Flash News

KRYESORE

Kuvendi diskuton raportin e Institutit të Krimeve të Komunizmit, ‘fshihet’ Gramoz Ruçi

Në rend të ditës në seancën plenare sot po diskutohet, raporti vjetor i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Ndërsa në disa momente raporti është shoqëruar edhe me debate, pas fjalës së kreut Agron Tufa, ra në sy se seanca nuk u drejtua më nga Gramoz Ruçi, i cili e hapi seancën e sotme që në orën 10.00, por u zëvendësua nga zv.kryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi.

Madje, kjo e fundit u përfshi disa herë në debatet për raportin, duke u tërhequr vëmendjen deputetëve për të respektuar nenet e rregullores dhe etikën.

Kujtojmë se Gramoz Ruçi ka qenë ministër i Brendshëm në kohën e diktaturës komuniste (22 shkurt 1991-12 maj 1991), madje në kohën kur në 2 Prill 1991 kur u vranë katër protestues në Shkodër. Bëhet fjalë për Bujar Bishanakun, Arben Brocin, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekajn, sot të shpallur martirë të demokracisë.

Edhe në kohën kur mazhoranca e zgjodhi kryetar të Kuvendit, PD e kundërshtoi Ruçin me argumentin se ka qenë punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Brendshëm në kohën e komunizmit.

Me gjasë, Ruçi ka preferuar të “fshihet” për pak kohë, duke shmangur përplasjet për shkak të temës së raportit të diskutimit mbi krimet e komunizmit.

Të fundit