Flash News

KRYESORE

Letra anonime te Ministria e Financave, u synua konflikt mes dy televizioneve

Letra anonime te Ministria e Financave, u synua konflikt mes dy televizioneve

Gjithçka nisi me një investigim të emisionit ‘Top Story’ në Top Channel, ku denoncohej manipulimi dhe falsifikimi i barnave në Shqipëri. Një prej të prekurve nga ky denoncim ishte edhe biznesmeni Nadir Çausholli, drejtues i një depo farmaceutike.

Ditën e djeshme, i njëjti emision, ‘Top Story’, ka raportuar për hakmarrjen e pretenduar të Çaushollit ndaj televizioneve Top Channel dhe Ora News. Sipas këtij emisioni, ky biznesmen kishte ndërtuar një skemë mashtrimi për të nxitur konflikt midis drejtuesve të televizioneve.

Duke keqpërdorur emrin e gazetarit Endrit Habilajt, autor i emisionit ‘Top Story’, Çausholli akuzohet se ka dërguar në Ministrinë e Financave një letër të mbushur me akuza ndaj Ylli Ndroqit, pronar i Ora News.

Në letrën që mbante emrin e autorit të emisionit ‘Top Story’ thuhej se kishte punuar me zotin Ndroqi dhe se kishte dijeni se ai pastronte rreth 1.2 milionë euro në vit nëpërmjet disa kompanive.

“Pra, nëpërmjet kësaj letre, Çausholli kishte ndezur një konflikt mes Top Channel dhe Ora News, duke përdorur emrin e një gazetari”, raporton ky emision, duke shtuar se “nëse nuk do të ishte zbuluar nga autoritetet, konflikti mes dy televizioneve do të përshkallëzohej.”

Qëllimi i letrës së Nadir Çaushollit ishte që të vinte në lëvizje Ministrinë e Financave, që drejtohet nga Anila Denaj, pasi biznesmeni Ndroqi akuzohej për evazion fiskal dhe qëllimi ishte që ndaj tij të niste një hetim tatimor.

Sipas ‘Top Story’, letra e falsifikuar është dorëzuar në postë nga Eron Koka, shoferi i Çaushollit. Ai ka pranuar gjatë shoqërimit në komisariatin nr.3 në Tiranë se ka depozituar këtë letër, ndërkohë që nuk ka njohje me gazetarin Habilaj.

Koka sqaron më tej se letrën e ka marrë në recepsionin e kompanisë “CFO Pharma” dhe zakonisht letra të tilla janë porosi e shefit të tij, Nadir Çausholli.

Të fundit