Lajmi i keq për Shqipërinë, Austria ‘shpik’ një fazë të re që do zgjasë procesin e integrimit

Austria merr më 1 korrik presidencën e Bashkimit Europian, ndërkohë që prioritet janë përcaktuar disa muaj më parë. Refugjatët, buxheti i BE-së dhe zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor janë prioritet kryesore të Vjenës në gjashtë muajt e presidencës.

Për Shqipërinë është pozitiv fakti që zgjerimi i unionit vijon të jetë prioritet në dy presidenca radhazi, fillimisht i Bullgarisë dhe tani i Austrisë, por deklarata e kancelarit Sebastian Kurz ngre dyshime për kohëzgjatjen e këtij procesi.

Kurz ka theksuar se shteti i tij mbështet një integrim më të madh të Ballkanit Perëndimor në BE, gjithsesi, ai ka folur edhe për një fazë të re në procesin e integrimit, që nuk ka ekzistuar më parë. Kurz tha se mbështet idenë e një para-anëtarësimi të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.

Faza e para-anëtarësimit nuk lidhet me hapjen e negociatave dhe kancelari austriak nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë çështje, por e sigurt është se shqiptarët duhet të presin edhe shumë vite për të qenë anëtarë me të drejta të plota në BE.

“Ky rajon është pjesë e Europës në aspektin e politkës ekonomike dhe të sigurisë, si dhe është shfaqur një partner i besueshëm gjatë krizës migratore”, ka thënë Kurz.

Shqipëria dështoi të hapë negociatat këtë vit dhe vendet e BE-së vendosën disa kushte të reja që vendi ynë duhet t’i plotësojë nëse dëshiron që negociatat të hapen në qershor të 2019-ës.