Flash News

KRYESORE

Kush ishte Dilaver Bojku, shqiptari i ekzekutuar sot në Strugë

Ekzekutimi ndaj biznesmenti shqiptar në Strugë, ka bërë që të lexohet edhe njëherë e gjithë e shkuara viktimës Dilaver Bojku dhe historia e tij me drejtësinë.

Dilaver Bojku, i njohur me nofkën Leku, ka lindur në vitin 1959 në Veleshtë të Strugës. Ai u bë i njohur, në radhë të parë për policinë e Maqedonisë, e më vonë edhe për Interpolin dhe FBI-në amerikane, si dhe për publikun më të gjerë, për aktivitet e tij të shumta kriminale, në radhë të parë për prostitucion.

Ai merrte nën menaxhim dhe hapte klube nate, ku ofrohej ndër të tjera prostitucion dhe drogë. Deri në vitin 2000, ai ka operuar në linjën Ballkan-Evropë, duke sjellë prostituta nga shtetet e ish-Jugosllavisë, Ukraina, Molldavia dhe duke çuar si klandestine në vendet e Bashkimit Evropian.

Me punën operative të FBI-së (dega Budapest) me policitë evropiane, Bojku identifikohet dhe grumbullohen dëshmi për punët kriminale të tij dhe në këto kushte shpallet dhe fletarresti ndërkombëtar për të.

Në shkurt të vitit 2003 arrestohet nga policia e Maqedonisë, pasi në klubet e tij zbulohen dhjetra vajza që kanë qëndruar ilegalisht në vend. Gjykata e Strugës e dënon me 6 muaj burg për mbajtje të një femre pa dëshirën e saj, gjë që në opinion pritet me habi të madhe, për shkak të dënimit të ulët që iu dha. Pas ankesës së prokurorisë dënimi i rritet në 3 vjet.

Më 20 qershor 2003, gjatë kohës që po transferohej nga burgu me siguri të ulët, ai arrin të arratiset, duke shpëtuar nga duart e policëve. Marshallët amerikanë japin një shpërblim prej 10.000 dollarë për atë që do të ndihmojë në identifikimin dhe kapjen e tij. Për arratisjen e tij nga burgu, kanë shkruar edhe mediat botërore, si The New York Times, Guardian etj.

Rreth dy javë pasi ik nga burgu i Strugës, arrestohet në Ulqin të Malit të Zi, prej nga kishte planifikuar të arratiset fillimisht për Itali, e më pas për Brazil. Megjithatë, Bojku kthehet në Maqedoni ku vuan dënimin, ndërsa pas daljes nga burgu humb edhe nga vëmendja e publikut dhe mediave dhe më pas mësohet se ai iu fut biznesit në hoteleri dhe turizëm.

Bojku, u vra sot me armë zjarri në në plazhin e Strugës që ishte në pronësi të tij. Sulmi ndodhi në rreth orës 16:45 në kafiterinë “Aqua Bluesky” që ishte gjithashtu pronë e Bojkut. Sipas raporteve të medias, një person i panjohur deri në këto momente, i është afruar Bojkut, në bregun e liqenit rreth orës 16:45, dhe ka shkrepur disa plumba në drejtim të tij. Sipas dëshmitarëve okularë, sulmuesi me shpejtësi është larguar nga vendi me motoçikletë.

Nga policia deri më tani nuk japin detaje, ndërsa në proces është formimi i ekipit hetues policor që do të punojë në zbulimin e rastit. Gazeta Express

 

Të fundit