Flash News
Si e toleroi Ceno Klosi kompaninë e inceneratorëve, negociatat e dyshimta për miliona euro
Flet Abazoviç: Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE
Pas arrestimit të Berberit, Rama emëron drejtorin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Kyçja e shkollave dhe politika dështake e Ministrisë së Arsimit me justifikimin “klasë kolektive”
Mirela Karabina
Mbyllja e shkollave është paraqitur nga Ministria e Arsimit, në këtë fillim viti shkollor, si “përmirësim” i sistemit arsimor. Kështu, para pak ditësh, nëpërmjet medias, ministria ka artikuluar mbylljen e klasave kolektive. “Pengesë të cilësisë” do t’i quante ministrja, “kancer” të sistemit do t’i etiketonte Kryeministri, por asnjëherë nuk u deklarua as nga ministria, dhe, as nga qeveria kyçja e dyerve të qindra shkollave.
Kakofoni fjalësh, shpërqendrim nga thelbi.
Drynj të ndryshkur që kishin “burgosur” dijen në njëqind e ca shkolla: kjo ishte pamja tronditëse e ditës së parë të fillimit të vitit të ri shkollor.
Dhe, nga Ministria përgjegjëse për Arsimin, jo vetëm nuk ka shpjegime, por është përdorur mekanizmi mashtrim me “klasë kolektive” si “valvël shpëtimi” të kësaj gjëme të madhe, të kësaj situate të jashtëzakonshme,
Janë mbyllur klasa apo shkolla?
Në fakt, janë kyçur shkolla.
Të dhënat tronditëse të INSTAT se ka rreth 134 mijë më pak nxënës dhe studentë në vitin shkollor/akademik 2017/2018 krahasuar 4 vite më pare, dëshmojnë këtë realitet tronditës.
Duket si gjendje epidemie.
Emigrimi dhe migrimi kanë sjellë lëvizjen e shpejtë dhe të pakontrolluar të popullsië, e cila është pasqyruar te rënia e numrit të nxënësve në zonat rurale, “derdhjen” e tyre drejt qyteteve dhe mbipopullimin e shkollave të kryeqytetit.
Po, pse ministria nuk e pohon këtë fakt?
Po, pse ministria nuk bën analizë të kësaj situate dhe të paraqesë mundësi zgjidhje?
Sepse, ajo ka zgjedhur justifikimin dhe jo transparencën, mashtrimin dhe jo zgjidhjen pasi i duhet të pohojë një të vërtetë të dhimbshme: mungesën e një shërbimi cilësor arsimor.
Dhe, për këtë ka gjetur mjetin “klasë kolektive”.
Po çfarë janë klasat kolektive?
Janë klasa me nxënës të moshave të ndryshme, fomacione shkollore të pashmangshme të cilat do të vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit, pasi shtrirja gjeografike, reliefi i thyer dhe pamundësia e lëvizjes së fëmijëve në shkolla të largëta e mundëson këtë. Padyshim, që përmirësimi i infrastrukturës mund të krijojë zgjidhje më të mira në kohë të ndryshme.
Por, justifikimi “klasa kolektive”, dukshëm, është veprim spontan, momental, i pamenduar dhe i pastudiuar i Ministrisë sëArsimit, pasi nuk ka asnjë vlerësim të gjendjes reale dhe një platformë vepruese për sistemimin e nxënësve. Një projekt i filluar më 2013-ën për rioganizim të klasave kolektive, i cili mbeti në letër, i harruar dhe pa interes për këtë ministri, mesa duket, po i shërben për të “kapërcyer “ situatën e rëndë.
Çfarë duhet të mendojnë 33 mijë nxënësit që mësojnë në klasat kolektive pas deklaratave të ministrisë se qenkërkën jo cilësore? Të braktisin shkollën?!
Çfarë duhet të bëjnë prindërit pas deklaratës së Kryeministrit se këto klasa janë “kancer” i sistemit? Të shpërngulen nga zonat ku jetojnë?!
Pra, Ministria e Arsimit jo vetëm nuk zgjidh situatën për të ndihmuar fëmijët, por, deformon realitetin duke krijuar një peceptim te gabuar për to, me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes nga thelbi: boshatisja e shkollave.
