Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Kush po i kërcënon nga burgu deputetët e PS? Kryeministri Rama detyrohet t’i marrë në mbrojtje: Po u dërgohen mesazhe vulgare
Deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste po kërcënohen nga persona të burgosur për të mos votuar ligjin që parashikon mbylljen e lojërave të fatit dhe pikave të bastit në zonat e banuara. Kryeministri Edi Rama është detyruar të marrë në mbrojtje deputetët e partisë së tij, kur deklaroi nga foltorja e Kuvendit se ndihet i keqardhur për mesazhet vulgare që atyre u dërgohen nga të dënuar në burgun ‘313’ në Tiranë.
Gjithsesi, Rama theksoi se më 1 janar të vitit 2019-të nuk do të ketë më pika bastesh dhe kazino në rrugët e qyteteve të Shqipërisë.
“Jam shumë i keqardhur që një pjesë e deputetëve dhe posaçërisht deputetët e Ekonomisë janë kthyer në shënjestër të sulmit vulgar të mesazheve të orkestruara nga burgu ‘313’. Por nga ana tjetër jam shumë i sigurtë se ky grup parlamentar do t’u jap në radhë të parë prindërve të këtij vendi, nënave, grave, vajzave dhe patjetër edhe atyre që janë aktualisht të sëmurë nga marrëdhënia me fatin, një dhuratë të shumëpritur me rastin e vitit të ri, mbylljen e kazinove elektronike, e basteve sportive, që nga ndeshjet e futbollit dhe deri te garat e çdo katërkëmbëshi të faunës botërore dhe të basteve ‘on line’. Me mirëkuptimin se përsa i përket ‘on line’, që është një drejtim shumë kompleks, siç tregojnë edhe eksperiencat e vendeve të tjera, do të kemi një diskutim më tutje, në një kohë tjetër”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se ka një diskutim për të kthyer në monopol shtetëror të gjitha bastet sportive, por ai personalisht nuk e mbështet këtë ide.
“Ka një ide edhe për monopolin shtetëror të basteve sportive, por unë po e them që sot, jam kundër, gjithsesi, të gjitha janë të hapura për diskutim. Më 1 janar nuk do të ketë asnjë lloj basti dhe kazinoje”, tha Rama.
Ditën e djeshme, ishte Erjon Braçe, kreu i Komisionit të Ekonomisë, që denoncoi presionet që po i bëhen për këtë çështje. Ai theksoi se janë pronarët e kompanive të basteve që po i dërgojnë mesazhe dhe se shumica e tyre janë me precedentë kriminalë.