“Lamtumirë Ben!”, ish-deputeti rrëfen bisedën e fundit me Arben Bajon: U afrua dhe më tha ‘mos ki frikë se s’na kap kjo e flamosura’

Ndarja e parakohshme nga e jeta e skulptorit Arben Bajo ka lënë pas trishtim jo vetëm tek familjarët e tij, por edhe tek miqtë dhe artistët që e njohën.

I hidhëruar nga vdekja e artistit, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Roland Bejko, zgjedh një mënyrë ndryshe për t’i dhënë lamtumirën mikut të tij.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Bejko tregon bisedën e fundit me skulptorin e njohur, i cili ndër të tjera nuk i frikësohej infektimit me COVID. Për Bejkon, Arben Bajo do të mbahet mend gjithmonë për veprat e njohura që la pas.

Lamtumirë Ben, Sa herë të flitet për At Zef Pllumbin do kujtojmë ty. Sa herë do dëgjojmë këngët e Vaçe Zelës do na shafesh aty si një personazh i një videoklipi të përjetshëm! Ti u dhe jetë atyre sigurisht, por ata dhe qindra vepra të tjera ty të dhenë përjetësi të merituar. I paharuar miku im, miku ynë! Mirë u pafshim!”, thuhet ndër të tjera në mesazhin e lamtumirës së Bejkos.

Postimi i plotë:

Iku dhe Arben Bajo. Beni luante me jetën kukafshehti, ja kështu si te kjo foto. Për herë të fundit e kam takuar disa ditë më parë pranë Akademisë. Isha duke ecur me makinë. E pash në trotuar dhe i rashë borisë. Ktheu kokën, më pa dhe u afrua te makina. Ula pak xhamin. “Ule mor tamam”,- më tha “mos ki frikë se s’na kap ne kjo e flamosura…” Shkëmbyem romuze për politikë, edhe pse Benit nuk ia ndiente shumë për të. Folëm për punimet e tij dhe për Covid. “Na ndau”,- tha, “bëhu për një kafe, ti e di ku më gjen”. Si mund ta dija që në fakt ato dy tre minutat e bisedës në këmbë, ishin të fundmet e gati 40 vjet miqësi qysh nga koha kur akoma fëmijë, mësonim pikturë? Lamtumirë Ben, Sa herë të flitet për At Zef Pllumbin do kujtojmë ty. Sa herë do dëgjojmë këngët e Vaçe Zelës do na shafesh aty si një personazh i një videoklipi të përjetshëm! Ti u dhe jetë atyre sigurisht, por ata dhe qindra vepra të tjera ty të dhenë përjetësi të merituar. I paharuar miku im, miku ynë! Mirë u pafshim!