Flash News

OP-ED

Letër demokratëve

Letër demokratëve

Indrit Vokshi

Vetëm 20 vite iu deshën propagandës së majtë për ta shembur mendimin e besuar se Partia Demokratike solli pluralizmin dhe demokracinë. Aq demokraci sa kishim. Tashmë propagandohet dhe besohet mendimi se demokracia erdhi vetë. Nuk e solli PD. Kjo bëhet për ta delegjitimuar, edhe historikisht, në pikat më të forta.

Nuk erdhi asgjë vetë siç po duan ta paraqesin. Po të kishte ardhur vetë dhe po të ishte PD nën hyqmin e Ramizit, nuk do të ndodhte 1997; nuk do ishte e nevojshme.

PD u pandeh dhe u shpresua nga Ramizi dhe padronët e Ramizit, si parti e vogël. Plani ishte të mbetej një parti e vogël, një tjetër parti e vogël, një tjetër e një tjetër, sa për fasadë pluralizmi dhe, Partia e Punës ta vazhdonte pushtetin duke marrë në koalicion herë njërën e herë tjetrën dhe, duke lënë disa të padëmshme në opozitë.

Plani nuk eci. PD mori garancitë e duhura nga SHBA, prishi koalicionin e 1991 me PPSH dhe, fitoi vetë, me 22 mars 1992. Ndërmori ato që u quajtën ‘reforma liberalizuese’. Ndërtoi Gjykatën Kushtetuese për t'iu dhënë shqiptarëve më shumë mbrojtje dhe garanci ligjore, ratifikoi hyrjen në Këshillin e Europës pas reformave legjislative të 1995, duke iu dhënë shqiptarëve edhe mundësinë që nëse shteti ynë iu shkel të drejtat, të ankohen në Strasburg. Pra, iu dha mbrojtje njerëzve që deri para 1990 nuk kishin asnjë mbrojtje. Madje as avokatin i cili qe suprimuar në 1967.

Gaboi me firmat piramidale duke tentuar t'i konvertonte në banka të rregullta. Gaboi me zgjedhjet e 26 majit sepse, prej mospërvojës, ra në kurthin e atyre që tërhoqën komisionerët me qëllim prishjen e zgjedhjeve. Sigurisht, në një vend pa traditë zgjedhore si Shqipëria e 1996, komisionerët kundërshtarë janë garancia e mosdëmtimit. Kështu dha shkak që terrorizmi i institucionalizuar i quajtur PPSH, të fuste armë me anije nga Korfuzi dhe të digjte Shqipërinë.

Në 8 vitet e opozitës, mbijetoi përballë një pushteti kafshëror që i vrau 36 eksponentë, midis tyre edhe ish-kryetarin dhe ikonën e saj, Azem Hajdari. U ringrit dhe fitoi zgjedhjet e 2005.

Qeverisja e 8 viteve është dinjitoze. Transformoi rendin dhe ligjin e një vendi ku qytetet identifikoheshin me kryebanditin e asaj zonë. Lushnja e atij, Durrësi i atij, Tirana e atij e me radhë.

Transformoi rrjetin rrugor të një vendi me shtigje dhish ku duheshin orë të tëra e stërmundime pafund për të shkuar nga qyteti në qytet, në një vend që World Economic Forum e rendit si me rrugët më të mira në Ballkan me mesatare 3.5 nga 5.5 që e ka BE mesataren.

Ndërtoi qindra ujësjellës, qindra shkolla, dhjetra HEC-e, hidrocentrale si Ashta e Banja, me teknologji austriake dhe norvegjeze, që sot mbulojnë 35 % të konsumit me energji. Qindra shqiptarë morën subvencione dhe sot kanë ullinj, pemishte me agrume, frutore, pra disponojnë më shumë pasuri. E të tjera.

Cilët janë elementët e civilizimit? Rruga, uji, energjia etj. Pra qeverisja e PD ka kontribuar fuqishëm në civilizimin e këtij vendi.

PD është një histori krenarie, emocioni, përfaqësimi, pune e pasioni, mbijetese dhe jetese. E kur t'iu thonë pse i humbi zgjedhjet, thuajuni se s'ka asgjë tragjike, se çdo parti në botën normale, humb. Konkurenca të humb dhe të fiton, por kjo nuk zhbën të vërtetën.

Ka një operacion të madh për t'i injoruar demokratët, për t'i mërzitur, për t'i dekurajuar, për t'iu injektuar të mendojnë se janë askush dhe përfaqësojnë asgjë.

Kurajë!

Le të mendojmë për historinë tonë dhe të ndihemi mirë, jo për të jetuar me histori, por për ta pasur si shtysë dhe motiv për të sotmen dhe për të nesërmen.

Të fundit