Flash News

KRYESORE

Lajm është mungesa e Lu në Kuvend, jo prania e skuthëve në PD

Lajm është mungesa e Lu në Kuvend, jo prania e skuthëve

Alfred Lela

Dy deputetë të Partisë Demokratike kanë dalë kundër vendimit politik të forcës së tyre duke votuar që Gramoz Ruçi të jetë kryetar i Kuvendit të Shqipërisë. Jo se vota e tyre ngrinte peshë fizike; edhe pa to Ruçi dhe mazhoranca socialiste ishin të vetëmjaftueshëm me 74 pro. Ato vota demokrate kishin peshë simbolike të dyfishtë.

Ky është skenari i dytë.

Skenari i parë, i cili u artikulua në ngut e sipër dhe në hutim e poshtë, nga një pjesë e deputetëve rishtarë të PD, shihte gjasën e një manipulimi, thënë shkoqur të një vjedhjeje nga ana e 'administratës' socialiste të procesit zgjedhor. Nuk kërkon mundim të madh për të pranuar se, po, ata që vjedhin 6 ditë në javë nuk e kanë problem as ditën e 7-të. Edhe pse mund të kenë dëgjuar se ajo është dita e Zotit.

Por, nuk duket të jetë ky rasti. E para, se nuk ishte nevoja, dhe e dyta se pranimi i faktit i jep kundërshtarit politik aurën e një 'sofistikimi' (edhe pse malinj) në lojën politike dhe ty të nxjerr gomar. Nën hijen e këtij protagonizmi u thanë edhe gomarllëqe, në orët e para kur plasi 'bomba e telekomanduar', siç e quante një eksponent demokrat votën pro Ruçit.

Si të zënë në faj, deputetët demokratë harruan të artikulojnë një shenjë që bënte me faj kundërshtarët: mospraninë shkëlqyese të ambasadorit amerikan Lu në lozhën kryesore të Kuvendit, ku kuqëlonte vetëm koka e Romanës, Meduzë që është gati të marrë pjesë në çdo sakrilegj socialist në Shqipëri.

Nuk kishin rëndësi besëprerët e pranishëm në grupin e PD, por mosprania e përfaqësuesit amerikan në Kuvend.

Emërtimi 'besëprerë' madje është i pavend, në kuptimin politik të formulimit. Sepse, ata dy deputetë janë në të drejtën e tyre për të dalë edhe kundër vendimit politik të forcës që ata përfaqësojnë, apo që deri dje përfaqësonin. Çka i bën besëprerë, madje skuthër është se nuk i kanë këllqet për ta shpallur qëndrimin e tyre publikisht. Duke i thënë kryetarit dhe partisë se nuk janë dakord me antikomunizmin si tezë politike dhe ideologjike. Këto janë kokat që morën vendimin për të dalë kundër grupit, tani janë në duart tuaja, pritini ose falini!

Nuk ndodhi kështu për dy arsye. Njëra lidhet me besëprerjen si shtysë financiare, dhe e dyta, më pranë së vërtetës, me denigrimin e kryetarit të Partisë Demokratike, i sapo rizgjedhur në krye të PD. (Kur të gjithë dyshonin se spastrimi ishte më i madh se duhej, ja ku vjen dëshmia e parë se nuk paska qenë aq i thellë sa duhej).

Në të dy rastet, politika shqiptare është e mbushur me tradhtinë si shitblerje dhe tradhtinë si kokëprerje, pra si përpjekje për të rrëzuar apo diskredituar dikë politikisht, edhe kur ky është në krye apo pjesë e formacionit tënd politik.

Nuk ka pra gjë të re, as te njëra e as te tjetra. Lajmi i vetëm është se, të majtët shqiptarë guxojnë deri në prag të marrëzisë, duke zgjedhur kryetar të Kuvendit ministrin e fundit të Brendshëm të regjimit komunist, dhe principaliteti amerikan i shfaqur në formën e mospranisë së ambasadorit Lu.

 

Të fundit