Flash News

KRYESORE

Letërsia si fotografi, apo fotografia si letërsi?

Letërsia si fotografi, apo fotografia si letërsi?

Stefan Çapaliku

Nga kjo kafe, që sot nuk asht ma, Milloshi shikonte atë cka mund të shihej prej dritares kur ishte dimer, e prej vrimave të kësaj grrile prej druni, kur ishte verë e rrinte jashtë.

Prej andej ka pasë mundësi me pa qartë shumë skena qytetase: Një njeri që rrahte kalin e vet të pafajshëm, thjesht e vetëm se barra ishte tepër e randë; një student tek kthehej në shpi; Kolën me portretin e së shoqes të lyeme e të zhgrryeme nder mend; Luken, si njenen nga ato… e kështu me rradhë gjithë t’birt shekulli të ri…

Milloshin te Kafe “Adriatik” e njihnin të gjithë e jo vetëm klientët e përhershëm. Atë e njihnin edhe kamarierët e banakierët te të cilët mesa duket ai qe rrëfye dhe ia kishte tregue sëmundjen e vet. Prandaj dhe ata i kishin rezervue një filxhan të vetin. Ishte filxhani i personalizuem i një tuberkulozi.

Dhe ky tuberkuloz, poet, i veshun e i mbathun ma së miri, mësues, i krehun e i lyem me brilantinë, e me gjithcka tjetër simbas modës, kalonte ditët e fundit të jetës së vet shpresëpakë e me sy që i zmadhoheshin përherë e ma tepër.

Aty mund ta takoshin edhe miqtë e vet apo kushërinjtë apo edhe të njohunit e motrave, me të cilët organizonte mbramjet në shpi të vet e nën tingujt e ambël e melankolik të mandolinës, që i binte virtualisht.

Kështu pak a shumë ma ka tregue Migjenin një miku i tij, bashkëmoshatar e mehallali, agronomi Rozar Dodmasej…

Të fundit