LDK e gatshme për marrëveshje, Vjosa Osmani: Diskutimet me VV do të vijojnë pa iu nënshtruar presioneve publike

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes Vjosa Osmanit, e cila u rendit e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, ka shprehur gatishmërinë për arritjen e një marrëveshje me lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Osmani shkruan se diskutimet mes dy partive do të vijojnë, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt .

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional. Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre”, shkruan Osmani.