Flash News

KRYESORE

“Le të ketë vëllavrasje”/ Procedohet penalisht kreu i PD-së së Elbasanit

“Le të ketë vëllavrasje”/ Procedohet penalisht kreu i

Kreu i PD-së në Elbasan, Aurel Bylykbashi është proceduar penalisht në gjendje të lirë nga policia e këtij qyteti.

Sipas specialistëve për Hetimin e Krimit Kundër Personit, Bylykbashi do të procedohet për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Pengim me dhunë i veprimtarisë së partive politike”, si dhe “Pengim i subjekteve zgjedhore”.

Masa ndaj kreut të PD-së së degës Elbasan erdhi pas fjalimit të tij dy ditë më parë në një takim të Aleancës për Mbrojtjen e Lirisë dhe Demokracisë.

Gjatë këtij fjalimi, Bylykbashi u shpreh se nuk do të lejohej një votim monopartiak me 30 qershor, edhe sikur kjo t’i çonte shqiptarët në vëllavrasje.

Njoftimi i plotë i policisë:

Specialistët për Hetimin e Krimit Kundër Personit, në DVP Elbasan proceduan penalisht në gjendje të lirë për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, shtetasin A.B., 53 vjeç, banues në Elbasan.

Në media dhe rrjete sociale ai ka bërë thirrje për veprime të dhunshme dhe pengim të procesit të votimit më datë 30 qershor 2019.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme.

Të fundit