Sepse, në vend të konstatojë se çfarë klasash janë, dhe përderisa janë të pashmangshme duhet t’i mbështesë dhe t’i zhvillojë: duke siguruar ambjente të përshtatshme mësimi për to, mësues të kualifikuar, mjete të dodmosdoshme mësimore dhe kushte normale transporti në mënyrë që të sigurojë një arsimi të mirë dhe cilësor të këtyre fëmijëve.
Sepse, në vend të konstatojë, duhet të ndërtojë punën bazuar në vlerësimet pozitive mbi arritjet e nxënësve në këto klasa duke krijuar strategji veprimi. Kështu, në vlerësime në vite nga specialistë të arsimit, nxënësit në klasat kolektive rezultonin më të mirë në lëndët Matematikë dhe Gjuhë Shqipe se nxënësit në klasa teke, tregues ky i vlerësimit që i bënin mësuesit dy lëndëve bazë, logjikës dhe gjuhës se folur dhe të shkruar, gjithashtu, dhe bashkëveprimi midis moshave të ndryshme.
Sepse, në vend të konstatojë, duhet t’i zhvillojë këto klasa duke u mbështetur dhe në përvojat e vendeve të zhvilluara, të cilat jo vetëm nuk i shmangin dot këto formacione për arsye të pozicioneve gjeografike (Amerika), por kanë ngritur shkolla mbështetur në fillozofinë e bashkëpunimit dhe bashkëvrepimit të fëmijëve të moshave të ndryshme( si p.sh. në në Australi grupohen nxënës të klasave të para dhe të dyta, të klasave të treta dhe të katërta dhe vlerësimet janë pozitive).
Pra ,ato janë një pjesë e mirë e sistemit sepse janë fëmijët që mësojnë atje.
Pra, ato nuk janë dështimi i sistemit pasi fëmijët arrijnë rezultate edhe më të mira se të tjerët dhe mësojnë atje.
Dhe, sigurimi i një arsimi cilësor dhe të barabartë për të gjithë nuk është dëshirë e Ministrisë apo Qeverisë, por është detyrimi ligjor:
Sepse arsimi është i detyrueshëm, Sepse arsimi është falas.
Prandaj, Ministria e Arsimit duhet t’ia çojë fëmijëve shkollën te shtëpia, dhe jo fëmijët të enden kilometra larg për të shkuar te shkolla.
Gënjeshtra nuk mund të mbulojë të vertetën e hidhur mbi mbylljen e shkollave: rënia e numrit të nxënësve sepse ka humbur cilësia dhe besueshmëria ndaj sistemit arsimor.
Pra, klasat kolektive janë justifikimi, por largimi masiv i nxënësve është shkaku.
Prandaj, dhe ne renditemi të parët në Europë dhe në Amerikë për largimin e studentëve jashtë vendit (9 studentë për 1000 banorë, 30% e maturantëve janë larguar më 2018-ën), tashmë, dhe në sistemin parauniversitar; prandaj ne renditemi të fundit në sistemin e vlerësimit Pisa (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të nxënësve 15 vjeçarë), pasi të menduarit kritik, arsyetimi logjik nuk është metodologji e shkollës sonë; prandaj ka humbur besueshmëria ndaj sistemit arsimor, pasi ky system nuk siguron oksigjenin për fëmijët, shkollë të mirë për to, cilësi në të nxënë, cilësi në mësimdhënie dhe boshllëk në zhvillimin intelektual dhe social të tyre.
“Të kam besuar dritën e syve të mi” do t’i drejtohej publikisht mësueses një prind që dërgonte për herë të parë fëmijën në shkollë. Emocionuese, shumë e bukur, vlerësim për mësuesin, besimi tek ajo, besimi te shkolla.
Por, fatkeqësisht, zhgënjimi i prindit do të jetë i pashmangshëm.
Sepse, kjo Ministri me politikat dështake të saj nuk ia siguron dot, nuk garanton cilësi dh barazi në arsim dhe edukim.
Kyçja e qindra shkollave për arsye te emigrimit dhe migrimit të familjeve për një arsimim më të mire të fëmijëve dhe “burgosja” e dijes është tablloja rrënqethëse e shekullit 21, të cilën kjo Ministri ka ofruar për fëmijët, mësuesit, prindërit dhe shoqërinë shqiptare në këtë fillim viti shkollor.
E trishtë, e dhimbshme por tejet revoltuese.