“Ky vit nuk është si asnjë tjetër”, Yuri Kim mesazh për 4 korrikun dhe Reformën në Drejtësi: Kërkon kohë për rezultate

Yuri Kim, ambasadore e SHBA ne Tirane

Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim ka përcjellë një mesazh në ditën kur Amerika feston 244-vjetorin e pavarësisë.

Teksa e ka cilësuar një vit festimi si asnjëherë më parë, Kim foli edhe për rolin e SHBA në mbështetje të Shqipërisë, sidomos në mbrojtjen e lirisë dhe vizionit për të ardhmen, por edhe për përmbushjen e reformave dhe anëtarësimin në BE.

“Festimi i ditës së pavarësisë së Amerikës këtë vit nuk është si asnjë tjetër. Për herë të parë, po përballemi me një pandemi që nuk na lë të mblidhemi në një çati për të festuar ditëlindjen e 244-ët të SHBA.

Megjithatë, amerikanët dhe shqiptarët jemi sërish pranë njëri tjetrit, mbetemi të lidhura nga dashuria dhe mbrojtja e lirisë sonë dhe vizionit tonë për të ardhmen.

Historia e Amerikës është histori unike suksesesh, por ky sukses nuk përcaktohet nga mungesa e dështimeve dhe gabimeve, por nga vendosmëria jonë për t’u përballur me çdo dështim dhe gabim, pra përpjekja jonë që gjithmonë të “formojmë një bashkim të përsosur”.

I tillë është rasti me miqësinë Shqipëri-SHBA.

Së bashku kemi punuar për më shumë se 100 vjet për një bashkim më të përsosur mes kombeve tona. SHBA vijojnë të qëndrojnë krah jush, teksa zgjerojmë marrëdhëniet tona të mbrojtjes, dhe e bëjmë Shqipërinë një aleate më të fortë dhe të aftë.

Në 2016-ën, Shqipëria miratoi Reformën në Drejtësi dhe vendi hodhi hapat e parë për drejtësinë e re, për të çrrënjosur korrupsionin, për të ndjekur penalisht krimin e organizuar dhe për të vendosur sundimin e ligjit. Ky proces kërkon kohë dhe përpjekje për të sjellë rezultate , por si gjithmonë SHBA do vijojnë t’ju mbështesë”, tha Kim ndër të tjera.