Kushtet për negociatat, Hajdari citon gjermanët: Arrestoni ministra, jo drejtora

Deputetja e opozitës parlamentare, Rudina Hajdari ka analizuar 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman. Në një intervistë në Abc News, ajo theksoi se gjatë takimeve që ka pasur me ndërkombëtarët, Gjermania kërkon arrestimin dhe ndjekjen penale të figurave të rëndësishme politike, jo vetëm në nivelet e mesme të administratës shtetërore.

“Mos harrojmë se krahas reformës zgjedhore, na ndan një muaj nga vendimi i çeljes së negociatave i cili do vijë me kushte të qarta. Ju e patë qartë sot, ishin nëntë kushte dhe një nga kushtet ishte shumë e qartë. Jo në mënyrën e nëntë kushteve pra të detajuara në atë lloj mënyre, por gjithë kohës, sidomos pala gjermane, kanë kërkuar që të ketë ndëshkime ndaj figurave politike që janë të korruptuar apo që janë akuzuar për vjedhje votash. Kanë kërkuar që të ketë ndjekje penale ndaj figurave të rëndësishme politike”, sqaroi Hajdari.

Gazetarja Mirela Milori e pyeti nëse mendon se në kërkesën e gjermanëve, përfshihen edhe ministra, ajo deklaroi: “Kjo është një gjë për t’u parë. Nëse rezultojnë të tillë persona të cilët kanë një precedent penal, atëherë patjetër që do ketë ndjekje penale dhe hetim të mëtejshëm në lidhje me këta persona”.

Deputetja opozitare tha më tej se pala gjermane nuk ka përmendur emra dhe sipas saj për këtë çështje duhet shikuar vullneti i qeverisë. Sipas Rudina Hajdarit, çuarja përpara e reformës në drejtësi, që ka të bëjë me ngritjen e SPAK, BKH, Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese, është kusht më vete i ndërkombëtarëve.