Flash News

OP-ED

Ky është rasti i madh i opozitës

Ky është rasti i madh i opozitës

Ndriçim Kulla

Zjarri shpresëdhënës i lëvizjes studentore, ashtu siç edhe mund të mendohej në rrjedhën logjike të ngjarjeve,  do të mpakej dhe do të dobësohej një ditë, pavarësisht se ende ngujimet e tyre nëpër universitete janë si gacat e prushit në hi, që u mjafton vetëm një erë e fortë për t’u rindezur përsëri. Opozita e pati dhe duhet ta ketë ende parasysh shembullin e madh të protestimit që dhanë studentët, por nga ana tjetër pati edhe rrezikun e përfshirjes pa takt dhe ndoshta në mënyrë të sforcuar në këtë lëvizje, gjë që ajo e shmangu me sukses.

Lëvizja qe e studentëve dhe duhej t’u mbetej atyre. Megjithatë, ky sukses nuk duhet t’a mbulojë kurrësesi mesazhin e madh që fsheh përbrenda për të gjithë klasën politike shqiptare. Ata  studentë, që vërshuan ne javët e dhjetorit, spontanisht dhe gjithë frymë, e gjunjëzuan qeverinë pas grushteve të fuqishëm që i dhanë çdo ditë, derisa e detyruan t’u jargavitej e t’u qepej nga prapa në mënyrë neveritëse, deri ne plotësimin e një pjese të kërkesave të tyre. Por ata i dhanë shuplakë edhe mos-aftësisë së opozitës për ta përballuar dhe kanalizuar energjinë e tyre, në një projekt alternativ.

Nëse ajo nuk arriti ta kalërojë këtë valë protestash, jo për t’i udhëhequr ato, por për të krijuar një frymë që t’u vinte atyre nga pas, kjo padyshim duhet të shikohet si humbje e një shansi të madh dhe duhet patjetër të analizohet. Nga ana tjetër, zhvillimi i ngjarjeve të ditëve të janarit, me makinën e jashtëzakonshme të propagandës së pushtetit, që shuan dalngadalë çdo gjë, duke e kthyer madje në fitore dhe avantazh, edhe humbjet dhe diskreditimet më të mëdha, përligji katërcipërisht dyshimin e studentëve dhe strategjinë e tyre të drejtë për të mos pasur dialog me kryeministrin.

Ai e simuloi këtë dialog, bëri sikur i plotësoi të gjitha pikat e kërkuara, dhe tani fitimtar u turret “zaptuesve të universiteteve” si bij të humbur të një proteste të përfunduar. Sipas propagandës qeveritare mali i protestave studentore u mbars në kapërcyell të vitit të ri dhe mbarsi miun e “paktit për universitetin”. Ndaj tani, nuk mbetet gjë tjetër veçse kryeministri të vihet në vendin e studentëve dhe të drejtojë lëvizjen e tyre. “Ai gënjen dhe mashtron çdokënd që dialogon me të”, qe argument më i fortë i studentëve për mos-pranimin e dialogut. U anatemuan dhe u sulmuan gjithandej, por doli të ishin largpamës të kthjellët, ai përsëri i mashtroi.

Që i gjithë ky mashtrim të vazhdojë e të kthehet në avantazh për qeverinë, është një betejë që opozita s’mund ta dështojë, përndryshe do të humbasë shansin e saj të dytë të madh brenda pak ditëve. Edhe diçka e tillë do të qe mirë të anlizohej.  Analiza nuk duhet të shtrihet shumë larg në kohë, as edhe të bazohej në vërejtjet tashmë të ditura. Përkundrazi, do të qe më drejt të shikohej nëse strategjia e reagimit ndaj këtyre protestave, duhej të qe apo jo më agresive. Nuk po flasim për ndezjen e një revolte popullore, që disa herë është artikuluar, por s’ka gjetur rast të ngjizë.

Ky është problem me rrënjë të thella e nuk mund të shpjegohet aq lehtë. As për gabimin që i atribuohet opozitës si përkrahëse e vatrave të protestës, siç është ajo e Astirit, që nuk i përkasin një opozite. Përkundrazi, në këtë vend ku demokracia nuk funksionon, të gjitha rrugët demokratike janë të dëshiruara dhe të përkrahura për t’i realizuar. Mirëpo, problem qëndron pikërisht këtu. Nëse kemi përmendur dhe përligjur të gjitha këto mjete demokratike, si vallë nuk na ka shkuar ndërmend të shfrytëzojmë deri në maksimumin e vet më të mundshëm, pikërisht mjetin më të madh demokratik që disponojmë: parlamentin. Mos ka qenë vallë jo produktive, deri dhe i dëmshëm, bojkoti i parlamentit për një kohë kaq të gjatë. Në thelb, edhe bojkoti është një reagim i fortë, demokratik, politik, ndaj një gjendje alarmante.

Por çdo gjë ka masë, dhe produkti i këtij bojkoti rezultoi të qe shumë i zbehtë krahasuar me mundësintë e shumta që ngjarjet e mëdha që ndodhën, mund t’i ofronin opzitës për shpalosjen e gjendjes së tmerrshme të sistemit tonë arsimor dhe çmontimit të propagandës së qeverisë rreth protestës. Po njëlloj mund të diskreditohej afera korruptive e Astirit, e po njëlloj mund të shërbejë arena parlamentare për të filluar betejën diskredituese të lidhjes se qeverisë me procesin e kanabizimit të vendit, pas vetë-dorëzimit të Klement Balilit.

Duket qartë se do të qe më e frytshme një strategji e dyfishtë, e ndërthurur, e luftës në parlament me të gjitha mjetet demaskuese, dhe vazhdimi ose fuqizimi i protestave, qoftë edhe të përditshme, për problematikat e shumta që shtron shoqëria shqiptare. Aq më tepër që artikulimi i opozitës për një qeveri tranzitore e hap rrugën e shpalosjes dhe mbështetjes me një program të qartë nga pas, të rrugëve dhe opsioneve të mundshme për realizimin e saj. Është e sigurt se asgjë nuk vjen duke pritur, as duke u munduar të kalërosh pakënaqësinë e gjëndjes. Nëse nuk e kalëron, je i detyruar të koalicionohesh me problemtika dhe shtresat që shfaqin këto problematika.

Po si? Edhe duke i mbrojtur në parlament me fakte, dokumente, e sidomos platforma alternative për zgjidhjen e kërkesave që ata kanë. Asgjë nuk mund të vijë shpejt, menjëherë, do durim dhe këmbëngulje të pashtershme, përballë këtij  regjimi oligark . Pikë, pikë, nga të gjitha anët, protestat dhe lufta e përjavshme në parlament do të arrijnë ta grryejnë “gurin monolit” me të cilën duket se është veshur politika e pushtetit.

Deri tani po duket sikur po mbahet, por padyshim që nga brenda ajo ngjan me një fasadë të brishtë, që përdorimi intensiv dhe agresiv i të gjitha mjeteve demokratike, rrugë e parlament, patjetër që do ta lëkundë për t’i hapur rrugë zgjidhjes së konfliktit tashmë të hapur social. Pasi nuk bëhet fjalë vetëm për të ardhur në pushtet. Është shumë më e madhe kjo betejë, është për një kontratë te re sociale, që ta shmangë në themel këtë konflikt. Ky është rasti i madh i opozitës.

Të fundit