#Kush e ka radhën, Arta?

Alfred Lela

Në dy deklaratat e fundit të Ambasadës Amerikane, teksti pëmbyllet me hashtagun “#kush e ka radhën”. Në të parën u përmend Emiljano Shullazi, pas dënimit, dhe në të dytën Saimir Tahiri, ish-ministri i Brendshëm, nën hetim nga Prokuroria shqiptare, edhe pse i ‘liruar’ nga italiania.

Amerikanët, apo zëvendës ambasadorja Leyla Moses-One, me sa duket, do të vazhdojnë atë që mund të shihet si ‘trashëgimia’ (legacy) apo ‘stili’ i Donald Lu në komunikimin publik duke i mëshuar, të paktën në sipërfaqe, ndëshkimit të lidhjeve të poltikës me krimin dhe anasjelltas.

Në pritje të ambasadores së re (nëse ajo e kalon Senatin i cili sërish mbeti Republikan), komunikimi publik do të jetë jo-intensiv, siç edhe ka rezultuar gjatë këtyre javëve (sa për intensivitetin diçka mund të mësohet nga ish-Ambasadori Arvizu, i cili do të jetë gjatë javës së ardhshme në Tiranë). Numri 2 i Ambasadës ka dhënë një intervistë për të përditshmen ‘Panorama’ dhe me kaq është ndalur ‘publiciteti’ i ‘Rrugës së Elbasanit’.

Edhe ‘rezistenca’ ndaj Tahirit duket se është vazhdim i ‘armiqësisë’ se ambasadorit Lu, i cili kishte piketuar Tahirin dhe Llallën si dy ‘public enemies’. Megjithatë, ajo që shihet si ‘problemi amerikan’ mund të jetë edhe ‘zgjidhja amerikane’. Nëpërmjet Arta Markut, kryeprokurores së përgjithshme, e cila ‘u thirr nën armë’ si ‘e përkohshme’ për të mbushur boshin e padurimit që krijonte figura e Llallës në atë zyrë. Marku nuk është më ‘e përkohshme’, siç duket qartë, por çka mbetet e paqartë ka të bëjë me atë nëse ajo ende është edhe ‘amerikane’?

Mjaftueshëm e tillë sa për të përgatitur një dosje pretenca e së cilës kërkon ndëshkim për ish-ministrin Tahiri. Nëse Emiljano Shullazi ishte një ‘sitting duck’, pra një njeri dënimi i të cilit nuk kërkonte shumë sforco juridike dhe politike, nuk  mund të thuhet e njëjta gjë për Tahirin.

Sprova e Markut është këtu dhe po aty edhe ‘amerikanizmi’ i saj. Deklaratat e Ambasadës amerikane, me sa duket, rifreskojnë pikërisht kujtimin e kësaj pritshmërie. Kryeprokurores i duhet të zgjedhë mes humbjes së ‘bekimit amerikan’ ose mbështetjes së mazhorancës socialiste. Duke iu përgjigjur pyetjes së Ambasadës ‘#kush e ka radhën?’ me kokën e kthyer nga mazhoranca dhe me përgjigjen ‘njëri prej jush’.

Sigurisht, ajo mund ‘të fusë pa radhë’, duke e nisur me Vangjush Dakon, kokën ‘akullore’ të të cilit kërkon opozita, dhe për këtë amerikanët nuk se do varnin buzët, por Tahiri është ‘persona grata’, po aq sa ç’është Adriatik Llalla ‘persona non grata’.