Flash News
Shtyhet sërish seanca për Berishën, shkak mungesa e prokurorëve
Investimi në Sazan/ Rama pyetet pse nuk shpall tender kombëtar: Do shqyrtojmë aplikimin
Paraqitet në SPAK, ish-ministri dhe deputeti socialist, Nasip Naço
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
E rëndë në Krujë/ 42 vjeçarja futi në qese dhe hodhi në lumë foshnjën e porsalindur në shtëpi
Alfred Lela
Kolegu Sokol Balla në një editorial në Realstory.al shkruante se para 30 qershorit është 20 qershori. Nënteksit i titullit: ka stacione të tjera në periodikun e zhvillimeve politike që do të përcaktojnë 30 qershorin, një datë litarin e së cilës po e tërheqin të dy palët me sa të munden.
Gjithë çka ndodhur gjithë këto ditë jermi politik dhe do të shpërfaqet nga sot deri më datë 30, nuk bën gjë tjetër veçse e zbraz kutinë e zgjedhjeve të 30 qershorit, e zbraz datën 30 si shenjë në kalendarin politik, e zbraz edhe si ushtrim demokracie.
Arsyet, si gjithmonë janë disa dhe ndër to mund të renditen:
Shqipëria vetë, dhe as 30 qershori, nuk mund të jetë më e njëjta pas serialit të përgjimeve të gazetës gjermane BILD. Nuk është skandali, por sidomos natyra e skandalit, ka të bëjë direkt me molestimin (futjen e duarve në zgjedhje) që i bën fishat e përgjimeve të publikuara nga tabloidi berlinez, të bien si topa napoleonikë mbi 30 qershorin.
Shqipëria nuk i ka kapacitetet institucionale për të mbajtur, vëzhguar, gjykuar dhe shpallur zgjedhje të lira, të ndershme, të vërteta, sa kohë që një varg institucionesh, që kanë të bëjnë kryesisht me gjykatat, janë të pafuqishme apo inekzistente. A nuk është ngecja (imapsi) President-KQZ që e tregon këtë më së miri.
Shqipëria, duke u nisur bash nga rasti i zhdekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti dhe mosnjohjes së tij nga KZQ, nuk është më një, as politikisht, as institucionalisht dhe as moralisht. 'Dy Shqipëritë' i turren njëra-tjetrës në keqkuptim dhe moskuptim dhe këtë vetëm Edi Rama, me sa duket, nuk e ka kuptuar.
Shqipëria ka marrë dy lajme të këqija sa i takon shpresave për integrim, për përkitje në familjen europiane, për liri dhe lëzizje të lirë. Holanda ka paraqitur një kërkesë në Komisionin Europian, me anë të së cilës kërkon që shqiptarëve t'u refuzohet lëvizja e lirë dhe, pak rëndësi ka çfarë bën Komisioni. Mjafton kaq për të kuptuar se nuk jemi në drejtimin e duhur. Po ashtu, pavarësisht rekomandimit pozitiv të Komisionit, qeverisë iu shtynë sërish negociatat, që do të thotë duhet pritur vjeshta, bashkë me ngjarjet që do rrjedhin deri atëherë, për stacionin e ri të integrimit.
Shqipëria tashmë i ka kaluar zgjedhjet e saj dhe është në kërkim të një detante. Zgjedhjet nuk mjaftojnë, sidomos kur ato janë të kontestuara, të manipuluara, të paragjykuara, të përgjuara dhe të certifikuara si të shpartalluara, siç dëshmojnë përgjimet e BILD. Detanta nuk duhet parë si një ulje e armëve për të shkarravitur një marrëveshje që shkelet nesër (kemi parë shumë të tilla). As edhe si marëveshje që bëhet me stomakun e pushtetit, por jo me fokusin e opozitës, të pakicës, të balancës që e ruan sistemin nga shprishja, duke mos e shprehur të gjithë pushtetin në një ngjyrë, forcë politike apo individ.
Të gjitha këto, pa folur për çka po ndodh në terren përditë, e zbrazin 30 qershorin nga kuptimi, sekuencialiteti dhe politikja, duke e bërë një kuti boshe pa asgjë e pa mister.
Edhe në një plan psikologjik, 30 qershori i Edi Ramës nuk ngjall asnjë emocion. Gara ka rënë. Motivim nuk ka.
30 qershori është një datë skadence, jo zgjedhjesh.