‘Le Monde’ hap gazetën me Ismail Kadarenë: Të jetoje në diktaturë, do të thoshte të bëje letërsi

Gazeta prestigjioze franceze ‘Le Monde’ i ka kushtuar faqen e parë shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare.

Me titullin “Në diktaturë për mua të jetoje do të thoshte të bëje letërsi”, shkrimtari është intervistuar nga Florence Noiville.
Gazetarja franceze përshkruan se ka qenë në Shqipëri që në muajin maj dhe e ka intervistuar shkrimtarin në shtëpinë e tij në Tiranë.

Nga kjo intervistë e gjatë Lapsi.al ka zgjedhur të përkthejë tre pyetjet e fundit, pasi një pjesë e atyre për letërsinë e Kadaresë, marrëdhënieve të tij me diktaturën dhe veprave të tij të mëhershme, janë të njohura për publikun shqiptar.

Pjesë nga intervista:

Çfarë ndjetë kur shtëpia juaj studio u inaugurua në Tiranë?

E shoh veten përballë oxhakut. Çuditërisht me ndjenjën se jam një “shkrimtar i lirë”. Gruaja ime Helena punonte në një shtëpi botuese. Çdo mëngjes unë rrija vetëm dhe shkruaja A ka gjë më të mrekullueshme? Disa nga librat e mi ishin të ndaluar, por unë shkruaja pak a shumë atë që doja. Disa herë e ndjeja që një frazë ishte e mirë. Ndonëse mund të dukej pa logjikë, unë e ndjeja bukurinë e saj të fshehur. E provoja fizikisht. Për mua çdo lloj ngushëllimi ka qenë brenda letërsisë. Dhe në misterin e të qenit i kuptuar, ndonëse vetëm prej pak vetëve.

Mendoni se keni pasur fat?

E njihni ju proverbin latin “Vivere militare est”? Eh.. dhe nëse të jetosh është si të luftosh duhet të jesh i lumtur nëse nuk je vrarë (qesh). Për mua të jetosh do të thotë të bësh letërsi. Të mos e bëja dot këtë detyrë do të ish njësoj sikur të mos jetoja. Unë arrita ta bëj dhe nuk u ndalova nga asgjë. Atëherë po unë kam qenë me fat. Disa herë më thonë në Shqipëri: “ah sikur të kishe jetuar në një vend të lirë”. Po kush e di? Kush mund ta dijë nëse gjithçka mund të kish qenë ndryshe?

 Sot, kur i ktheheni veprës suaj, cila është krenaria më e madhe?
Unë shkrova për dhjetëvjeçarë të tërë nën diktaturën më gjakatare të Evropës së pasluftës. Sot, vite më pas letërsia ime është e njëjtë. Ajo nuk ka ndryshuar. Nëse ju nuk e shikoni datën në fund të një vepre, ju nuk e kuptoni kur është shkruar ajo. Në 2017 për shembull unë u dominova në Britaninë e madhe për çmimin Man Booker Interntaional me “Kamarja e turpit”, një tekst i shkruar në 1978 dhe dyzet vite më pas për lumturinë time juria gjykoi se leximi i saj është aktual dhe i natyrshëm. Për këtë jam i lumtur. Kam krijuar letërsi normale në një vend anormal.