Flash News
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Tragjikomedia e AADF me Butrintin: Një i panjohur do të drejtojë bordin shkencor të fondacionit
Lavrov: SHBA-të nuk pranojnë realitetin e botës shumëpolare
Politiko
16 Janar 2018, 18:42
Ndërsa udhëheqësit botërorë, duke përfshirë Presidentin amerikan Donald Trump, përgatiten të takohen në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre se nuk pranojnë realitetin e botës shumëpolare dhe se kërkojnë t’i bëjnë punët nëpërmjet ultimatumeve dhe diktatit.
Një analist i tha korrespondentes Zlatica Hoke të Zërit të Amerikës se këto akuza janë shprehje e zhgënjimit të Moskës, e cila shpresonte që Presidenti Trump ta ndihmonte për heqjen e sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë për shkak të ndërhyrjes së saj në Ukrainë.
Gjatë ditëve të fundit, Presidenti i SHBA, Donald Trump ka qenë objekt kritikash për disa çështje. Kritikët brenda dhe jashtë vendit e kanë akuzuar atë për racizëm pas komenteve të tij rreth emigrantëve nga Haiti dhe Afrika. Demonstruesit në Zvicër synojnë të bllokojnë pjesëmarrjen e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos javën e ardhshme. Ndërkaq, Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po përpiqen të imponojnë vullnetin e tyre në botë.
"Ata dhe aleatët e tyre përdorin një numër metodash të tilla, si instalimi i një sistemi global të mbrojtjes nga raketat, sanksionet e njëanshme, përdorimi ekstraterritorial i legjislacionit të tyre e deri te kërcënimet për zgjidhjen e problemeve ndërkombëtare vetëm sipas skenarit të tyre,” tha zoti Lavrov.
Ai tha në një konferencë shtypi dje në Moskë se administrata e tanishme funksionon sipas linjave të administratës Obama dhe se në disa pikëpamje zoti Trump është treguar edhe më agresiv.
"Për fat të keq, kolegët tanë amerikanë dhe aleatët e tyre ende kërkojnë t‘i bëjnë punët vetëm me ultimatume dhe nuk duan të dëgjojnë pikëpamjet e qendrave të tjera të politikës botërore; në fakt ata nuk duan të njohin realitetin e zhvillimeve shumëpolare", tha ministri i Jashtëm rus.
Kritikat e zotit Lavrov pasqyrojnë zhgënjimin e Rusisë, e cila shpresonte se Presidenti Trump do ta kalonte në heshtje ndërhyrjen e saj në Ukrainë, thotë analisti Peter Eltsov i Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes në Uashington.
"Kjo tregon në fakt se ata i bënë llogaritë gabim dhe se ata nuk e kanë kuptuar kurrë thellësinë e ndarjes së pushteteve në këtë vend, pra faktin se Kongresi është jashtëzakonisht i fuqishëm, se gjyqësori është shumë i fuqishëm dhe se, në fund të fundit, edhe vetë zoti Trump nuk ishte aq i prirur për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë në mënyrë drastike".
Zoti Eltsov thotë se pretendimi se administrata Trump dëshiron t'i imponohet botës është një "refren i vjetër" i Presidentit Vladimir Putin.
"Ajo që thotë zoti Lavrov nuk është aspak e vërtetë, mendoj se kjo thjesht tregon dëshirën e qeverisë ruse për të promovuar axhendën e saj".
Eksperti amerikan për Rusinë e vlerësoi synimin e Presidentit Trump për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror. Presidenti Trump, - thotë zoti Eltsov, - ka kohë që nuk pajtohet me globalizimin dhe tregtinë e lirë që promovohen në takimet e Davosit, ku ai mund ta zgjerojë debatin për këto çështje./Voa