Ky burrë ishte i gatshëm të bëhej jo-popullor

Catherine Rampell/ Washington Post

Ka shumë arsye për ta admiruar Paul A. Volcker, ish-shefin e Bankës Federale që vdiq të dielën.

Ai ishte shumë i kursyer; gjatë gjithë kohës si bos i Federal Reserve, kur fluturonte çdo javë mes New York-ut dhe Washington-it, e ‘paloste’ siluetën e tij të gjatë prej 2.2 metrash në një ulëse të vogël në klasin ekonomik; një herë duke bërë shaka me një senator të çmeritur, ulur në klasin e parë, i tha se po kërkonte diçka edhe më të lirë.

Nxitja për këtë dorështrëngim ishte një tjetër dëshmi e karakterit të tij: Pranimi i postit kërkonte një ulje të madhe rroge. Së shoqes, e cila qëndroi në New York për shkak të komplikimeve shëndetësore, iu desh të merrte dikë me qera në shtëpi për të mbuluar shpenzimet, sipas një biografie të ekonomistit William L. Silber.

Dhe natyrisht, si shef i Fed, Volcker mbretëroi mbi inflacion të harlisur, i cili në kulmin e tij arriti dyshifrorin dhe të cilin shefat e mëparshëm të Fed kishin sugjeruar se nuk kishte asnjë mënyrë për ta ulur.

Por mbase arsyeja më e fortë për të vajtuar humbjen e Volcker është kjo: Për dallim nga kaq shumë zyrtarë të tjerë publikë, ai ishte jashtëzakonisht – mbase unikal – i gatshëm për të qenë jopopullor.

Volcker bëri gjëra që e bënë atë jopopullor me presidentët, me Kongresin dhe me publikun e gjerë. Ai nxiti armiqësinë e tyre, jo sepse ishte një provokator ose mazokist. Ai ndërmori veprime jopopullore sepse besonte se ato ishin gjërat e duhura për të bërë, dhe ai kujdesej më shumë për shëndetin afatgjatë të vendit sesa për karrierën e tij.

Volcker mësoi, që herët në jetë, domosdoshmërinë e rezistencës ndaj presionit politik kur qeverisja e mirë e kërkonte. I ati, menaxheri jetëgjatë i qytetit Teaneck, New Jersey, ndihmoi që borxhi i qytetit të ulej dhe nën administrimin e tij popullsia e qytetit u dyfishua. Në një moment, Volcker, i vjetri, shkoi në gjyq – dhe fitoi – për arsye të përpjekjeve të tij për të profesionalizuar trupën e policisë duke punësuar një shef të ri nga jashtë qytetit.

Në murin pas tryezës së menaxherit të qytetit ishte një citat i përshtatur nga George Washington, i cili gjithashtu mund të jetë epitaf për karrierën e Volcker-it të ri: “Mos vuaj natyrën tënde të mirë. . . të thuash “po” kur duhet “jo”. Mos harro se është një kauzë publike, jo private që do të përfitojë ose humbë nga zgjedhja jote. ”

Edhe si student, Volcker zbatoi atë filozofi në atë që do të bëhej vepra e jetës së tij. Ai shkroi tezën e tij të diplomimit në Princeton mbi historinë dhe teorinë e bankingut qendror, i cili përfundoi me një “lutje të fortë për të njohur stabilitetin e çmimeve si objektivin kryesor të bankës qendrore dhe për ta bërë atë të pavarur nga politika partizane”, siç rrëfeu në autobiografinë e vitit 2018.

Më pas pati një karrierë të gjatë në sektorin publik dhe privat nga e cila u bë dëshmitar i pasojave të shpërfiljes së deklaratës së tezës së tij universitare. Paraardhësit e Volcker në Rezervën Federale ishin subjekte të presioneve të forta nga Presidentët Lyndon B. Johnson dhe Richard M. Nixon; secili kërkonte norma të ulëta interesi për të ndihmuar në shkallën e popullaritetit të tyre. Dorëzimi nga Fed para një presioni të tillë padyshim që kontribuoi në rritjen e inflacionit.

Kur Presidenti Jimmy Carter përfundimisht përzgjodhi Volcker si kreun e Bankës, më 1979, Volcker e bëri të qartë qëllimin e tij për të forcuar rregullat. Dhe këtë bëri. Duke kuptuar që rritja me pikatore e normave afatshkurtra të interesit nuk po ndryshonte pritshmëritë për inflacionin, i bindi kolegët të ndërmarrin veprime më drastike. Këto përfshinin rritje të mprehta të normave që arritën të shuanin inflacionin, por gjithashtu e çuan ekonominë në një recesion të dhimbshëm.

Reagimi ishte i menjëhershëm. Ndërtuesit e zemëruar të shtëpive i postuan copa dërrasash të prera me sharrë. Ligjvënësit e kërcënuan me impeachment. Volcker u detyrua të merrte truproja. Pasardhësi i Carter, Presidenti Ronald Reagan, fillimisht ishte përkrahës i kryqëzatës (së suksesshme) të anti-inflacionit, por gjithashtu u përpoq të trysnonte Volcker drejt politikash më liberale për të ndihmuar në fushatën e rizgjedhjes së 1984, sipas autobiografisë së Volcker.

Volcker i rezistoi trysnive nga presidentët dhe ligjvënësit sepse donte të ulte inflacionin, e vërtetë. Por ai e pa stabilitetin e çmimeve si pjesë të një misioni më të gjerë: rikthimin e besueshmërisë së institucioneve qeveritare.

“Ai ishte i fiksuar pas besimit te institucionet”, tha biografi i tij Silber.

Në autobiografi, Volcker vazhdimisht ankohet për cilësinë e administratës publike, përçmimin në rritje të rezervuar për punët e shërbimit civil dhe mënyrën sesi bashkëveprojnë këto dy forca. Vonë në jetë, ai themeloi një organizatë jofitimprurës të përkushtuar për të adresuar këto shqetësime; sponsorizonte hulumtime në lidhje me “qeverinë e mirë”, për të cilën Volcker argumentonte (ndryshe nga Reagan) se nuk duhet të jetë një oksimoron.

Por ndikimi më i qëndrueshëm i veprës së jetës së tij qëndron në demonstratimet e  guximit moral dhe politik. Në fund të fundit – dhe mbase paradoksalisht – ishte indiferenca për reputacionin atëherë, që e rrit atë tani; gatishmëria e tij për të bërë gjëra jopopullore atëherë e ka bërë atë sot një figurë popullore. Në të vërtetë, shndërrimi i tij shumë dekadësh nga armiku publik numër 1 në hero ekonomik ka të ngjarë të habiste ata që e kryqëzuan rreth 40 vjet më parë.

Zyrtarët publikë që tani po mendojnë për trashëgimitë e tyre mund të duan të marrin ca shënime.

*Përkthimi: Politiko.al