“Kuvendi në flakë”, Salianji kundërshton akuzat e presidentit dhe implikon Ramën

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji thotë se kryeministri ka pasur një plan për t’i vënë flakën Kuvendit në protestën e 8 qershorit. Në një prononcim për Top Channel, Salianji e justifikon këtë qëndrim me argumentin se Rama kërkon të avancojë “me akte të tjera në kundërshtim më Kushtetutën”.

“Nga komisioni hetimor i zhurmës, që do heqë vëmendjen nga skandalet qeveritare apo kryebashkiakët inkriminuar, kuptova që Presidenti e krahasoi atë me djegien e Rajshtagut gjerman ku djegia e sallës së seancave planere u shfrytëzua nga nacional-socialistët për të vendosur një diktaturë. Ka qënë informacion sic e tregon historia që Presidenti ka pasur informacion nga shërbimet që vetë qeveria, apo Kryeministri ti vendosnin flakën Parlamentit që të avanconin me akte të tjera në kundërshtim më Kushtetutën”, thekson Salianji.

Presidenti Ilir Meta, para Komisionit Hetimor mbrojti shtyrjen e zgjedhjeve duke thënë se ka pasur informacione nga shërbimet sekrete më 7 qershorit se Kuvendit do të digjej gjatë protestës së opozitës, duke fajësuar indirekt ata.