. Rama dhe ministri i tij, bashkë me hierarkët e lartë të Policisë, kërkojnë Veting, tashmë në kohën e dytë të tyre, kur po i afrohemi vitit të pestë të qeverisjes së Partisë Socialiste? A ka nevojë për një 'test antidoping' kampionia e qeverisjes katërvjeçare? A thua, rezultatet e saj/tij ishin të falsifikuara nga përdorimi i lëndëve stimuluese?
Nëse po, Kryeministri, si burrat, duhet ta pranojë këtë. Ta shohë pellgun dhe fytyrën e qeverisë së tij në të; jo më si Narcisi që dashurohet me veten, por si shefi i qeverisë që reflekton mbi rekordin dhe politikat e veta. Atëherë, pasi të ketë bërë 'testin antidoping' të qeverisë, dhe ta pohojë praninë e substancave narkotike në 'sistem', mund të ftojë trupën policore, publikun dhe qeverinë në Veting.
Hapa të tillë i ndihmojnë kuptimit, por edhe i bëjnë me dije të tjerëve, se 'gabimi' i parë nuk do të përsëritet në lëvizjen e dytë. Pra, Vetingu nuk do të shihet dhe përdoret si një instrument tjetër propagandistik, siç u bë me Lazaratin dhe narkotrafikun.
Pa këtë themel, ngrehina e Vetingut në Polici nuk qëndron.
Ka edhe arsye të tjera.
Një prej të cilave është se Vetingu në Polici nuk e komplekson dhe as nuk duhet ta kompleksojë Opozitën. Ndryshe nga Vetingu në gjyqësor, që u perceptua në publik si interes i opozitës për të mbajtur një dominancë në atë krah të pushtetit, Policia është tjetër histori. Grupi 'Çiftelia' është zëvendësuar, që herët, nga 'Ansambli i Hashashit', i pasuar me një fshesë të fortë kundër elementëve të lidhur apo të ndikuar nga qeveria e mëparshme. Opozita nuk ka 'të vetët' për të mbrojtur, kështuqë është e qartë në raport me parimin e Vetingut.
Kjo e bën atë të lirë për të kompozuar pyetjen: Kush e bën vetingun dhe kush e pëson?
A do ta bëjnë Vetingun ata instaluan në Policinë e Shtetit një strukturë lejuese dhe bashkëpunuese për mbjelljen, korrjen, shirjen dhe trafikimin e qindra mijrave tonelatave kanabis sativa? Përgjigja: Po, sepse është i njëjti pushtet; janë të njëjtët njerëz.
A do ta pësojnë Vetingun ata që instaluan në Policinë e Shtetit një strukturë lejuese dhe bashkëpunuese për mbjelljen, korrjen, shirjen dhe trafikimin e qindra mijrave tonelatave kanabis sativa? Përgjigja: Jo, sepse është i njëjti pushtet, dhe të njëjtët njerëz në pushtet.
'Kampioni' i strukturës gëzon imunitet parlamentar dhe mbrojtje të mazhorancës parlamentare, kurse Trajneri i 'kampionit' është dhe Arbitri i ndeshjes. Çfarë tepron për t'u futur në makinerinë e Vetingut atëherë? Sa të duash. Janë nja 100 mijë policë të thjeshtë, të cilëve do t'u nxihet jeta dhe me 'shpenzimet' e tyre do të ndërtohet edhe një skemë e re propagandistike, e cila do t'i paraqitet publikut si Veting dhe si një 'tjetër reformë e suksesshme e qeverisë Rama'.
A e mbani mend si rrinte SPAK-u në legjislacionin fillestar të Reformës në Drejtësi? Ishte dizajnuar si një organ kontrollues nën urdhrat e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Po të mos qe ngulmimi i Opozitës dhe Komisioni i Venecias, aty do të ishte edhe sot. Vitet kaluan, por ujku është i njëjti, me të njëjtën qime dhe të njëjtin zakon.
Kush e bën Vetingun? është pyetja që vlen.
Nazistët nuk mund të bëjnë denazifikimin. Komunistët nuk mund të bëjnë dekomunistizimin. Njësoj, ata që e pësojnë Vetingun, nuk mund ta kontrollojnë atë.