Flash News

KRYESORE

Lehtësimet e reja/ Sot hapen klinikat dentare, qendrat tregtare dhe parukeritë; zonat e kuqe të blinduara me postblloqe

Lehtësimet e reja/ Sot hapen klinikat dentare, qendrat tregtare dhe

Nga sot, në 11 maj, nis një tjetër varg lehtësirash nga qeveria, pas kufizimeve të vendosura si masa parandaluese ndaj virusit covid-19.

Kështu, nga sot rinisin punën klinikat dentare, por duke respektuar një protokoll të caktuar masash higjieno-sanitare.

Po ashtu, nga sot rihapen qendrat tregtare, parukeritë, berberët etj., ndërsa mbeten zona të kuqe vetëm qytetet që vazhdojnë të kenë ende aktive vatrat covid-19, si Tirana, Durrësi, Kruja.

“Nga e hëna e ardhshme do të mbeten vetëm Zonat e Kuqe të përcaktuara në hartën bashkëngjitur, bashkitë Shkodër, Kurbin, Krujë, Durrës, Tiranë dhe Fier, ku do të vazhdojë i njëjti regjim oraresh lëvizjeje dhe rregullash të qarkullimit si deri tani. Këto zona do të blindohen me postblloqe dhe nuk do të lejohet hyrje-dalja e automjeteve të paautorizuara.

E gjithë pjesa tjetër e vendit do të jetë e gjelbër dhe qarkullimi ndërqytetas me automjet privat brenda gjithë kësaj pjese do të jetë i lirë, me një regjim orar që do të shtrihet deri në orën 21.00. Për këtë pjesë do të mbeten në fuqi vetëm rregullat që ndalojnë grumbullimin e më shumë se pesë personave, aktivitetet kulturore e sportive të çdo lloji, transportin publik si edhe njësitë ekonomike ende të mbyllura”, sqaroi kryeministri Rama pak ditë më parë.

Ndërkohë, të shtunën, kryeministri njoftoi se nga personat e riatdhesuar do të karantinohen në banesat e tyre dhe jo më nëpër hotele, siç është proceduar deri tani.

Të fundit